Policia e Kosovës ndalon 31 persona që shkelën orarin e lëvizjes
Policia e Kosovës është duke zbatuar planin për menaxhimin e situatës së krijuar nga pandemia e koronavirusit.
Në 24 orët e fundit, polica tha se ka ndaluar 31 persona në gjithë territorin e Kosovës, që nuk e kanë respektuar orarin e lëvizjes.
Kosova ka vendosur masa të reja të qarkullimit, në përpjekje për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Bazuar në masat e vendosura nga Minisitria e Shëndetësisë, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.
Orari i daljes është i organizuar në shtatë grupe, nga ora 07:00 deri në 22:30, dhe përcaktohet nga numri i parafundit personal në letërnjoftim.
Në Kosovë aktualisht janë 449 të infektuar me koronavirus, 11 viktima dhe 79 të shëruar.
Macron vë në dyshim trajtimin e koronavirusit në Kinë
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, vuri në dyshim mënyrën se si Kina po e trajton shpërthimin e koronavirusit.
Atje “kanë ndodhur gjëra, për të cilat nuk dimë”, tha Macron në një intervistë për gazetën Financial Times.
Sipas tij, “është naive të sugjerohet” se Kina po e trajon më mirë krizën.
Franca ka 141,000 raste të të infektuarve me koronavirus dhe gati 18,000 viktima.
Kina ka regjistruar 4,632 viktima.
I pyetur nëse sjellja autoritare e Kinës për të vënë shpërthimin nën kontroll ka ekspozuar dobësinë e demokracive perëndimore, Macron tha se nuk ka asnjë krahasim midis shoqërive të hapura dhe atyre ku e vërteta shtypet.
Lexoni edhe këtë:
Kosovë: Pesë të shëruar nga koronavirusi pritet të lëshohen nga spitali; dy në gjendje kritike
Ministria e Shëndetësisë e Kosovës bëri të ditur se sot do të lirohen pesë pacientë që janë shëruar nga koronavirusi.
Në njoftimin për media, të lëshuar të premten, thuhet se në Klinikën Infektive janë duke u trajtuar edhe 52 pacientë të tjerë të prekur nga koronavirusi.
Bëhet e ditur se 40 raste janë në gjendje stabile, 11 janë në trajtim me oksigjenoterapi dhe përkujdesje intensive, ndërsa dy raste janë në gjendje kritike dhe nën kujdes intensiv.
Gjatë ditës së enjte në Kosovë është raportuar për dy viktima si pasojë e sëmundjes COVID-19, që e shkakton koronavirusi.
Në bazë të të dhënave të fundit, në Kosovë janë gjithsej 449 raste të të infektuarve me koronavirus, 11 viktima dhe 79 të shëruar.
Vuhani i Kinës rrit numrin e viktimave nga koronavirusi
Qyteti Vuhan i Kinës, ku koronavirusi është shfaqur për herë të parë, e ka rritur numrin e viktimave nga kjo sëmundje për 1,290.
Me këtë shifër, numri i viktimave është rritur nga 2,579 në 3,869, përkatësisht për 50 për qind.
Autoritetet thanë se rishikimi është bërë për të adresuar disa vonesa dhe raportime të gabuara.
Vdekjet shtesë janë raste që u raportuan "gabimisht" ose u humbën plotësisht, thanë autoritetet.
Sipas Universitetit Johns Hopkins, me rishikimet e marra në konsideratë, Kina zyrtarisht ka mbi 83,700 të infektuar me koronavirus dhe mbi 4,600 viktima.
Ekspertët kanë vënë në dyshim infeksionet dhe vdekjet e raportuara nga Kina, duke vlerësuar se shifrat janë shumë të ulëta dhe jo të besueshme.
Ata gjithashtu kanë thënë se Qeveria e Kinës ka hezituar, veçanërisht në fillim, të raportojë rastet dhe shkallën e shpërthimit.
Uashingtoni e ka akuzuar Pekinin për fshehjen e shkallës së shpërthimit në ditët e para dhe për mospublikimin e të dhënave të sakta.
Kritika të ngjashme kanë bërë edhe Franca dhe Britania.
Koronavirusi, që e shkakton sëmundjen COVID-19, është përhapur në mbi 180 vende të botës.
Aktualisht janë mbi 2.1 milionë njerëz të infektuar dhe mbi 145,000 të vdekur.