Bosnje dhe Hercegovina do të lehtësojë masat e kufizimit të lëvizjes
Bosnje dhe Hercegovina vendosi të lehtësojë masat e kufizimin të lëvizjes, të cilat janë vendosur për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Autoritetet lëshuan një urdhër që lejon personat nën 18 vjeç dhe ata mbi 65 vjeç të lëvizin në periudha të caktuara.
Personat mbi moshën 65 vjeç do të jenë në gjendje të lëvizin të hënën, mërkurën dhe të premten nga 9 e mëngjesit deri në ora 13, ndërsa personat nën 18 vjeç do të lejohen të lëvizin të martën, të enjten dhe të shtunën nga 2 pasdite në orën 20.
Këto masa janë efektive që nga data 27 prill.
Ndihmësministri i Shendetësisë i Federatës së Bosnje dhe Hercegovinës, Goran Çerkez, njoftoi se zbatimi i këtyre masave do të monitorohet, dhe do të anulohen nëse ndodhin përkeqësimetë caktuara epidemiologjike.
"Këto masa përfshijnë veshjen e maskave dhe mbajtjen e distancës", tha ai.
Më 22 prill 2020, Gjykata Kushtetuese e Bosnje dhe Hercegovinës nxori një vendim që deklaroi se ndalimi i lëvizjes për personat mbi 65 vjeç dhe nën moshën 18 vjeç shkelte të drejtat e njeriut.
Epidemia në Stamboll është nën kontroll, thotë ministri i Shëndetësisë
Ministri i Shëndetësisë në Turqi, Fahrettin Koca, tha se epidemia e koronavirusit, tani është nën kontroll, në qytetin më të madh të Turqisë, Stamboll, raporton AP.
Ai e krahasoi Stambollin me qytetin Vuhan të Kinë, ku për herë të parë shpërtheu epidemia në fund të vitit të kaluar.
"Stambolli ishte Vuhani turk", tha ai për gazetën Sabah, duke shtuar se epidemia në këtë qytet është vënë nën kontroll duke monitoruar kontaktet e bëra nga një ekip ekspertësh, si dhe duke i trajtuar ato në fazat e hershme të sëmundjes.
Ministri tha se ekspertët janë bërë "detektivë mjekësorë në gjurmimin e rasteve të reja" dhe shtoi se do të ishte shumë e vështirë që të parandalohej ndryshe përhapja e virusit.
Sipas të dhënave më të fundit në Turqi janë 101,790 raste me COVID-19, ndërsa 2.491 njerëz kanë vdekur.
Shkollat në Poloni vazhdojnë të qëndrojnë të mbyllura
Qeveria polake ka zgjatur deri më 24 maj mbylljen e shkollave dhe institucioneve parashkollore, tha ministri i Arsimit Dariusz Piiatkowski.
Piatkowski tha në një konferencë për media se po mendonte nëse do të ishte e mundur që disa institucione arsimore të ofronin shërbime të kujdesit ditor për fëmijë, por nuk dha më shumë detaje.
Më parë ishte planifikuar që mbyllja e sistemit arsimor për shkak të epidemisë së koronavirusit të zgjasë deri më 26 prill.
Uka: Mos e mendoni shtëpinë si burg
Në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë, psikologu Fitim Uka ka folur se si duhet menaxhuar koha në izolim. Ai ka theksuar se tashmë janë bërë rreth 200 psikologë, të cilët po ofrojnë ndihmë psikologjike falas, online, për të gjithë ata që kanë nevojë dhe shfaqin shenja të ankthit, depresionit, apo probleme të natyrës me shëndetin mendor.
Intervistën e plotë mund ta lexoni në këtë link.