Ndërlidhjet

Shqipëria firmos me SHBA-në marrëveshje për gazin në vlerë prej 6 miliardë dollarësh

Tiranë, prill 2026.
Tiranë, prill 2026.

Një marrëveshje prej 6 miliardë dollarësh në fushën e sigurisë energjetike është nënshkruar në Tiranë në prani të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe ambasadores së Shteteve të bashkuara në Greqi, Kimberly Guilfoyle.

Marrëveshja u firmos mes kompanisë shqiptare Albgaz me dy kompanive të mëdha ndërkombëtare, njëra amerikane dhe tjetra greke.

Dokumenti parashikon zhvillim e Qendrës Energjetike të Vlorës dhe marrëveshjen kornizë për furnizimin me gaz të lëngshëm natyror, si hapa të rëndësishëm drejt diversifikimit të burimeve të energjisë dhe forcimit të pavarësisë energjetike, në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara, si edhe ndërveprim me Greqinë.

Nënshkrimit të marrëveshjes i parapriu një postim në X të ambasadores amerikane në Greqi, Kimberly Guilfoyle.

“... në Tiranë për të avancuar agjendën energjetike të presidentit të SHBA dhe për t’iu bashkuar kryeministrit Edi Rama për të marrë pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të një marrëveshjeje historike midis Shqipërisë, Venture Global dhe Aktor LNG USA për një marrëveshje 20-vjeçare për gazin e lëngshëm natyror amerikan”, theksoi ambasadorja.

Ajo tha se angazhimi prej 6 miliardë dollarësh forcon sigurinë energjetike dhe sigurinë kombëtare në të gjithë rajonin.

“Kur Shtetet e Bashkuara, Shqipëria dhe Greqia punojnë së bashku, ky rajon është më i lidhur, më i sigurt dhe më i begatë”, tha ambasadorja Guilfoyle.

Marrëveshja synon ndërtimin e infrastrukturës në Vlorë për importin e gazit të lëngshëm nga SHBA-ja dhe rigazifikimin e tij për furnizimin e Evropës Jugore.

Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës i Shqipërisë, Enea Kakaraçi, gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes tha se partneriteti me SHBA-në reflekton një vizion të përbashkët për të ndërtuar një të ardhme energjetike të sigurt dhe të qëndrueshme.

“Një shtyllë qendrore e këtij vizioni është zhvillimi i Qendrës Energjetike të Vlorës që është një komponent, një projekt shumë komponencial që do të ripërcaktojë rolin e Shqipërisë në këtë hartë energjetike”, tha ai.

Qendra Energjetike e Vlorës

Qendra Energjetike e Vlorës, parashikuar për të prodhuar 97 MW energji elektrike në vit u ndërtua në tetor të vitit 2011.

Qëllimi i tij ishte të prodhonte energji elektrike nga nafta/gazi dhe të ulte varësinë e Shqipërisë nga hidrocentralet dhe të zgjidhte problematikat me furnizimin me energji elektrike në kushtet e pikut të ngarkesës si dhe në kushtet e mungesës së reshjeve.

Projekti u financua nga Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, Banka Botërore, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim si dhe Banka Evropiane e Investimeve, BEI.

Vlera e projektit ishte 130 milionë euro. Pas përfundimit, pati probleme teknike serioze, kryesisht me sistemin e ftohjes, dhe që nga viti 2012 ka qenë kryesisht i mbyllur. Vitet e fundit, Qeveria shqiptare ka diskutuar disa plane për ta riaktivizuar, por nuk ka pasur asnjë vendim.

Ambasadorja amerikane në Athinë e cilësoi Shqipërinë një partnere të palëkundur të SHBA-së dhe vend me rëndësi të jashtëzakonshme strategjike për Ballkanin dhe Evropën.

“Presidenti Trump ka qenë kampion i zjarrtë i sigurisë energjetike. Vizioni dhe veprimet e tij kanë përforcuar faktin se ofrimi i një energjie të qëndrueshme forcon SHBA-në dhe aleatët tanë strategjikë. Administrata Trump e ka ngritur bashkëpunimin energjetik si shtyllë në mbarë botën. Dhe, nënshkrimi i sotëm është manifestim i prekshëm i kësaj përpjekjeje”, deklaroi Guilfoyle.

Ambasadorja gjithashtu theksoi se SHBA-ja mbështet Ballkanin që është më i ndërlidhur, më i sigurt në aspektin energjetik dhe më i begatë dhe Shqipëria, siç tha ajo, është thelbësore për këtë vizion.

Edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e cilësoi këtë marrëveshje me një rëndësi të jashtëzakonshme.

“Vlora do të kthehet në një pikë kritike për energjinë në Evropën Juglindore. Theksoj rëndësinë e nevojës të Shqipërisë e të Greqisë për të forcuar lidhjen tonë dhe bashkëpunimin në shumë mënyra, por posaçërisht sa i takon furnizimit me energji, prodhimit energjetik dhe rezistencës së pavarësisë energjetike. Duke pozicionuar Shqipërinë si ndërlidhëse, fluksi energjetik shkon përmes Ballkanit Perëndimor, kontribuon në stabilitetin e rajonit dhe ndikon në sigurinë energjetike të fqinjëve”, tha Rama.

Kryeministri shqiptar u shpreh se partneriteti midis Shqipërisë dhe SHBA-së, përçon sot një mesazh shumë të qartë se edhe vendet e të vogla mund të bëhen pjesë e zgjidhjes së sfidave më të ngutshme siç është nevoja për energji.

Kosova, ndërkaq, nuk ka rrjet gazsjellësish për shpërndarjen e gazit natyror e as sistem të ndërtuar institucional për menaxhimin e këtij sektori.

Por, në Strategjinë e Energjisë të Kosovës për periudhën 2022-2031 parashikohet mundësia që vendi të lidhet me rrjetet rajonale të gazit në të ardhmen.

XS
SM
MD
LG