EULEX ndihmon Shërbimit Korrektues të Kosovës me pajisje të IT-së
Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit - EULEX i ka dhuruar Shërbimit Korrektues të Kosovës pajisje të teknologjisë informative për të ndihmuar në rritjen e qasjes virtuale dhe telefonike për të burgosurit dhe për mundësimin e takimeve virtuale të stafit.
"Shefi i EULEX-it, Lars-Gunnar ëigemark, i dorëzoi Shërbimit Korrektues të Kosovës një donacion me 50 kompjuterë, 5 laptopë dhe 50 telefona mobil për të ndihmuar në rritjen e qasjes telefonike dhe virtuale për të burgosurit dhe për të lehtësuar takimet virtuale të stafit të shërbimit korrektues", thuhet në njoftimin e EULEX-it.
Konfirmohet rasti i parë me koronavirus në KFOR
Të premten është konfirmuar rasti i parë i testimit pozitiv të COVID-19 midis personelit të KFOR-it në Kosovë.
"KFOR-i do të vazhdojë të kryejë misionin e tij të mandatuar nga Kombet e Bashkuara për të kontribuar në ruajtjen e një mjedisi të qetë dhe të sigurt dhe lirisë së lëvizjes për të mirën e të gjitha komuniteteve në Kosovë, ndërsa merr masa parandaluese për ndalimin e përhapjes së COVID-19, duke ndjekur drejtimet dhe udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë", thuhet në një komunikatë.
KFOR-i siguron se do të vazhdojë monitorimin dhe vlerësimin e situatës në bashkërendim të ngushtë me institucionet në Kosovë dhe bashkësinë ndërkombëtare, në mënyrë që të mundësojë sigurinë e personelit të vetë dhe të popullatës kosovare.
Kuvendi me seancë të jashtëzakonshme më 14 prill
Kuvendi i Kosovës pritet të mbajë një seancë të jashtëzakonshme në të cilën do të diskutohet për masat e rimëkëmbjes ekonomike nga pasojat e pandemisë së koronavirusit.
Kjo seancë e jashtëzakonshme do të mbahet me kërkesën e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës dhe deputetëve nënshkrues, thuhet në një komunikatë të kryesisë së Kuvendit të Kosovës.
“Në këtë seancë, pikë e rendit të ditës do të jetë propozimi dhe miratimi i masave konkrete ekonomike e financiare që duhet t’i ndërmerr Republika e Kosovës për të tejkaluar sfidat e rimëkëmbjes ekonomike në adresimin e pasojave të pandemisë, me qëllim të përballimit sa më të suksesshëm të pasojave të shkaktuara (aktuale dhe të ardhshme)", thuhet në komunikatë.
Gjithashtu është shtuar që për mbajtjen e seancës do të sigurohen kushte, sipas rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës.
Pa kontratë pune, s'ka ndihmë nga Pakoja Emergjente
Punëtorët që nuk kanë kontrata, nuk paguajnë taksa dhe kontribute personale do ta kenë të vështirë të përfitojnë nga Pakoja Emergjente e qeverisë, kanë thënë zyrtarë qeveritarë.
Por, ata mund ta bëjnë një gjë të tillë nëse nënshkruajnë marrëveshje me punëdhënësin për së paku një vit.
Me këtë mekanizëm, qeveria planifikon të ulë informalitetin në sektorin e punës në Kosovë i cili sipas disa të dhënave të Bashkimit Evropian, ekonomia informale është baraz me 40 përqind të ekonomisë ose bruto prodhimit vjetor.
Artikullin e plotë mund ta lexoni këtu.