Ndërlidhjet

Skenarët e mundshëm pas vendimeve të Parlamentit të Republikës Sërpska


Parlamenti i Republikës Sërpska. Fotografi nga arkivi.

Kryesuesi i Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Zhelko Komshiq, njoftoi të mërkurën se do të deponojë kallëzim penal për shkak të konkluzioneve të Asamblesë Kombëtare të Republikës Sërpska (RS) për transferimin e kompetencave nga shteti te njësia.

Në një intervistë për agjencionin nga FENA, Komshiq tha më 15 dhjetor se do të paraqesë një kallëzim penal sapo konkluzionet të publikohen në Gazetën Zyrtare të RS-së.

Në ditën e tretë pasi Parlamenti i Republikës Sërpska (RS), entitetit të Bosnje e Hercegovinës (BeH) votoi konkluzionet për “transferimin e disa kompetencave nga institucionet e BeH-së në atë të nivelit të entitetit”, Përfaqësuesi i Lartë i bashkësisë ndërkombëtare në BeH, Christian Schmidt, dënoi “veprimet radikale politike dhe retorikën”.

Schmidt tha se veprimet e ditëve të fundit janë kërcënim për stabilitet në Bosnje e Hercegovinë dhe se ato rrezikojnë perspektivën e të gjithë qytetarëve, përfshirë qytetarëve të Republikës Sërpska.

Krahas dënimit të vendimeve që i solli Parlamenti i entitetit të RS-së, e që iu referohen “transferimit të kompetencave” në fushën e tatimit indirekt, drejtësisë, mbrojtjes dhe sigurisë, Schmidt nuk përmendi sanksione ose shfrytëzimin e ‘autorizimeve të Bonit’, sipas të cilave Përfaqësuesi i Lartë mund të imponojë apo ndryshojë ligjet, të zëvendësojë përfaqësuesit e zgjedhur politikë dhe zyrtarë të tjerë.

Në vend të kësaj, ai bëri thirrje për dialog.

“Jam i gatshëm të jap kontributin tim në këtë, në mënyrë të vendosur dhe të përgjegjshme. Dialogu ka përparësi mbi çfarëdo forme tjetër të veprimeve. Dialogu është esenca e demokracisë dhe kjo nevojitet që institucionet e Dejtonit të funksionojnë në interes të të gjithë qytetarëve”, citohet të ketë thënë Schmid sipas një njoftimi të publikuar më 13 dhjetor.

Çfarë u vendos në Banjallukë?

Bazuar në përfundimet e seancës së 10 dhjetorit, Parlamenti ngarkoi Qeverinë e Republikës Sërpska që në afat prej gjashtë muajsh t’i dërgojë Parlamentit për shqyrtim Ligjin për tatim mbi vlerën e shtuar, Ligjin për akciza, Ligjin për Këshillin e lartë Prokurorial dhe gjykatat si dhe disa ligje nga fusha e sigurisë dhe mbrojtjes.

Me hyrjen në fuqi të këtyre ligjeve, vendimet ligjore të cilat i trajtojnë këto fusha në territorin e gjithë BeH-së, nuk do të vlejnë më për Republikën Sërpska.

Paraprakisht, organi i njëjtë më 20 tetor miratoi Ligjin për ilaçe dhe pajisje mjekësore, i cili parasheh themelimin e agjencisë së këtij entiteti për ilaçe, e cila që nga viti 2009 vepron në nivel federal.

Në këtë seancë të Parlamentit u miratua edhe deklarata për parimet kushtetuese të Republikës Sërpska me çka saktësohet se “të gjitha ligjet të cilat i impononte Përfaqësuesi i Lartë, janë jokushtetuese”.

Prokuroria e BeH-së është përgjegjëse edhe për zbatimin e ligjit, të cilin në korrik e solli ish-Përfaqësuesi i Lartë në BeH, Valentin Inzko, me të cilin ndalohet mohimi i gjenocidit dhe krimeve të luftës.

