Si është të jesh gazetar në kohën e koronavirusit?
Në kohën kur e gjithë bota duket se ka ngrirë në vend, mediat gumëzhijnë në përpjekje për të ofruar informacion për publikun mbi koronavirusin dhe dëmet që po shkakton aktualisht.
Por, si është te jesh gazetar sot?
Edhe në Kosovë, komuniteti i gazetarëve po përpiqet të adaptohet në kushte të reja pune.
Shumë nga institucionet, janë duke funksionuar me kapacitet të reduktuar dhe kjo e bën qasjen në informata më të rënduar.
Saranda Rama, gazetare hulumtuese në të përditshmen “Koha Ditore”, tha për Radion Evropa e Lirë se informacionet tjera, përtej atyre që kanë të bëjnë me pandeminë, vështirë sigurohen.
Tekstin e plotë mund ta lexoni këtu.
Peruja e kufizon lëvizjen në bazë të gjinisë
Peruja nisi me zbatimin e masave të rrepta kundër përhapjes së koronavirusit, duke kufizuar lëvizjen e njerëzve në bazë të gjinisë.
Burrat mund të dalin nga shtëpia të hënave, të mërkurave dhe të premteve; gratë mund ta bëjnë këtë të martave, të enjteve dhe të shtunave; të dielave nuk lejohet askush të dalë nga shtëpitë.
Panamaja ka ndërmarrë masa të ngjashme pak ditë më parë.
Peruja ka regjistruar mbi 1, 400 raste të të infektuarve me koronavirus, ndërsa 55 persona, të prekur me sëmundjen COVID-19 që e shkakton koronavirusi, kanë vdekur.
Rregullat e reja në Peru hynë në fuqi të premten dhe do të zgjasin deri më 12 prill, kur planifikohet të hiqet izolimi mbarëkombëtar, i vendosur më 16 mars.
Presidenti Martin Vizcarra ka thënë se masat e mëparshme të kontrollit kanë dhënë rezultate të mira, "por jo atë që shpresohej".
"Ne duhet të kemi më pak njerëz në rrugë çdo ditë", tha ai.
Ministri i Brendshëm, Carlos Moran, tha se policia dhe forcat e armatosura do t’i zbatojnë masat e reja.
Mbretëresha Elizabeth II do t’i drejtohet kombit
Mbretëresha britanike Elizabeth II do t’i adresohet kombit të dielën, bëri të ditur Pallati Bukinghem.
Adresimi do të bëhet përmes transmetimit të drejtpërdrejtë televiziv.
Mbretëresha i ka pezulluar detyrat e saj mbretërore.
Muajin e kaluar, ajo ka mbajtur një fjalim për shpërthimin e koronavirusit, duke thënë se Mbretëria e Bashkuar “është duke hyrë në një periudhë të shqetësimeve dhe pasigurive të mëdha”.
Adresimi i së dielës do të jetë i katërti i tillë gjatë mbretërimit të saj 68-vjeçar – përtej fjalimeve tradicionale në Ditën e Krishtlindjeve.
Tri fjalimet paraprake, Mbretëresha i ka mbajtur pas vdekjes së nënës së saj më 2002, para varrimit të Princeshës së Uellsit, Diana, më 1997, dhe për Luftën e Parë të Gjirit më 1991.
Të premten, autoritetet britanike kanë bërë të ditur se numri i viktimave nga koronavirusi në Mbretërinë e Bashkuar ka arritur në 3,605.
Numri i të infektuarve në këtë vend aktualisht është 38,168.
Mali i Zi dënon publikimin e emrave të të infektuarve me koronavirus
Mali i Zi e dënoi publikimin e emrave të të sëmurëve me koronavirus, duke thënë se me këtë veprim shkelen të drejtat themelore të qytetarëve.
Në mediat sociale është shpërndarë një listë me emrat e mbi 60 personave të infektuar nga Podgorica.
Në mesin e të dhënave të tjera janë publikuar edhe numri identifikues dhe viti i lindjes.
Qeveria malazeze u bëri thirrje autoritetetve përgjegjëse shtetërore që të hetojnë burimin e kësaj liste dhe t’i identifikojnë ata që shpërndajnë informacione të tilla.
"Presim që institucionet kompetente të ndërmarrin hapa urgjentë në këtë drejtim dhe të informojnë publikun për rezultatin e hetimit. Kujtojmë që kemi kërkuar të hetohet edhe çështja e 21 marsit, kur është bërë publike një listë e personave në izolim, me numra identifikimi", tha Qeveria malazeze përmes një postimi në Twitter.
Mali i Zi është bërë vendi i fundit në Evropë që ka raportuar rastet e para me koronavirus më 17 mars.
Aktualisht ka 160 të infektuar.