Ndërlidhjet

Sulmi ndaj Iranit “vetëm do ta ngurtësojë qëndrimin e Rusisë ndaj Ukrainës”

Presidenti rus, Vladimir Putin, takoi udhëheqësin suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei, gjatë një vizite në Iran në vitin 2017.
Presidenti rus, Vladimir Putin, takoi udhëheqësin suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei, gjatë një vizite në Iran në vitin 2017.

Sulmet e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit ndaj Iranit dhe vdekja e Ajatollah Ali Khameneit, mësa duket, do të kenë pak efekt në fushën e betejës në Ukrainë, por mund ta bëjnë presidentin rus, Vladimir Putin, “edhe më të vendosur për të dalë fitimtar” në luftën në Ukrainë, thotë për Radion Evropa e Lirë Hanna Notte, eksperte për lidhjet Rusi-Iran.

Notte, drejtoreshë për Euroazinë në Qendrën James Martin për Studimet e Mospërhapjes, foli pë REL-in më 1 mars.

Radio Evropa e Lirë: Kjo që po ndodh, vjen pas rënies së ish-presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, dhe ish-udhëheqësit të Venezuelës, Nicolas Maduro… Pra, sa e madhe është kjo goditje - pas situatave në Siri dhe në Venezuelë - për Rusinë apo për pozitën dhe prestigjin global të presidentit rus, Vladimir Putin?

Hanna Notte: Mendoj se ka dy mënyra për ta parë çështjen… Nga njëra anë, është vështirë të argumentohet se kjo nuk është një goditje për reputacionin e Rusisë, sepse tani kemi parë një sërë veprimesh kundër partnerëve dhe aleatëve të Rusisë - Assad, Maduro, Khamenei - që e bëjnë Rusinë të duket mjaft pasive.

Pra, janë disa partnerë rusë që janë nën presion. Ka shqetësim në Rusi se Kuba mund të jetë e radhës këtë vit. Ajo do të ishte aleatja e katërt ruse që do të vihej nën presion. Kjo është një gjë.

Mbulim direkt i zhvillimeve në Lindjen e Mesme

Por, nëse pyesim për pasojat konkrete dhe të prekshme për Rusinë, atëherë jam më pak e sigurt se kjo do të ketë vërtet pasoja për pozicionin global të Rusisë. Dhe, do t’ju jap disa arsye. E para është se nuk mendoj se këto zhvillime kanë një ndikim të drejtpërdrejtë në aftësinë e Rusisë për të vazhduar luftën kundër Ukrainës. Mendoj se mënyra se si përfundon lufta në Ukrainë dhe si i shkon Rusisë në këtë konflikt, është prova e vërtetë e fuqisë së Rusisë - jo ajo që ndodh në Venezuelë apo Iran, por ajo që ndodh në Ukrainë.

Dhe, në fakt, nëse amerikanët përfshihen në një luftë të zgjatur në Lindjen e Mesme, atëherë një gjë e tillë mund ta lehtësojë disi presionin mbi Rusinë në Ukrainë. Pra, kjo është gjëja e parë që duhet thënë.

Pastaj, mendoj se kur bëhet fjalë për qëndrimet joperëndimore ndaj Rusisë dhe çështjen nëse reputacioni i Rusisë vuan për shkak të paaftësisë së saj për të mbrojtur partnerët, do të isha gjithashtu e kujdesshme për të nxjerrë ndonjë përfundim të prerë… Sepse, në Jugun Global ekziston një interpretim i luftës në Ukrainë, sipas të cilit Rusia nuk po lufton vetëm kundër Ukrainës, por kundër gjithë NATO-s.

Domethënë, ajo që do të dëgjoni, mendoj, në Jugun Global është: “Epo, sigurisht, Rusia nuk mund ta shpëtojë Maduron ose Iranin. Po bën një luftë në Ukrainë kundër gjithë Perëndimit”.

Pra, nuk jam e sigurt se reputacioni i Rusisë do të vuajë masivisht si rezultat i kësaj lufte.

Ajo që mbetet për t’u parë, është se çfarë do t’u bëjë kjo luftë interesave ruse në Lindjen e Mesme. Dhe, kjo do të varet shumë nga mënyra se si do të zhvillohet ajo, si dhe nga zhvillimet e brendshme në Iran.

Mendoj se e ardhmja e partneritetit Rusi-Iran do të varet nga shkalla në të cilën Irani do të dalë i dobësuar nga kjo luftë dhe kush do ta marrë udhëheqjen.

