Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar. 
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
13:23 28.3.2020

Borrell, Pompeo bisedojnë për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar kundër koronavirusit

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, biseduan përmes telefonit për nevojën e forcimit të bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër pandemisë së koronavirusit.

Në një komunikatë të publikuar të shtunën nga BE-ja thuhet se Borrell dhe Pompeo janë pajtuar që ndihma mjekësore për vendet më të rrezikuara duhet të rritet me shpejtësi.

“BE-ja dhe SHBA-ja kanë kapacitet për të kontribuar në mënyrë të konsiderueshme në përpjekjet ndërkombëtare për të trajtuar pandeminë", thuhet në deklaratën e BE-së.

Gjatë bisedës me Pompeon, Borrell po ashtu theksoi nevojën e ofrimit të informacioneve të sakta dhe transparente për qytetarët, në kohën kur janë duke u rritur shqetësimet dhe duke qarkulluar lajme të rreme për koronavirusin.

Pompeo, në llogarinë e tij në Twitter, tha se ka biseduar me Borrellin dhe se marrëdhëniet transatlantike “kanë rëndësi të madhe për shëndetin publik global dhe për avancimin e interesave të përbashkëta në Libi, Siri, Venezuelë dhe në Ballkanin Perëndimor".

Të premten është bërë e ditur se Departamenti amerikan i Shtetit ka ndarë afro 274 milionë dollarë fonde humanitare për të ndihmuar vendet e rrezikuara në luftën kundër koronavirusit.

Kosovës i janë ndarë 1.1 milion euro.

12:53 28.3.2020

Pezullimi nga puna në kohë pandemie

V.K. (emër i njohur për redaksinë e Radios Evropa e Lirë) është pezulluar nga puna nga punëdhënësi i tij në Kosovë, menjëherë pas marrjes së masave nga Qeveria e Kosovës për mbylljen e bareve, restoranteve dhe qendrave tregtare, për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

“Kam punuar në një restorant dhe në ditën që qeveria ka marrë vendim t’i mbyllë restorantet për shkak të virusit, neve na kanë lëshuar në shtëpi dhe na kanë thënë që nuk keni nevojë të vini në punë derisa t’ju thërrasim. Na kanë paguar për ato ditë të muajit sa kemi punuar dhe më nuk na kanë thirrur. Unë jam mbajtës i familjes”, thotë ai.

Artikullin e plotë mund ta lexoni këtu.

12:40 28.3.2020

Shkon në dhjetë numri i viktimave në Shqipëri

Në Shqipëri, në 24 orët e fundit kanë vdekur dy persona, duke e çuar në 10 numrin e viktimave nga koronavirusi.

Po ashtu, gjatë kësaj kohe janë testuar 79 persona për koronavirus, prej të cilëve 11 kanë dalë pozitivë.

Silva Bino, nga Instituti i Shëndetit Publik, njoftoi për të dhënat.

“Gjatë 24 orëve të fundit kanë ndërruar jetë dy pacientë në Spitalin Infektiv, një 67-vjeçar nga Tirana dhe një 72-vjeçare nga Vlora”, tha Bino.

Në Shqipëri, në total, janë 197 persona të konfirmuar me koronavirus.

12:19 28.3.2020

Mbi 5,000 viktima nga koronavirusi në Spanjë

Numri i viktimave nga koronavirusi në Spanjë ka kaluar 5,000, pasi autoritetet kanë raportuar për 832 vdekje në 24 orët e fundit.

Numri total i viktimave në këtë vend tani është 5,690, ndërsa i të infektuarve 72,248.

Në aspektin e viktimave, Spanja është aktualisht vendi i dytë i goditur më së keqi, pas Italisë.

Gjendja e jashtëzakonshme atje do të jetë në fuqi së paku deri më 12 prill.

Shumica e dyqaneve dhe e bizneseve janë mbyllur, ndërsa lëvizjet e njerëzve janë kufizuar në masë të madhe.

Ushtria spanjolle është angazhuar të pastrojë spitalet dhe objektet e tjera.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG