Ndërlidhjet

Shqipëria refuzon kërkesën e Rusisë për largimin e diplomatëve nga Kievi

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha. Fotografi nga arkivi.
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha. Fotografi nga arkivi.

Shqipëria nuk do t’i bindet kërkesës së Rusisë, pasi ajo kërkoi largimin e diplomatëve dhe qytetarëve të huaj nga kryeqyteti ukrainas, Kiev.

Kërkesë të tillë, Rusia ka bërë edhe ndaj Shteteve të Bashkuara më 25 maj.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, e vlerësoi këtë njoftim të Rusisë si të “papranueshëm” dhe tha se Shqipëria nuk do të tërhiqet.

“Shqipëria e konsideron njoftimin e Rusisë, ku u bën thirrje personelit diplomatik dhe qytetarëve të huaj të largohen nga Kievi përpara sulmeve të planifikuara, si krejtësisht të papranueshëm. Kërcënimi i ambasadave nuk është diplomaci, është intimidim. Ai përfaqëson një tjetër shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe të Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike. Shqipëria nuk do të tërhiqet”, shkroi Hoxha në X.

Sipas tij, Shqipëria do të vazhdojë të mbështesë Ukrainë dhe ky qëndrim i është përcjellë të enjten ambasadorit të Rusisë në Tiranë, Alexey Zaitsev.

Kryediplomati Hoxha tha se përgjigja në luftën mes Rusisë dhe Ukrainës nuk mund të jetë më shumë luftë, “më shumë krime apo sulme pa dallim kundër civilëve dhe infrastrukturës civile”.

E vetmja rrugë përpara, tha ai, është t'i jepet fund luftës përmes angazhimit në negociata të vërteta dhe me mirëbesim për paqe.

Më 24 maj Rusia lëshoi qindra raketa dhe dronë ndaj kryeqytetit ukrainas, Kiev. Në mesin e caqeve të goditura ishte edhe rezidenca e ambasadorit shqiptar në Ukrainë, Ernal Filo.

Gjatë këtij sulmi masiv u vranë të paktën katër persona.

Shqipëria e hapi për herë të parë Ambasadën e saj në Kiev në tetor të vitit 2024, dy vjet pasi Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës.

Ky material është pjesë e rubrikave
XS
SM
MD
LG