Ndërlidhjet

Shqipëria blen dronë nga Turqia


Fotografi e realizuar gjatë ceremonisë së nënshkrimit të kontratës për blerjen e dronëve nga Turqia. Tiranë, 20 dhjetor 2022.
Fotografi e realizuar gjatë ceremonisë së nënshkrimit të kontratës për blerjen e dronëve nga Turqia. Tiranë, 20 dhjetor 2022.

Shqipëria ka nënshkruar një marrëveshje për blerjen e një flote të avionëve ushtarakë pa pilot nga kompania turke “Bayraktar”.

Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Niko Peleshi, tha se kjo ndihmë që vjen nga Qeveria turke ka rëndësi të madhe për sigurinë kombëtare, por edhe atë të aleancës së NATO-s.

Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes mes ministrisë shqiptare të Mbrojtjes dhe kompanisë turke “Bayraktar”, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se kjo marrëveshje është arritur falë partneritetit strategjik me Turqinë dhe për këtë falënderoi presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan.

Rama bëri të qartë se dronët do të përdoren edhe për misione ushtarake, por edhe policore dhe civile.

“Tre dronët që do të vijnë të parët do të jenë plotësisht të armatosur dhe të gatshëm për çdo rast dhe shpresoj që të mos ndodhë kurrë, por nuk jetojmë në kohë të sigurta. Kur siguria jonë kombëtare të jetë në kërcënim, do të jemi gati për luftë”, tha Rama.

Si Rama ashtu edhe Peleshi thanë se dronët do të ndihmojnë edhe për të monitoruar trafikun, por edhe territorin sa i përket kultivimit të kanabisit, zjarreve apo ndërtimeve pa leje, si dhe për të ndjekur personat e kërkuar.

Rama bëri të ditur se marrëveshja nuk është vetëm për të blerë dronët, por përfshin edhe mirëmbajtjen e tyre, trajnimin e më shumë se 30 personave, që do përzgjidhen me ndihmën e kompanisë “Bayraktar” për t’u përgatitur për të marrë funksionin e qendrës së kontrollit, që do jetë objekt i teknologjisë më të lartë në bazën ajrore të Kuçovës.

Në shtator të këtij viti Rama pati deklaruar se Shqipëria do të marrë gjashtë dronë të armatosur Bayraktar nga Turqia. Ndërsa, sot deklaroi se do të vijnë fillimisht tre dronët e parë, por nuk u deklarua shifër tjetër për në vijim.

Nuk dihet sa i ka kushtuar Shqipërisë një dron, por në shtator Rama pati folur për “çmim të leverdishëm”, pa dhënë shifër konkrete.

Interesim për dronët turq Bayraktar kanë shprehur edhe shtetet tjera, pasi ky mjet ka treguar sukses në disa fushëbeteja, përfshirë Ukrainën dhe Azerbajxhanin.

Të paktën 36 dronë të llojit TB2 janë blerë nga forcat e armatosura ukrainase.
Droni TB2 është zhvilluar në Turqi nga Selcuk Bayrakar, i diplomuar në Institutin e Teknologjisë të Masaçusetsit. Ai krahasohet me amerikanin Elon Musk, për avionin unik ushtarak që ka zhvilluar dhe për një prani në rrjetet sociale, ku shpesh është i egër ndaj kritikëve të tij.

Bayraktar, i cili është shef i teknologjisë në kompaninë e mbrojtjes “Bayraktar”, më 2016 është martuar me vajzën e presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ku ka qenë dëshmitar, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Bayraktar TB2 mund të qëndrojë në qiell deri në 27 orë dhe kjo mundësohet nga një motor i thjeshtë me helikë dhe po ashtu mund të fluturojë deri në 150 kilometra nga baza e tij. Kjo fluturake, po ashtu, mund të pajisjet me katër raketa të llojit të “mikro municioneve të mençura”, që janë mjaft të sakta për të shkatërruar automjete të blinduara nga disa kilometra distancë.

Dronët TB2 janë përdorur nga Turqia në ato që ajo i quan operacione “kundër terrorizmit” kundër militantëve kurdë, por edhe në luftën civile që ende po vazhdon në Libi. Por, ndikimi i tyre shkatërrues u pa gjatë konfliktit të vitit 2020 mbi rajonin e kontestuar të Nagorno Karabakut, kur dronët TB2 u përdorën nga Azerbajxhani kundër forcave etnike armene.

Por, ky dron shihet si revolucionar për shkak të kostos realitivisht të lirë dhe disponueshmërisë së lehtë. Dronët e mëdhenj ushtarakë të prodhuar nga Shtetet e Bashkuara, sikurse MQ-9 Reaper, kushtojnë dhjetëra-miliona dollarë dhe madje shtetet që mund të përballojnë një teknologji të tillë ka pak gjasa që mund t'i blejnë këto fluturake.

XS
SM
MD
LG