Ndërlidhjet

Blogu i pandemisë COVID-19

Raste të të infektuarve me koronavirus kanë raportuar mbi 180 vende. Përcilleni Radion Evropa e Lirë për informacionet e reja.

Koronavirusi i ri, që është një familje e gjerë virusesh, është shfaqur për herë të parë në Kinë, në fund të vitit 2019.

  • Shenjat kryesore të infektimit me të janë: temperatura e lartë, kolla dhe vështirësitë në frymëmarrje.
  • Sëmundja që shkakton koronavirusi, është emëruar COVID-19.
  • Përveç Kinës, raste me koronavirus kanë raportuar edhe mbi 180 vende të tjera të botës.
  • Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, në gjithë botën janë: 5,813,997 njerëz të infektuar, 360,389 të vdekur dhe 2,351,355 të shëruar. 
  • Shtetet e Bashkuara kanë 1,721,750 raste të prekura me koronavirus dhe 101,617 të vdekur.
  • Pas tyre vjen Mbretëria e Bashkuar me 37,919 viktima.
  • Kosova ka konfirmuar rastet e para me koronavirus më 13 mars.
  • Koronavirusi vjen nga një familje virusesh që mban emrin e dukjes së tij, sepse ka formën e një kurore.
  • Nga i njëjti grup virusesh vijnë edhe SARS dhe MERS - viruse që kanë shkaktuar epidemi në të kaluarën.
  • Rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për të parandaluar përhapjen e koronavirusit janë: larja e rregullt e duarve, mbulimi i gojës dhe hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, gatimi i plotë i mishit dhe vezëve dhe shmangia e kontaktit të ngushtë me personat që tregojnë simptoma të sëmundjeve të frymëmarrjes, si kollitje dhe teshtitje.
  • OBSH-ja e ka shpallur pandemi sëmundjen që shkakton koronavirusi, COVID-19.
  • Pandemia ndodh kur një sëmundje infektive përhapet lehtësisht nga personi në person, në shumë pjesë të botës.
15:28 3.4.2020

Numri i viktimave nga koronavirusi në Britani kalon 3,600

Britania regjistroi të premten edhe 684 viktima nga koronavirusi.

Lajmi u bë i ditur nga Departamenti i Shëndetësisë dhe Kujdesit Social.

Numri i përgjithshëm i viktimave në Britani tani është 3,605.

Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins, ky vend ka numrin më të madh të të infektuarve, pas Sheteve të Bashkuara, Spanjës, Italisë, Gjermanisë, Kinës, Francës dhe Iranit.

Lexoni edhe këtë:

Kryeministri britanik duhet të vazhdojë vetizolimin

15:14 3.4.2020

Dy viktima të reja me COVID-19 në Maqedoninë e Veriut

Dy viktima të reja nga koronavirusi janë regjistruar në Maqedoninë e Veriut.

Viktimat janë dy burra, njëri i moshës 68 vjeç nga Tetova dhe tjetri një 70-vjeçar nga Kumanova.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë, ata ishin të sëmurë kronikë.

Me dy viktimat e reja, numri i të vdekurve me koronavirus në Maqedoninë e Veriut ka arritur në 13.

Ndërkohë, janë regjistruar edhe 46 raste të reja të të infektuarve, duke e çuar në 430 numrin e përgjithshëm të personave me COVID-19 – sëmundjen që e shkakton koronavirusi.

Prej tyre, 11 janë punonjës shëndetësorë në spitalin e Kumanovës.

Tre nga të infektuarit janë nga reparti i rentgenit, tre nga reparti i kirurgjisë, një infermiere nga reparti i gjinekologjisë, një ndihmës dhe një mjek specializant nga reparti infektiv.

Shkup, Maqedoni e Veriut
Shkup, Maqedoni e Veriut

Drejtorja e spitalit, Snezhana Zaharieva, ka thënë se për gjendjen e krijuar është njoftuar Ministria Shëndetësisë, e cila pritet të dalë me masa, në ndihmë të spitalit.

Numri më i madh i të inektuarve me koronavirus është në Shkup, gjithsej 208 raste, kurse nga qytetet tjera me numrin më të madh janë: Kumanova (85), Dibra (49) dhe Prilepi (22).

14:58 3.4.2020

Pandemia do t’i kushtojë ekonomisë globale mbi 4 trilionë dollarë

Ekspertët botërorë të ekonomisë sugjeruan se ndikimi ekonomik i koronavirusit ka dalë në pah më ashpër seç pritej.

Boerge Brende, president i Forumit Botëror Ekonomik, tha se rimëkëmbja do të jetë e mundur vetëm përmes “veprimit të koordinuar global”.

Ai i bëri komentet pasi Banka Aziatike e Zhvillimit parashikoi se pandemia do t’i kushtojë ekonomisë globale 4.1 trilionë dollarë, ose aro 5 për qind e të gjithë aktivitetit ekonomik.

Kjo bankë, që është huadhënëse rajonale, tha se rritja në Azi ka të ngjarë të bie në 2.2 për qind në vitin 2020, nga 5.2 për qind sa ka qenë vitin e kaluar.

Ajo po ashtu parashikoi rënie vjetore të bruto prodhimit të brendshëm për rreth 10 për qind për Eurozonën.

Në përpjekje për të frenuar përhapjen e koronavirusit, shumë vende të botës kanë mbyllur ose kanë zvogëluar kapacitetet e kompanive prodhuese.

Kjo ka bërë që edhe çmimet e naftës të bien në nivele rekorde.

14:26 3.4.2020

Kryeministri britanik duhet të vazhdojë vetizolimin

Kryeministri britanik, Boris Johnson, do të mbetet i vetizoluar, pasi vazhdon të ketë simptoma të koronavirusit, përfshirë temperaturë.

Johnson ka dalë pozitiv në testin për koronavirus të premten e kaluar dhe është dashur të dalë sot nga vetizolimi.

“Edhe pse ndjehem më mirë dhe i kam kaluar shtatë ditët e izolimit, vazhdoj të kem simptoma të lehta”, tha Johnson në një video të postuar në Twitter.

“Kam ende temperaturë, kështu që në përputhje me këshillat e qeverisë, duhet të vazhdoj izolimin tim derisa të kalojë kjo simptomë”, shtoi Johnson.

Ai vazhdon të punojë nga shtëpia dhe, mëngjesin e së premtes, ka kryesuar një takim për koronavirusin.

Johnson po ashtu u bëri thirrje qytetarëve britanikë që të mos dalin nga shtëpitë.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG