Ramadani: Kosova do të dalë faqebardhë nga kjo situatë me Covid-19
Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë, Naser Ramadani, tha se Kosova do ta tejkalojë gjendjen e krijuar nga koronavirusi, porse kërkohet nga qytetarët që t’iu përmbahen rregullave të Institutit dhe mekanizmave tjerë botërorë të shëndetësisë.
Këto komente, Ramadani i bëri pas një takimi që zhvilloi me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ku e njoftoi për gjendjen në të cilën është Kosova.
“Institucionet relavante të Kosovës dhe qytetarët janë rekomanduar që me kontributin e tyre të japin shtytjen më të madhe që të tejkalojmë krizën, duke pasur parasysh që rekomandimet e dhëna e kanë bazën te qytetari. Ne i kemi rekomanduar qytetarët që t’iu përmbahen strikt rregullave dhe rekomandimeve të Institutit të Shëndetësisë Publike, të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në mënyrë që të tejkalohet kjo situatë, duke mbajtur distancë së pari 2 metra, si dhe rekomandimet tjera”, tha Ramadani.
Kosova, shtoi ai, mund të organizohet dhe, sipas tij, “ky vend do të dalë faqebardhë nga kjo epidemi”.
Në Kosovë, deri më tani janë konfirmuar 19 raste me koronavirusin që shkakton sëmundjen Covid-19.
Praga ashpërson masat mbrojtëse kundër koronavirusit
Autoritetet e kryeqytetit çek, Pragës, kanë ashpërsuar masat mbrojtëse, me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit të ri, duke thënë se të gjithë individët duhet të mbulojnë fytyrën në ambiente publike.
Kryetari i Pragës, Zdenek Hrib, ka thënë përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, se rregullat e reja do të nisin së zbatuari nga mesdita e 18 marsit.
“Po ndaloj hyrjen, qëndrimin dhe lëvizjen e njerëzve pa mbulesë mbrojtëse të gojës dhe hundës, derisa shfrytëzoni transportin publik, derisa vizitoni bizneset që veprojnë gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, nëpër hapësirat sociale dhe ato shëndetësore, në zyra publike, shërbime të emergjencave, barnatore dhe plaforma tjera”, ka shkruar Hrib.
Deri më 18 mars është konfirmuar se 484 raste janë prekur me koronavirus në Republikën Çeke, pa ndonjë viktimë.
Pastrimi i rrugëve në Prishtinë
Si masë mbrojtëse kundër koronavirusit, Komuna e Prishtinës ka ndërmarrë aksion për pastrimin e rrugëve. Pastrimi po bëhet nga kompani të kontraktuara nga komuna.
Spasovski kërkon të shpallet gjendje e jashtëzakonshme në Maqedoninë e V.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut po kërkon nga kuvendi dhe presidenti i Republikës shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, për t’u përballur në mënyrë sa më efikase me pandeminë e koronavirusit.
Për shkak të pamundësisë së mbledhjes së kuvendit, që tashmë është shpërndarë, shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, sipas kryeministrit Oliver Spasovski, mund ta bëjë presidenti Stevo Pendarovski.
Maqedonia e Veriut ka aktualisht 35 njerëz të infektuar me koronavirus.
- Artikullin e plotë mund ta lexoni këtu.