Egjipti mbyll për dy javë kisha e xhami
Egjipti ka urdhëruar mbylljen e përkohshme të të gjitha xhamive dhe kishave, teksa ky shtet tenton të shmangë mbledhjen e shumë njerëzve, me qëllim të luftimit të përhapjes së koronavirusit të ri.
Ministria për Çështje Fetare, që mbikëqyr më shumë se 100,000 xhami në këtë shtet, ka thënë më 21 mars se ka vendosur “të ndalë ceremoninë e lutjeve dhe të mbyllë të gjitha xhamitë” për dy javë.
Në një deklaratë tjetër, Kisha Ortodokse Kopte ka urdhëruar mbylljen e të gjitha kishave dhe pezullim të meshave për të paktën dy javë.
Kjo Kishë ka ndaluar edhe pjesëmarrjen nëpër ceremoni të varrimit, përveç familjarëve.
Në Egjiptin me popullsi 100 milionë banorëshe, të krishterët përbëjnë 10 për qind të kësaj shifre.
Nëpër rrjetet sociale njerëzit kanë kritikuar qeverinë për mosmbyllje të xhamive para Lutjeve të së Premtes, ngjarje e cila zakonisht mbledh shumë njerëz.
Deri më tani Egjipti ka regjistruar 285 raste të reja me koronavirus, duke përfshirë 8 persona të vdekur.
Ministria e Turizimit në këtë shtet, po ashtu ka njoftuar për mbylljen e të gjitha muzeve dhe zonave arkeologjike nga 23 marsi, deri në fund të muajit.
Presidentja e Gjeorgjisë shpall gjendje të jashtëzakonshme
Presidentja e Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili ka dërguar të shtunën në parlament një dekret për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme, teksa ky shtet synon të parandalojë përhapjen e koronavirusit.
Zurabishvili ka thënë se ky dekret ka hyrë në fuqi menjëherë.
Sipas Kushtetutës së Gjeorgjisë, parlamenti në Tbilisi duhet të votojë brenda 24 orëve nëse do ta miratojë apo jo dekretin.
Nëse parlamenti nuk miraton këtë masë, ajo do të anulohet.
Megjithatë, deputetët kanë thënë se do të votojnë në të mirë të dekretit.
Në orët e para të së shtunës, autoritetet në Gjeorgji kanë raportuar për katër raste të reja në 24 orët e fundit, duke e dërguar në 47 numrin total të të infektuarve.
Deri më tani nuk është raportuar për të vdekur nga koronavirusi në këtë shtet.
Shkon në 28 numri i të prekurve me koronavirus në Kosovë
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka njoftuar se të shtunën janë regjistruar edhe katër raste të prekura me koronavirusin e ri.
“Nga katër rastet e konfirmuara, njëri është rast i importuar nga Gjermania, i gjinisë mashkull, 32 vjeç me vendbanim në Bibaj-Ferizaj. Ndërsa tre rastet tjera pozitive janë raste kontakti, 2 prej tyre janë me vendbanim në Prishtinë femra të moshës 50 dhe 29 vjeçare dhe e treta me vendbanim në Gjakovë e gjinisë femër, 40 vjeçare. Të gjitha kontaktet janë të identifikuara”, është thënë në njoftim.
Duke përfshirë të dhënat e reja, në Kosovë deri më tani dihet për 28 persona të infektuar me Covid-19.
Lombardi: 546 persona të vdekur brenda një dite
Numri i të vdekurve nga koronavirusi në rajonin italian, Lombardi, territorin e prekur më së keqi nga kjo sëmundje, është rritur për 546 brenda ditës, duke arritur në 3,095, kanë thënë zyrtarët, sipas agjencisë së lajmeve, Reuters.
Kjo njëherësh shënon shifrën më të lartë të vdekjeve brenda një dite, prej kur ka shpërthyer virusi.
Shefi për Mirëqenie në Lombardi, Giulio Gallera, ka thënë se numri i të infektuarve në këtë rajon, që përfshin edhe kryeqytetin financiar të Italisë, Milanon, është rritur për 3,251 apo në total, 25,515.
Të premten, autoritetet italiane kanë thënë se numri i të vdekurve në këtë shtet, si pasojë e Covid-19, ka arritur në 4,032, duke shënuar numrin më të madh të të vdekurve në botë nga sëmundja, që fillimisht ka shpërthyer në Kinë.