Çfarë po ndërmarrin në Prokurorinë e Bosnje e Hercegovinës?

Prokuroria e Bosnjë e Hercegovinës tha për Radion Evropa e Lirë se “është duke i përcjellë aktivitetet dhe ngjarjet në kuadër të subjektit të përgjegjësisë së saj dhe do të ndërmarrë masa nëse tregohet nevoja për veprime të Prokurorisë së BeH-së”.

Pikërisht kompetencat e këtij institucioni të drejtësisë, bashkë me Gjykatën e BeH-së, Parlamenti i RS-së do që t’i transferojë nga kompetencat federale në ato të entitetit.

Këtij organi të drejtësisë i është drejtuar edhe kryesuesi i Presidencës së BeH-së, Zhelko Komshiq, me ftesën që me procedurë të përshpejtuar të fillohen proceset kundër individëve të cilët i miratuan këto konkluzione. Ai tha se me këtë “në mënyrë direkte rrezikohet përparimi kushtetues i Bosnjë e Hercegovinës dhe dëmtohet paqja e stabiliteti në këtë vend”.

Zhelko Komshiq, kryesues i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës.
Zhelko Komshiq, kryesues i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës.

Cilat mund të jenë pasojat ligjore?

Kasim Trnka, profesor i së Drejtës Kushtetuese, tha për Radion Evropa e Lirë se institucionet federale do të duhej të reagonin nëse Parlamenti i RS-së miraton vendime ligjërisht obliguese, por të cilat vënë në pikëpyetje përparimin kushtetues të BeH-së.

Ai përkujtoi që “orteku tashmë u nis” kur u miratua Ligji për agjencinë për ilaçe në RS. Megjithatë, theksoi se formalisht nuk është miratuar asnjë rregullore, por vetëm konkluzionet.

“Nëse do të ketë veprime konkrete lidhur me konkluzionet dhe Prokuroria vlerëson se nuk bëhet fjalë për sulm ndaj përparimit kushtetues, atëherë kemi të bëjmë me vepër penale”, vlerësoi Trnka.

Ai shtoi se në Kushtetutë shkruan se gjithçka e cila nuk përmendet ekskluzivisht si përgjegjësi e Bosnje e Hercegovinës, iu takon entiteteve. Menjëherë pas kësaj përmendet që entitetet janë të obliguara të fillojnë negociatat për transferimin e kompetencave ndaj Bosnje e Hercegovinës.

Trnka shpjegoi që BeH ka të drejtë të vendosë kompetenca nëse është e nevojshme që të ruhet sovraniteti, integriteti territorial dhe pavarësia politike. Ai tha se veprimet në Republikën Sërpska “nuk janë transferim i kompetencave”.

“Atëherë, gjithçka është e vërtetuar me ligje në nivel të BeH-së. Nuk mjafton të ketë vetëm pajtim politik, por duhet kërkuar ndryshimin e ligjit në nivel të Federatës”, tha Trnka.

Sipas tij, nëse do të ketë obligim ligjor, ekzistojnë mekanizmat për parandalimin e miratimit të ligjeve të këtilla, siç është Këshilli i popujve i RS-së apo Gjykata Kushtetuese e BeH-së.

Cilat janë pasojat ekonomike?

Njohësja e ekonomisë, Svetllana Ceniq, tha për Radion Evropa e Lirë se veprimet e reja do të kenë ndikim katastrofal për ekonominë, sidomos nëse do të ketë tërheqje nga sistemi i tatimit direkt.

“Tërheqja nga administrata nënkupton rënie në të ardhura. Po ashtu nënkupton edhe tatim të dyfishtë. Nëse Republika Sërpska fut TVSH-në e saj, ndërkaq Federata vazhdon punën me administratën aktuale, kjo nënkupton që do të ketë tatim të dyfishtë për ata që veprojnë në RS ose në Federatën e Bosnje e Hercegovinës”, tha Ceniq.

Ajo shtoi se kjo do të pasqyrohet edhe në pjesën tjetër të popullsisë, sepse gjithnjë e më shumë njerëz do të largohen nga vendi, pasi sipas saj, qytetarët nuk do të mund ta përballojnë pasigurinë dhe paqartësinë në vendin ku jetojnë.

Ndonëse, Millorad Dodik, anëtar i Presidencës së BeH-së dhe de facto lider i serbëve në Bosnje e Hercegovinë, paralajmëroi se në rast të sanksioneve do t’i drejtohet Rusisë dhe Kinës, Ceniq shpjegoi që kjo nuk është aspak zgjidhje ideale.

“Kina nuk ofron grante. Kina nuk jep kredi siç jepte Serbia, e më pas natyrisht këto kredi kanë çmime. Nga Rusia nuk pamë as kredi, sepse të njëjtat, të vogla apo të mëdha çfarëdo qofshin, nuk erdhën kurrë ”, theksoi Ceniq.

Ajo deklaroi se qytetarëve do t’iu bie fuqia e blerjes, produktet do të shtrenjtohen e prodhimet nga Republika Sërpska do të jenë edhe më pak konkurruese.

Ceniq theksoi se sanksionet për funksionarët nga RS-ja do të ishin në rregull, “qoftë edhe jozyrtare”.

“I keni parasysh, ato sanksionet e pavërejtshme që nganjëherë janë më të këqija sesa ato të paralajmëruara. Fillojnë t’iu injorojnë, nuk iu ftojnë në takime, para s’ka... nuk japin, por nëse diku ka para ato janë të shtrenjta sepse edhe ndërmjetësuesit botërorë përfitojnë nga situata të këtilla në shtete të këtilla”, vlerësoi Ceniq.

Qëndrimet e shteteve fqinje

“Duhet parë sa është manovër e sa dëshirë reale”, deklaroi kryeministri kroat, Andrej Pllenkoviq, i cili qëndroi për vizitë zyrtare në Bosnje e Hercegovinë më 13 dhjetor.

“Kroacia nuk dëshiron kurrfarë tendenca separatiste brenda BeH-së. Duam që vendi të funksionojë mirë, ky është qëndrim i yni i përhershëm, por po ashtu duam që të respektohet korniza kushtetuese e Dejtonit e cila u krijua në rrethana shumë të vështira, pas agresionit, pas luftës dhe natyrisht në atë moment ishte kompromis i të gjitha palëve”, theksoi Pllenkoviq.

Më 12 dhjetor, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq deklaroi nga Nishi lidhur me zhvillimet në Bosnje e Hercegovinë, se “Serbia nuk do të përzihet në çështjet e brendshme të shteteve të tjera” dhe se “politika e Serbisë është respektimi i integritetit territorial të Bosnjë e Hercegovinës dhe respektimi i integritetit të Republikës Sërpska në kuadër të BeH-së”.

Qëndrimet e partnerëve perëndimorë

Pas seancës së 10 dhjetorit, reaguan ambasadat e Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë e Italisë si dhe delegacioni i Bashkimit Evropian në BeH. Në një deklaratë të përbashkët, këto shtete porositën se vendimet e Parlamentit të RS-së paraqisnin një hap më shumë drejt përshkallëzimit.

“Pjesëtarët e koalicionit udhëheqës në Republikën Sërpska duhet të jenë të vetëdijshëm që vazhdimi tutje në këtë qorrsokak, i cili sfidon kornizën e Dejtonit, dëmton perspektivën ekonomike të entitetit, kërcënon stabilitetin e vendit dhe gjithë rajonit dhe kërcënon të ardhmen e BeH-së në Bashkimin Evropian”, u tha në deklaratë.

Me këtë rast, këto shtete përmendën se politikanët në Republikën Sërpska dhe në Federatën e BeH-së kanë rastin të vazhdojnë dialogun dhe urgjentisht të gjejnë zgjidhje. Ata i porositën liderët që të ndalen me retorikën nxitëse dhe të kthehen në institucionet shtetërore me kapacitet të plotë.

Përgatiti: Teuta Arifaj

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG