Ndërlidhjet

Pasojat e sulmeve në Teheran.
Pasojat e sulmeve në Teheran.

SHBA thotë se qëllimi është shkatërrimi i raketave balistike iraniane teksa Teherani kërcënon transportin në Gjirin Persik

  • Shtetet e Bashkuara thanë se qëllimi i tyre është t'i shkatërrojnë raketat balistike të Iranit, ndërsa Teherani kërcënoi me sulme në Ngushticën e Hormuzit.
  • Izraeli dhe Hezbollahu shkëmbyen zjarr, ndërsa konflikti me Iranin zgjerohet. Sulme raportohen edhe në Bahrejn, Emirate të Bashkuara Arabe, Katar e Jordani.
  • Kryetari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Iranit, Ali Larijani, konfirmoi refuzimin e negociatave me Shtetet e Bashkuara, ndërsa presidenti amerikan, Donald Trump, u zotua se do ta ndëshkojë Teheranin me “forcën e plotë” të ushtrisë amerikane.
  • Sulmet e përbashkëta të Izraelit dhe SHBA-së ndaj Iranit nisën më 28 shkurt, me synimin për të ndalur programin bërthamor iranian. Në kundërpërgjigje, Irani goditi objektiva në vendet aleate të SHBA-së në rajon.
23:46 2.3.2026

Të dashur lexues, këtu po e mbyllim për sonte mbulimin tonë të drejtpërdrejtë të zhvillimeve në Lindjen e Mesme. Më poshtë mund ta lexoni një përmbledhje të shkurtër të ngjarjeve më 2 mars:

  • Në ditën e tretë të sulmeve, luftimet u përhapën më tej në Lindjen e Mesme, pasi Izraeli e Hezbollahu në Liban shkëmbyen zjarr.
  • Ndërkohë, Irani kreu sulme hakmarrëse ndaj Izraelit dhe bazave amerikane në vendet e rajonit, Bahrejn, Emirate të Bashkuara Arabe, Katar, Jordani dhe në Arabinë Saudite.
  • Një rafineri e madhe nafte në Arabinë Saudite u godit nga dronët dhe u përfshi nga zjarri si pasojë. Luftimet kanë bërë që çmimet e naftës të rriten në tregjet evropiane.
  • Gjashtë anëtarë të forcave të armatosura amerikane kanë vdekur pasi u plagosën rëndë gjatë sulmeve fillestare hakmarrëse të Iranit.
  • Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se synimi i Shteteve të Bashkuara është shkatërrimi i raketave balistike të Iranit.
  • Irani paralajmëroi se do t’ua “vërë flakën” anijeve tregtare që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit.
  • Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës njoftoi se qindra shtetas të Kosovës ndodhen në vende të Lindjes së Mesme dhe se asnjë prej tyre nuk është prekur nga luftimet e ditëve të fundit.
23:30 2.3.2026

Irani paralajmëron anijet që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit

Një zyrtar iranian ka thënë se Irani do t’ia “vërë flakën kujtdo që përpiqet të kalojë” përmes Ngushticës së Hormuzit.

Paralajmërimi vjen nga Ebrahim Jabbari, këshilltari i komandantit të përgjithshëm të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC), i cili foli në televizionin shtetëror.

Ai tha se ngushtica është e mbyllur dhe paralajmëroi anijet: “Nuk duhet të vijnë në këtë rajon. Ata natyrisht se do të përballen me një përgjigje serioze nga ana jonë”.

Jabbari shtoi gjithashtu se amerikanët janë “të etur për naftën e rajonit” dhe se Irani do “t’i godasë tubacionet e tyre në rajon dhe nuk do të lejojë që nafta të eksportohet nga kjo zonë”.

Ngushtica e Hormuzit është një nga rrugët më të rëndësishme detare në botë dhe pika më jetike e kalimit të naftës. Rreth një e pesta e naftës dhe gazit në botë kalon përmes kësaj ngushtice.

23:09 2.3.2026

Vdesin 6 anëtarë të forcave amerikane pas sulmeve nga Irani

Gjashtë anëtarë të forcave të armatosura amerikane kanë vdekur pasi u plagosën rëndë gjatë sulmeve fillestare hakmarrëse të Iranit, njoftoi Komanda Qendrore e SHBA-së më 2 mars.

Disa të tjerë mbeten të plagosur rëndë.

Presidenti amerikan, Donald Trump, paralajmëroi më herët se mund të ketë viktima të tjera.

“Fatkeqësisht, ka mundësi të ketë më shumë [viktima] para se të përfundojnë [luftimet]”, tha ai, duke shtuar se operacionet mund të zgjasin katër javë ose “derisa të arrihen të gjitha synimet tona”.

22:16 2.3.2026

Rubio: Qëllimi i SHBA-së është shkatërrimi i raketave balistike të Iranit

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, sapo ka folur.

Ai u tha gazetarëve: “Misioni ynë është shkatërrimi i kapaciteteve të tyre të raketave balistike dhe aftësisë së tyre për t’i prodhuar ato, si edhe eliminimi i kërcënimit që paraqet marina e tyre ndaj transportit detar global. Ky është qëllimi”.

Rubio shtio: “Nuk do të na vinte keq, nuk do të zhgënjeheshim, dhe shpresojmë se populli iranian do ta rrëzojë këtë Qeveri dhe do ta ndërtojë një të ardhme të re për vendin. Do të dëshironim shumë që kjo të ishte e mundur”.

“Por, synimi i këtij misioni është shkatërrimi i kapaciteteve të tyre të raketave balistike dhe kapaciteteve të tyre detare”, tha ai.

Marco Rubio.
Marco Rubio.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG