Vdekjet në Itali arrijnë në mbi 15,000
Italia ka konfirmuar 681 vdekje të tjera nga koronavirusi, duke çuar numrin e përgjithshëm në 15,362.
Numri ka rënë gradualisht në tetë ditët e kaluara.
Po ashtu numri i të infektuarve duket se gjithashtu është stabilizuar.
Në 24 orët e fundit ka pasur 2,886 të infektuar, duke e çuar numrin e përgjithshëm në 88.227 raste.
Që nga shpërthimi i pandemisë në Itali, të shëruar janë 20.996 njerëz.
Nju Jorku shënon 630 vdekje të reja nga koronavirusi
Në shtetin e Nju Jorkut në SHBA është shënuar rekord i vdekjeve nga koronavirusi i ri.
Në 24 orët e fundit janë regjistruar 630 vdekje, ka thënë guvernatori, Andrew Cuomo.
Numri i përgjithshëm i vdekjeve në këtë shtet të SHBA-së, ka arritur në 3.565.
Tani, shteti ka regjistruar 113.704 raste të të infektuarve, shumica prej të cilëve, 63,306 në qytetin e Nju Jorkut.
Shtetet e Bashkuara deri më tash kanë mbi 278,000 raste të të infektuarve me koronavirus dhe mbi 7,000 viktima.
Shteti i Nju Jorkut mbetet zona e goditur më së keqi dhe guvernatori Andrew Cuomo ka kërkuar ndihmë nga pjesët e tjera të SHBA-së.
Thaçi akuzon qeverinë për situatën e pandemisë në veri
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se situata e krijuar me pandeminë në komunat e veriut të Kosovës është e papranueshme.
Sipas tij kjo është rezultat i neglizhencës dhe papërgjegjshmërisë së Qeverisë së Republikës së Kosovës për t’i ndihmuar e mbrojtur qytetarët dhe integritetin territorial të Republikës së Kosovës.
Se çfarw thotë qeveria, lexoni artikullin e plotë këtu.
Tre oficerë të policisë në Mal të Zi janë infektuar me koronavirus
Policia malazeze njoftoi se 3 pjesëtarë të saj janë infektuar me koronavirus, ndërsa 73 të tjerë në izolim dhe tre në karantinë.
Drejtoria e Policisë vuri në dukje se ndërsa bëjnë punën me rrezik, policët në këtë situatë janë të ekspozuar ndaj rrezikut të viruseve, pasi ata janë një nga shërbimet e vijës së parë në mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.