Ndërlidhjet

Indonezia përballet me mungesa oksigjeni


Punëtorë shëndetësorë në Xhakartë të Indonezisë
Punëtorë shëndetësorë në Xhakartë të Indonezisë

Qeveria e Indonezisë i urdhëroi prodhuesit që t’i japin përparësi oksigjenit mjekësor, në kohën kur ky vend po përballet me rritje të numrit të rasteve me koronavirus dhe mungesa oksigjeni në disa qytete.

Një spital raportoi për vdekjen e 63 pacientëve, për shkak të mungesës së oksigjenit, shkruan BBC.

Indonezia është duke regjistruar më shumë se 25,000 raste të reja me koronavirus, çdo ditë.

Udhëtimet në rritje dhe varianti shumë ngjitës Delta i koronavirusit e kanë përkeqësuar krizën.

Indonezia është vendi më i prekur në Azinë Juglindore, me rreth 2.3 milionë raste të regjistruara pozitive dhe mbi 60,000 viktima.

Ekspertët paralajmërojnë se numrat e përgjithshëm mund të jenë shumë më të lartë, për shkak të testimeve joadekuate jashtë kryeqytetit Xhakarta.

Javën e kaluar, autoritetet kanë futur në izolim ishullin kryesor Java dhe ishullin turistik Bali.

Zyrtarja e Ministrisë së Shëndetësisë në Indonezi, Siti Nadia Tarmizi, tha se i ka kërkuar industrisë së gazit të rrisë prodhimin e oksigjenit mjekësor dhe u bëri thirrje njerëzve që të mos grumbullojnë rezerva.

Ka pasur raporte se njerëzit po përpiqen të sigurojnë privatisht bombola oksigjeni, për t’i trajtuar pacientët në shtëpi.

XS
SM
MD
LG