Greqi: Një tjetër kamp refugjatësh futet në karantinë
Greqia ka futur në karantinë kampin e dytë me migrantë, pasi një 53-vjeçar ka dalë pozitiv në testin për koronavirus, ka njoftuar Ministria për Migracion e këtij shteti ditën e diel.
Burri afgan, i cili është infektuar, jeton me famijen e tij dhe qindra azilkërkues tjerë në kampin Malakasa.
Ai më pas është transferuar në spitalin e Athinës.
Testet e personave me të cilët ai ka qenë në kontakt do të vazhdojnë ndërkohë që Agjencia për Shëndetin Publik tenton të parandalojë përhapjen e virusit.
Të enjten, autoritetet kanë vënë në karantinë edhe kampin Ritsona në qendër të Greqisë, pasi 20 persona kanë rezultuar pozitivë në testet për koronavirus.
Greqia ka regjistruar rastin e parë me këtë virus në fund të muajit shkurt.
Prej atëherë, ky shtet ka raportuar për 1,673 persona të infektuar dhe 68 të vdekur si pasojë e sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi.
Autoritetet greke kanë vendosur ndalim të udhëtimit për të gjitha vendet jo anëtare të Bashkimit Evropian, por edhe për Gjermaninë, Britaninë, Italinë dhe Spanjën.
Këto masa pritet të kenë ndikim të madh në ekonomi, e cila momentalisht varet nga turizmi, për ta tejkaluar krizën e dekadës me borxhe të thella.
Shkollat i kthehen mësimit online në kohë të pandemisë
Mësuesja Liridona Mustafa është një nga shumë mësueset në Kosovë që i mëson fëmijët përmes metodave online. Ajo përdor softuerin Zoom për të komunikuar më nxënësit e saj të klasës së pestë të shkollës fillore “Meto Bajraktari” në Prishtinë.
Këtë mësim ajo e bën krahas mësimit që fëmijët e shkollave fillore marrin përmes televizionit publik, RTK.
Kjo metodë ka filluar të aplikohet në Kosovë dhe në shumë vende të botës që kur filloi përhapja e COVID-19 dhe filloi mbyllja e shkollave.
“Unë jam shumë optimiste që mësimi online do të ketë efektin e duhur, pavarësisht vështirësive që kemi hasur derisa e kuptuan të gjithë mënyrën e funksionimit, gjithsesi e rëndësishme është pjesëmarrja e të gjithë nxënësve,” thotë Mustafa për Radion Evropa e Lirë.
Por, sa efektiv është mësimi online?
Argumentet e ekspertëve i kuptoni duke klikuar këtu
Maroku liron 5,654 të burgosur
Mbreti i Marokut, Mohammed VI, ka falur 5,654 të burgosur dhe ka vendosur për marrje të masave me qëllim të mbrojtjes së të burgosurve tjerë nga shpërthimi i koronavirusit, ka thënë të dielën Ministria e Shëndetësisë në këtë shtet.
Të burgosurit janë zgjedhur në bazë të moshës, gjendjes shëndetësore, kohës së kaluar në burg dhe sjelljes së mirë, ka thënë mes tjerash ministria përmes një deklarate.
Ky shtet i Afrikës Veriore ka konfirmuar deri të dielën 919 raste të prekura me koronavirus, duke përfshirë 59 vdekje nga kjo sëmundje.
Trump paralajmëron për “javën më të rëndë” të pandemisë me koronavirus
Presidenti amerikan, Donald Trump ka paralajmëruar amerikanët që të përgatiten për “javën më të rëndë” të pandemisë me koronavirus, teksa ka parashikuar rritje të numrit të vdekjeve.
Në njoftimin e tij ditor, Trump ka thënë se “do të ketë vdekje”, në ditët në vijim.
“Duket se do ta kemi javën më të rëndë në mes të kësaj jave dhe javës së ardhshme dhe do të ketë shumë vdekje fatkeqësisht, megjithatë shumë më pak nëse nuk do të arrihej kjo, por prapë do të ketë viktima”, ka thënë Trump.
Me qëllim të mbështetjes në luftën kundër sëmundesj Covid-19 që shkakton koronavirusi, Trump dhe administrata e tij kanë thënë se do të angazhojnë “një numër të jashtëzakonshëm të ushtrisë, mijëra ushtarë, punëtorë mjekësorë dhe profesionistë”.
Megjithatë për dallim nga paralajmërimet e tij, Trump ka sugjeruar për lehtësim të udhëzimeve për distancim fizik për Festën e Pashkëve.
“Neve na duhet ta hapin shtetin tonë sërish”, ka thënë Trump në një konferencë për media të shtunën në Shtëpinë e Bardhë.
Thirrjet e Trumpit për lehtësim të kufizimeve kanë ardhur në ditën kur numri i të infektuarve në Shtetet e Bashkuara ka kaluar shifrën 300,000, duke prekur shifrën më të lartë në botë.
Deri të shtunën janë regjistruar 8,500 vdekje, derisa Nju Jorku vazhdon të jetë epiqendra e përhapjes së sëmundjes.