Nis kryerja e pagesave për skema pensionale dhe sociale
Ministria e Financave dhe Transfereve në Kosovë ka bërë të ditur se nga dita e mërkurë kanë filluar të kryhen pagesat për skemën pensionale derisa më 24 të këtij muaji do të kryhen pagesat për skemën e asistencës sociale.
Vendimi për kryerje të këtyre pagesave një javë më herët është marrë me qëllim të shmangies së radhëve të njerëzve, në kohën e përhapjes së koronavirusit të ri.
Autoritetet u kanë bërë thirrje kategorive të prekura nga ky vendim që të shfrytëzojnë bankomatet për tërheqje si dhe të kryejnë sa më shumë pagesa me kartela bankare.
Deri më tani në Kosovë janë konfirmuar 19 raste me koronavirus.
Spanja merr vendim për mbyllje të hoteleve
Qeveria spanjolle ka konfirmuar se do të mbyllë të gjitha hotelet nga 24 marsi, me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit të ri.
Për rezultat, qeveria britanike ka këshilluar të gjithë qytetarët e saj që të kthehen në shtëpi para kësaj date.
Zëdhënësi i Zyrës për të Huaj ka thënë se turistët britanikë në Spanjë duhet të kontaktojnë me linjën ajrore apo kompanitë turistike sa më shpejt që është e mundur për të ndryshuar datën e kthimit të udhëtimit të tyre.
Deri më tani në Spanjë janë infektuar 13,910 me koronavirusin e ri.
Thaçi: Të ndërmerren hapa për të ruajtur ekonominë
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, gjatë një takimi që ka zhvilluar me përfaqësuesit e shoqatave ekonomike në Kosovë tha se është e rëndësishme që të ndërmerren hapa për ta ruajtur ekonominë e këtij vendi.
Në një komunikatë për media, të lëshuar nga presidenca e Kosovës, thuhet se presidenti Thaçi ka biseduar me përfaqësuesit e shoqatave ekonomike për hapat që duhet ndërmarrë për t’iu ndihmuar punëtorëve dhe afaristëve kosovarë në rrethanat e krijuara pas përhapjes së koronavirusit të ri.
Koronavirusi godet rëndë ekonominë
“Pandemia e COVID-19 është sfidë për shëndetësinë, por edhe për ekonominë e Kosovës dhe të tërë globit. Është e rëndësishme që të ndërmerren hapa për ta ruajtur edhe ekonominë e vendit”, citohet të ketë thënë Thaçi.
BQK: Nuk ka rritje të kërkesës për para të gatshme
Sistemi bankar në Kosovë është duke funksionuar normalisht dhe nuk vërehet ndonjë rritje e kërkesës për para të gatshme, për shkak të shpalljes së pandemisë së shkaktuar nga koronavirusi, thonë zyrtarë të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) dhe të disa bankave komerciale.
Kushtrim Ahmeti, zëdhënës në BQK, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, tha se “për momentin, gjithçka është duke u zhvilluar normalisht, bankat kanë likuiditet të mjaftueshëm” dhe se “çështja e sistemit të pagesave është duke rrjedhur normalisht”.
Edhe liriana Tahiri, menaxhere në Zyrën për marrëdhënie me publikun në "Raiffaisen Bank”, i tha Radios Evropa e Lirë se “nuk është vërejtur ndonjë dallim nga numri i tërheqjeve që klientët i kanë bërë gjatë një dite të zakonshme, para se të krijohej situata e tanishme”.
“Çdo gjë është duke funksionuar normalisht sa u përket shërbimeve bankare si dhe shfrytëzimit të tyre nga ana e klientëve”, tha Tahiri.
- Më shumë hollësi mund të gjeni këtu.