Ndërlidhjet

Greva në arsim dhe kopshte “mobilizon” gjyshërit


Një burrë me mbesën e tij në shkup - Fotografi nga arkivi.
Një burrë me mbesën e tij në shkup - Fotografi nga arkivi.

Sindikata e arsimit dhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut kanë dështuar të arrijnë marrëveshje për rritjen e pagave për mësimdhënësit dhe punonjësit e kopshteve. Pas kësaj, kryetari i sindikatës, Jakim Nedelkov, tha se më 11 prill do të nisë greva e përgjithshme në arsimin parashkollor, fillor dhe të mesëm.

“Për fat të keq, nuk kemi të paktën një zgjidhje afatshkurtër për rritjen e pagave prej 18.4 për qind. Kërkesat tona nuk po merren seriozisht sikur që nuk merret seriozisht as greva përgjithshme më 11 prill, e cila mund të ketë pasoja shumë të rënda për të gjithë”, tha Nedelkov.

Nga Qeveria thanë se dialogu do të vazhdojë, por pa dhënë asnjë propozim për rritje të pagave me arsyetimin se kërkesa e sindikatës do të kishte pasoja mbi buxhetin e shtetit.

“Është e drejtë legjitime e çdokujt që të protestojë apo të hyjë në grevë, por sa i përket kujdesit të fëmijëve, ata duhet të kujdesen pasi këtë e parasheh edhe Kushtetuta e vendit. Pra, kujdesi i tyre nuk guxon të ndërpritet”, ka deklaruar ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska.

Greva e paralajmëruar e stafit arsimor në shkolla dhe kopshte mund të shkaktojë probleme shtesë për shumë prindër, të cilët nuk kanë kujt t'ia lënë kujdesin për fëmijët e tyre.

Katerina K. është nënë e tre fëmijëve, dy prej të cilëve janë nxënës dhe njëri shkon në kopsht. Problemi i saj është se nëse sindikata dhe Qeveria nuk bien dakord për një zgjidhje të përbashkët në lidhje me rritjen e pagave në arsim dhe nëse greva do të fillojë, ajo tha se do të detyrohet t'i kërkojë punëdhënësit ditë pushimi, pasi mund ta humbë vendin e punës.

“Tashmë kemi filluar të bisedojmë edhe me prindërit e tjerë, për fëmijët e të cilëve nuk ka kush të kujdeset se çfarë do të bëjmë, kush do ta shfrytëzojë pjesën e mbetur të pushimit, kush do të hapë pushim mjekësor apo të kërkojmë ndihmën e prindërve tanë për t’u kujdesur për fëmijët. Më vjen shumë keq që puna ka arritur deri këtu”, tha Katerina.

Kryetari i sindikatës, Jakim Nedelkov, tha se greva do të zgjasë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre për harmonizimin e pagës minimale me pagat tjera në arsim.

Në Maqedoninë e Veriut, në arsimin fillor janë të punësuar rreth 20,000 mësimdhënës, ndërsa rreth 8,000 në arsimin e mesëm.

Sipas të dhënave të fundit të sindikatës, paga mesatare e arsimtarëve në arsimin fillor sillet në rreth 21,600 denarë (350 euro), ndërsa në arsimin e mesëm 22,500 denarë (365 euro).

Sindikata kërkon zbatimin e marrëveshjeve kolektive që, sipas saj, garanton paga dyfish më të larta, por, sipas Qeverisë, kjo do të paralizonte buxhetin e shtetit e rrjedhimisht një rritje e tillë do të shkaktonte edhe inflacion.

Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovana Trençevska, shpreson se deri më 11 prill do të arrihet marrëveshje me sindikatën që përkujdesja ndaj fëmijëve të jetë e sigurt, në të kundërtën ajo ka kërkuar nga komunat dhe drejtorët e çerdheve të gjejnë kuadër për t’i zëvendësuar punonjësit që do të futen në grevë.

Hasan Jashari, profesor universitar dhe ish-zëvendësministër i Arsimit, tha se mësimdhënësit janë në gjendje të pavolitshme për shkak të të ardhurave të ulëta, por, sipas tij, nga një grevë e mundshme pasojat do t’i bartin nxënësit dhe prindërit që kanë fëmijë nëpër kopshte.

Sipas tij, rritje të pagave duhet të ketë, por në faza.

“Duhet të gjendet një zgjidhje që të mos arrijmë deri aty që të ketë grevë, të ketë ndërprerje të mësimit, pra edhe mësimdhënësit duhet ta kuptojmë momentin, vështirësitë në të cilat ndodhet shoqëria, pra të mos ketë ultimatum në fund të vitit shkollor dhe nxënësit të bëhen viktima të këtyre çështjeve që nuk mund të zgjidhen aty për aty. Duhet të ketë një rritje, rritje graduale të pagave dhe deri në vitin e ri të arrijnë atë që duan”, vlerësoi Jashari.

Ndërkohë, në procedurë parlamentare janë edhe disa ndryshime në Ligjin për arsimin fillor që sipas partive në pushtet, mundësojnë rritjen e pagave, por edhe zgjidhjen e statusit të më shumë se 4,500 punonjësve të arsimit që punojnë me kontrata të përkohshme.

Por, ky propozim ligj është bllokuar nga opozita, e cila akuzoi pushtetin se përmes tij synon partizimin e arsimit, ndërsa rritja e pagave, sipas opozitës, do të ishte e papërfillshme.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG