Zvicra me deficit të lartë buxhetor për shkak të pandemisë
Deficiti i buxhetit të Zvicrës mund të arrijë në rreth 6%, tha ministri i Financave, Ueli Maurer.
Arsyeja për këtë, sipas tij, është papunësia e lartë dhe një paketë ndihme masive për bizneset e goditur nga kriza e koronavirusit.
Zvicra kishte një tepricë të buxhetit federal prej rreth 3.4 miliardë euro në vitin 2019 por, sikurse vendet e tjera të botës,vendi është detyruar të mbyllë pjesën më të madhe të ekonomisë gjatë javëve të fundit, për të frenuar përhapjen e sëmundjes.
Maurer tha se kriza do t'i kushtojë vendit rreth 4.7 miliardë euro në javë.
"Shkalla e papunësisë do të ketë një ndikim të madh në deficitin e buxhetit", tha Maurer në një konferencë për media në Bern.
Një vlerësim i plotë do të bëhet në tremujorin e tretë, por perspektiva duket e zymtë, tha ai.
Ekonomistët qeveritarë kanë thënë që shkalla e papunësisë në Zvicër mund të rritet në 4.5% këtë vit dhe 6% në vitin 2021.
Zvicra ka të konfirmuar 28,268 raste të të infektuarve me koronavirusin e ri.
Edhe diaspora është prekur nga kriza e koronavirusit
Në llogarinë e fondeve për menaxhimin e situatës së pandemisë së koronavirusit, e të cilën e në emër të Republikës së Kosovës, më 3 prill e ka hapur Thesari i Kosovës, në kuadër të Ministrisë së Financave dhe Transfereve, deri më 21 prill janë tubuar mbi 480 mijë euro, konfirmojnë zyrtarët e kësaj ministrie.
Drejtori i Përgjithshëm i Thesarit të Kosovës, Ahmet Ismaili, thotë për Radion Evropa e Lirë se pjesa më e madhe e të hyrave në këtë fond janë donacione të dhuruara nga mërgimtarët me prejardhje nga Kosova që jetojnë në vendet e huaja.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në këtë link.
Në SHBA, 46 mijë të vdekur nga koronavirusi
Të mëkurën numri i vdekjeve nga koronavirusi i ri në Shtetet e Bashkuara arriti në 46 mijë, raporton Reuters.
Sipas zyrtarëve të shëndettit Kalifornisë, që kryen dy autopsi, vdekja e parë në SHBA nga koronavirusi ndodhi disa javë më parë, sesa besohej më parë.
Shtetet e Bashkuara tani kanë numrin më të madh të rasteve të të infektuarve me koronavirusin e ri.
Autoritetet kanë njoftuar se numri i përgjithshëm është 815,000, pothuajse katër herë më shumë sesa Spanja, vendi me numrin e dytë më të lartë.
Murtezaj: Mbi 60 mijë punëtorë aplikojnë për kompensim të pagave
Mbi 60 mijë punëtorë të kompanive të ndryshme private në Kosovë, kanë parashtruar kërkesa për kompensim të pagave në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), në mënyrë që të përfitojnë nga pako emergjente fiskale e Qeverisë së Kosovës.
Ilir Murtezaj drejtor i përgjithshëm i ATK-se, tha për Radion Evropa e Lirë, se nga data 11 prill, kur ka filluar aplikimi në sistemin elektronik për përfitime nga pakoja fiskale, e deri më sot, në ATK kërkesa për kompensim dhe subvencionim të qirasë kanë paraqitur gjithsej 13,547 biznese.
Qeveria e Kosovës më 13 mars, ka marrë vendim për mbylljen e bizneseve për shkak të frenimit të përhapjes së sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi i ri.
Por, për t’iu dalë në ndihmë bizneseve dhe kategorive tjera të shoqërisë, Qeveria e Kosovës, me propozimin e Ministrisë së Financave dhe Transfereve, ka miratuar Pakon Emergjente Fiskale në vlerë prej 179,6 milion euro, e cila duhet të zbatohet nga ATK-ja.
Nga kjo vlerë 61 million euro janë ndarë për pagat e punëtorët në vlerë 170 respektivisht 130 euro për dy muajt e ardhshëm, që kanë humbur punën për shkak të pandemisë, subvencionim të qirasë për 50 për qind dhe kontributeve pensionale.