Shtohen rastet për të katërtën ditë radhazi në Gjermani
Numri i të infektuarve me koronavirus në Gjermani është rritur për të katërtën ditë me radhë.
Shifrat e fundit, të publikuara nga Instituti Robert Koch, tregojnë se në 24 orët e fundit janë regjistruar 3,609 raste të reja.
Numri i viktimave ka arritur në 4,110, pasi 242 pacientë kanë humbur jetën në 24-orëshin e fundit.
Të premten, ministri i Shëndetësisë, Jens Spahn, tha se shpërthimi i koronavirusit në Gjermani është nën kontroll, pas një muaji izolim.
Ai tha se nga 12 prilli, numri i pacientëve të shëruar është vazhdimisht më i lartë se numri i të infektuarve të rinj.
Orët mësimore larg nxënësve
Si pasojë e përhapjes së koronavirusit, Ministria e Arsimit në Kosovë ka mbyllur shkollat dhe mësimi po zhvillohet në distancë. Njëra nga mësimdhënëset tregon se sa e vështirë është mbajtja e orës pa nxënës.
Kroacia zgjat izolimin për shkak të koronavirusit
Kroacia njoftoi të shtunën se do të zgjasë izolimin për shkak të koronavirusit edhe për 15 ditë të tjera.
Autoritetet atje i kanë mbyllur dyqanet, baret, restorantet, shkollat dhe transportin publik një muaj më parë.
Vetëm dyqanet ushqimore, barnatoret dhe stacionet e benzinës kanë mbetur hapur.
Ministri i Brendshëm kroat, Davor Bozhinoviq, tha se masat e izolimit do të vazhdojnë deri më 4 maj.
Ai tha se qeveria po i shqyrton edhe planet për rihapjen e ekonomisë, por duke i mbajtur njerëzit të sigurt.
Kroacia ka regjistruar mbi 1,800 raste me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.
Tridhjetenëntë pacientë atje kanë humbur jetën.
Nga fillimi i majit, Maqedonia Veriut planifikon lehtësimin e masave kufizuese
Maqedonia e Veriut, nga fillimi i muajit maj, do të nisë me lehtësimin e masave shtrënguese kundër koronavirusit.
“Ne po bëjmë një plan serioz, që pas 1 majit, të nisim me lehtësimin e disa prej masave, të cilat do të jenë në funksion të kthimit të jetës në normalitet”, ka deklaruar kryeministri Oliver Spasovski, i cili së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Venko Filipçe, dhe disa ministra të tjerë kanë mbajtur konferencën e parë për media përmes një platforme interneti, pasi të gjithë janë në vetizolim shtëpiak.
Ministri i Shëndetësisë, Venko FIlipçe, ka dhënë vlerësime pozitive për masat që janë ndërmarrë në luftën kundër koronavirusit.
Ai ka thënë se edhe pas lehtësimit të masave, do të kërkohet kujdes maksimal dhe përgjegjësi nga secili prej qytetarëve.
Në Maqedoninë e Veriut aktualisht janë 1,170 persona të infektuar me koronavirus, ndërsa kanë vdekur 49 pacientë.