Rritet numri i rasteve me koronavirus në Holandë
Në Holandë, numri i rasteve me koronavirusin e ri ka arritur në 37,845. Vetëm në 24-orët e fundit, në këtë shtet janë regjistruar 655 raste të reja me sëmundjen COVID-19, që shkaktohet nga koronavirusi.
Sipas Institutit të Shëndetit Publik, në Holandë 4,475 persona kanë vdekur si pasojë e koronavirusit. Ky Institut ka thënë se numri i rasteve me koronavirus mund të jetë më i lartë, por tani për tani, vetëm këto raste janë konfirmuar.
Sipas të dhënave të Universitetit Johns Hopkins numri i personave të infektuar në mbarë botën me COVID-19 është mbi 2,9 milionë, ndërkaq, mbi 203 mijë persona kanë vdekur.
Kryeministri britanik do të rikthehet në punë të hënën
Kryeministri britanik, Boris Johnson ka thënë se është gati që të rikthehet në punë të hënën.
Johnson për tre javë nuk ka qenë në krye të Qeverisë britanike, pasi gjendja e tij shëndetësore u përkeqësua. Ai, madje, për shkak të koronavirusit, kishte kaluar tri net në kujdes intensiv.
Sekretari i Jashtëm Dominic Raab, që ka zëvendësuar Johnsonin për këtë periudhë, tha për BBC, se rikthimi i Johnsonit, do të jetë një “shtytje për vendin”.
Edhe pse Raab e ka zëvendësuar kryeministrin, Johnson javën e kaluar kishte zhvilluar biseda me Mbretëreshën Elizabetë dhe presidentin amerikan, Donald Trump lidhur me pandeminë. Po ashtu, ai ka biseduar edhe me kabinetin e tij qeverisës lidhur me masat që duhet të ndërmarrë Britania në luftën kundër pandemisë së koronavirusit.
Xhamia e Mustafë Pashës pa besimtarë në Muajin e Ramazanit
Në xhaminë e Mustafë Pashës në Shkup, imami Mustafa Tarif ka falur i vetëm namazin e taravisë në mbrëmjen e 25 prillit, për shkak të masave të ndërmarra për ndaljen e përhapjes së koronavirusit.
Zëvendëskryeministrja suedeze: Pandemia është maratonë dhe jo sprint
Shteti i Suedisë ka qenë më i “relaksuar” se sa shtetet tjera, kur bëhet për masat kundër koronavirusit të ri.
Zëvendëskryeministrja Isabella Lovin tha për BBC se pandemia e koronavirusit është “maratonë dhe jo sprint (vrapim në distancë të shkurtër)”.
Ajo tha se është “mit” që Suedia nuk ka ndërmarrë hapa seriozë për të adresuar çështjen e pandemisë së koronavirusit.
Suedia ka ndaluar grumbullimin e më shumë se 50 njerëzve dhe ka ndaluar vizitat nëpër shtëpitë e kujdesit.
Ky shtet ka përqindjen më të lartë të vdekjeve nga koronavirusi i ri sesa shtetet tjera skandinave. Mbi 2 mijë persona kanë vdekur në Suedi, ndërkaq në shtetin fqinj, Norvegji, 193 persona kanë humbur jetën nga virusi.
“Unë mendoj se çdo shtet duhet të ndërmarrë masat e veta, por është vërtetë e frikshme nëse keni masa shumë të ashpra, të cilat nuk mund të mbahen në fuqi gjatë gjithë kohës. Ndoshta ju mund të keni një kundërefekt dhe njerëzit nuk do të respektojnë rekomandimet derisa të zbulohet vaksina dhe pandemia të ketë përfunduar. Ne nuk duam ta dobësojmë situatën”, zëvendëskryeministrja Lovin.