Nëse do të vazhdojë sundimi klerik ose nëse IRGC-ja (Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike) e merr përsipër, atëherë ka shanse të mira që partneriteti Rusi-Iran të zgjasë.

Por, nëse do të ketë ndryshim regjimi dhe udhëheqjen do ta marrin përsipër forcat që duan marrëdhënie më pragmatike me Perëndimin, me Shtetet e Bashkuara, atëherë kjo mund të ketë ndikim në marrëdhënien e Rusisë me Iranin. Por, është shumë herët të thuhet se ku po shkojmë në këtë drejtim.

Radio Evropa e Lirë: Ndoshta është e vështirë të thuhet, por a mendoni se ka shanse që kjo të vazhdojë me sundimin klerik apo me IRGC-në?

Hanna Notte: Thjesht, nuk e di. Mendoj se të gjithë po spekulojmë se çfarë do të ndodhë brenda Iranit gjatë javëve ose muajve të ardhshëm. Mendoj se, deri më tani, ka indikacione se strukturat e regjimit mbeten në vend, dhe se ai që mund ta zëvendësojë Khamenein, ka të ngjarë të konsiderojë një vazhdimësi në politikën e jashtme iraniane, në vend të një ndërprerjeje të plotë.

Por, gjithashtu, nuk e dimë se si do të shkojë kjo luftë gjatë ditëve të ardhshme. Mendoj se një çështje e rëndësishme për t'u ndjekur, do të jetë se kë tjetër do të shënjestrojnë Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli në aspektin e strukturave të lidershipit të lartë, nivelit të mesëm, nivelit të ulët - kush do të mbetet, në thelb, në fund të kësaj lufte? Çfarë lloj dinamikash të brendshme do të sjellë kjo?

Gjëja tjetër që do të them është se... shumë dinamika çuan në këtë pikë, por është gjithashtu realitet se situata ekonomike në Iran ka qenë absolutisht e tmerrshme për një kohë të gjatë dhe nuk është lehtësuar shumë nga mbështetja ruse ose kineze.

Mendoj se heqja e sanksioneve dhe rritja ekonomike do të jenë të domosdoshme që Irani të dalë i stabilizuar nga kjo situatë, dhe kjo mund ta shtyjë Teheranin drejt një qëndrimi më pragmatik ndaj Perëndimit. Megjithatë, gjithçka varet nga shumë faktorë të tjerë.

Dëme të konsiderueshme në bazat ushtarake të Iranit pas sulmeve ajrore Dëme të konsiderueshme në bazat ushtarake të Iranit pas sulmeve ajrore
Ju lutem prisni

Materiali aktualisht nuk është në dispozicion.

0:00 0:00:49 0:00

Radio Evropa e Lirë: Dhe, a mendoni se Rusia mund të bëjë diçka, ose ndoshta po bën diçka, në përpjekje që rezultati të shkojë drejt diçkaje që i mundëson asaj të ruajë një marrëdhënie të caktuar?

Hanna Notte: Ajo që dimë është se Rusia është shumë e shpejtë në ndërhyrjet për të shpëtuar interesat e saj - sapo të përballet me një situatë të padëshirueshme.

Pas ngjarjeve në Venezuelë, rusët menjëherë filluan të angazhojnë Delcy Rodriguezin dhe ndoshta elemente të tjera brenda sistemit venezuelian, për t’i ruajtur interesat e tyre.

Kjo ka ndodhur edhe në Siri, ku rusët, pas rënies së regjimit të Assadit, kanë ndërhyrë shpejt, për të ruajtur interesat dhe ndikimin e tyre. Këtë e kanë bërë me mjaft sukses në Siri.

Irani nuk do të jetë përjashtim nga ky rregull. [Rusia] do të përpiqet ta bëjë të njëjtën gjë. Por, e dini, për momentin kemi një luftë të nxehtë që po zhvillohet. Pra, mendoj se ka pak gjëra që rusët mund të bëjnë në këtë pikë, sepse ata, si të gjithë të tjerët, duhet të shohin se si do të zhvillohet ky operacion ushtarak...

Është e pamundur që Rusia tani të mund t'i ofrojë ndihmë ushtarake emergjente Iranit, ose të ofrojë mbrojtje ajrore, ose të ofrojë armë... Ndoshta mund të ofrojë mbështetje inteligjence, por, sa u përket pajisjeve ushtarake, nuk mundet.

Hanna Notte
Hanna Notte

Radio Evropa e Lirë: Kam edhe dy pyetje të tjera. Njëra lidhet me Ukrainën dhe idenë se dronët apo armët që Rusia merr nga Irani, nuk janë më një faktor i madh, ose nuk janë fare, sepse Rusia tani i prodhon vetë dronët dhe ka teknologjinë për ta bërë këtë.

A është e vërtetë që ky sulm ndaj Iranit ndoshta nuk do të ketë shumë efekt në terren? Por, pastaj pjesa e dytë e pyetjes… A ka shpresë në Kremlin se SHBA-ja do të shpërqendrohet dhe do të tërhiqet nga Ukraina, ose kjo ndoshta do të bëjë që SHBA-ja të ushtrojë më shumë presion mbi Ukrainën për t’i përmbushur kërkesat e Rusisë?

Hanna Notte: Sa i përket pyetjes së parë, po - vlerësimi im është se aftësia e Rusisë për të vazhduar luftën në Ukrainë, nuk varet shumë nga mbështetja iraniane në këtë pikë, për shkak të lokalizimit të prodhimit të dronëve Shahed.

Kjo nuk do të thotë se nuk ka pasur bashkëpunim në mbrojtje midis Rusisë dhe Iranit në të kaluarën e afërt, që i ka sjellë dobi Rusisë. Mendoj se ka ende disa dizajne të reja dronësh në të cilat ata bashkëpunojnë... por, në përgjithësi, aftësia për të prodhuar një numër të madh Shahed-ësh të përmirësuar - ato që i kemi parë që godasin infrastrukturën energjetike të Ukrainës - nuk varet më nga mbështetja iraniane. Ndaj, nuk shoh që lufta e Rusisë kundër Ukrainës do të ndikohet materialisht nga ajo që po ndodh me Iranin.

Dhe, sa i përket pyetjes së dytë - nga komentet e kufizuara që kemi parë të vijnë nga Rusia, mendoj se ka njëfarë shprese se përfitimi që mund t'i shtohet Rusisë nga kjo situatë, do të ishte një shpërqendrim i Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme, gjë që do t'i mundësonte Rusisë të arrinte një marrëveshje të dobishme në Ukrainë.

Radio Evropa e Lirë: Dhe, pyetja e fundit ka të bëjë kryesisht me Putinin… A është kjo një goditje personale për të, që tregon se SHBA-ja dhe/ose Izraeli mund të vrasin një udhëheqës të huaj? Njerëzit thonë se [vdekja e udhëheqësit libian, Muammar] Gadafi, ka pasur një efekt të madh te Putini. Mësa duket, ky ishte edhe një nga faktorët kryesorë që ai u rikthye në pushtet, në vend që ta linte [Dmitry] Medvedevin [në vitin 2012]. A mendoni se ky aspekt është një çështje e madhe për Putinin, dhe se kjo mund ta ndryshojë disi qëndrimin e tij ndaj Ukrainës, duke e bërë atë edhe më të vendosur për të marrë atë që dëshiron? Dhe, a mund ta ndryshojnë këto zhvillime qëndrimin e Putinit ndaj administratës Trump apo SHBA-së?

Hanna Notte: Së pari, do të thosha se nëse i lexoj saktë komentet e Putinit... ai ishte i ashpër në aspektin e karakterizimit të vrasjes [së Khameneit], por nuk e etiketoi drejtpërdrejt Trumpin ose Shtetet e Bashkuara.

Pra, për mua, kjo tregon se loja mbizotëruese e Putinit nga viti i kaluar - që është të mos e armiqësojë Trumpin dhe të përpiqet të qëndrojë në marrëdhënie të mira me Trumpin - nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë si rezultat i kësaj.

Nuk e shoh Putinin ose Kremlinin që, si rezultat i kësaj lufte dhe vrasjes së Khameneit, të kthehen kundër Shteteve të Bashkuara ose të jenë të përgatitur për përkeqësim të marrëdhënieve të tyre me Shtetet e Bashkuara. Mendoj se ajo që do të shohim është një vazhdim i kësaj retorike të dyfishtë nga ana ruse, sipas së cilës Ministria e Jashtme ruse dhe zëra të tjerë rusë do të lejohen t’i kritikojnë Shtetet e Bashkuara, ndërsa Putini dhe Kremlini do të përmbahen nga kjo.

Megjithatë, mendoj se është tronditëse për Putinin që të shohë lehtësinë me të cilën Trump mund të sulmojë dhe të kapë Maduron dhe pastaj të sulmojë Iranin [ku Khamenei u vra gjatë sulmeve ajrore amerikane dhe izraelite më 28 shkurt].

Mendoj se kjo është shumë e padëshirueshme nga pikëpamja e Kremlinit.

Përgatiti: Valona Tela
Kjo intervistë është redaktuar për gjatësi dhe qartësi.
XS
SM
MD
LG