Ndërlidhjet

Spitali “Zhan Mitrev” në Shkup nën hetime për vdekjen e pacientëve prej hemofiltrimit


Pamje nga ambientet e spitalit "Zhan Mitrev"në Shkup, Maqedoni e Veriut. Fotografi ilustruese.

Prokuroria Publike e Maqedonisë së Veriut ka njoftuar të hënën për nisjen e hetimeve në spitalin privat të kardiokirurgjisë në Shkup, “Zhan Mitrev”, lidhur me dyshimet për trajtim joadekuat të pacientëve të sëmurë me COVID-19, të cilët kanë vdekur.

Njoftimi i prokurorisë erdhi pas transmetimit të një emisioni të rrjetit Laboratori për Gazetari Hulumtuese - IRL, i titulluar “Gjaku i papastër”.

Skandali, sipas raportit të këtij rrjeti hulumtues, ka të bëjë me trajtimin e të sëmurëve me COVID-19, të cilët i janë nënshtruar filtrimit të gjakut si terapi kundër kësaj sëmundjeje.

“Çështja i është caktuar prokurorit publik kompetent, i cili do të ndërmarrë veprime për verifikimin e pretendimeve për vepër penale kundër shëndetit të njerëzve”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Publike të Maqedonisë së Veriut.

Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë e këtij vendi ka urdhëruar kontrolle të jashtëzakonshme në këtë spital, derisa pret përfundimin e hetimeve për masa të mëtejme.

Qeveria i ka dhënë dy ditë afat Ministrisë së Shëndetësisë që të përgatisë raportin për të zbardhur sa më shpejt rastin.

“Kam mirëpritur veprimin e prokurorisë. Ministria e Shëndetësisë do të jetë e gatshme për bashkëpunim. Çdo gjë do të jetë transparente, presim të vijnë raportet nga institucionet relevante, për të parë nëse ka pasur parregullsi gjatë trajtimit të pacientëve”, ka deklaruar ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali.

Sipas hulumtimit të kryer nga IRL, trajtimi i tillë nga klinika ka qenë i jashtëligjshëm, por edhe ka infektuar shumicën e pacientëve me baktere vdekjeprurëse.

Sashka Cvetkovska, një nga gazetarët që kanë hulumtuar rastin, tha për mediat se “dyshimet bazohen në 24 tragjedi familjare”.

Sipas saj, denoncime në prokurori ka pasur edhe më parë, por nuk janë ndërmarrë masa.

“Vetëm sot nga mëngjesi, qytetarët na kanë dërguar fotografi nga katër kallëzime penale: njëri prej tyre nga Kosova, tre nga këtu. Rastet që i kemi punuar, bazohen në 24 tragjedi familjare”, ka thënë Cvetkovska.

Studimi klinik me metodën e hemofiltrimit në këtë klinikë, sipas hulumtimit, është bërë pa leje nga Agjencia shtetërore për Medikamente dhe Pajisje Mjekësore.

“Klinika 'Zhan Mitrev' është tronditur nga reagimet e opinionit”, thuhet në reagimin me shkrim të spitalit.

Aty shtohet se ky “informacion është i fabrikuar për të krijuar një imazh të rremë”.

Spitali thotë se ka punuar për të mirën e qytetarëve prej 22 vjetësh, duke ofruar shërbime të certifikuara me standarde botërore.

XS
SM
MD
LG