Zjarr në rafinerinë shtetërore të naftës në Arabinë Saudite
Ministria e Energjisë e Arabisë Saudite tha se një "zjarr i kufizuar" në rafinerinë Ras Tanura - e cila udhëhiqet nga kompania shtetërore e naftës së vendit, Aramaco - është vënë nën kontroll.
Deklarata - e ndarë nga Agjencia Saudite e Shtypit - bën të ditur se rafineria pësoi "dëme të vogla nga mbeturinat që binin", për shkak të kapjes së "dy dronëve në afërsi të saj".
Aty thuhet se zjarri u "trajtua menjëherë" nga shërbimet e emergjencës, pa të lënduar ose viktima.
Arabia Saudite, prej kohësh, shërben si bazë për forcat ushtarake amerikane dhe perëndimore.
Të shtunën, Qeveria e saj lëshoi një deklaratë duke dënuar "sulmet flagrante dhe frikacake të Iranit".
A rrezikohen furnizimet me naftë?
Të paktën 150 anije kanë ndaluar lundrimin në Ngushticën e Hormuzit, që është një rrugë kritike ujore për transportin global të naftës.
Çmimi i naftës Brent, që është standard global, është rritur deri në 10 për qind më 1 mars dhe analistët presin rritje të mëtejshme.
Izraeli thotë se ka vrarë zyrtarë të lartë të inteligjencës iraniane
Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) thanë se kanë vrarë zëvendësministrin e inteligjencës së Iranit për çështjet e Izraelit, Sayed Yahya Hamidi.
Jalal Pour Hossein, udhëheqës i divizionit të spiunazhit në Ministrinë e Inteligjencës, u vra gjithashtu, së bashku me "zyrtarë të tjerë të regjimit", thuhet në njoftim.
Detaje se si, kur ose ku u vranë nuk jepen.
Por, shtohet se selia e Ministrisë së Inteligjencës në Teheran u godit "pak kohë më parë".
Zelensky: Mundësia për ndryshim në Iran duhet të shfrytëzohet siç duhet
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se është e rëndësishme që “mundësia për ndryshim në Iran” të shfrytëzohet siç duhet.
Në një postim në rrjetin X, Zelensky shtoi se është e rëndësishme që “vendosmëria” e Amerikës ndaj Iranit të jetë efektive.
Ai iu referua sulmeve të përbashkëta ushtarake të SHBA-së dhe Izraelit në Iran, ku mbeti i vrarë edhe lideri suprem i këtij vendi, Ali Khamenei.
Zelensky theksoi se “populli iranian ka qenë prej kohësh pothuajse i vetëm përballë dhunës” dhe fajësoi Qeverinë e Republikës Islamike për situatën aktuale.
Ai shtoi se agjencia ukrainase e inteligjencës dhe Ministria e Jashtme po ndjekin nga afër zhvillimet në Iran dhe se Kievi po vepron “në koordinim me partnerët” sa u përket hapave të tij në këtë drejtim.