Pamjet satelitore tregojnë dëme të mëdha në objektivat ushtarake të Iranit
Fotografitë e publikuara më 1 mars, tregojnë dëme të konsiderueshme në bazat e raketave, radarët dhe objektet për avionë në Iran, pas një vale sulmesh ajrore të koordinuara nga SHBA-ja dhe Izraeli. Disa fotografi tregojnë edhe kompleksin në Teheran të liderit suprem iranian, Ajatollah Ali Khamenei, i cili u vra në një sulm më 28 shkurt.
Grossi: Nuk ka tregues se objektet bërthamore të Iranit janë sulmuar
Drejtori i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore, Rafael Grossi, i tha bordit të guvernatorëve të organizatës se "nuk ka asnjë tregues se Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara kanë sulmuar objektet bërthamore të Iranit".
"Nuk kemi asnjë tregues se ndonjë nga objektet bërthamore është dëmtuar ose është shënjestruar", tha ai.
"Përpjekjet për të kontaktuar zyrtarët iranianë për çështje bërthamore janë duke vazhduar dhe, deri më tani, nuk kemi marrë asnjë përgjigje", shtoi ai.
Grossi e përshkroi situatën në Lindjen e Mesme si "jashtëzakonisht shqetësuese" dhe bëri thirrje për "përmbajtje maksimale".
"Edhe një herë, u bëj thirrje të gjitha palëve që të ushtrojnë vetëpërmbajtje maksimale, për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve", tha Grossi.
Britania i ndihmon aleatët me ekspertë për neutralizimin e dronëve
Kryeministri britanik, Keir Starmer, njoftoi se Mbretëria e Bashkuar do të dërgojë ekspertë, përfshirë edhe nga Ukraina, për t'i ndihmuar partnerët në Gjirin Persik në neutralizimin e dronëve iranianë.
Starmer theksoi se forcat iraniane kanë sulmuar një bazë ushtarake në Bahrejn, duke rrezikuar jetën e personelit britanik, edhe pse Britania nuk ishte e përfshirë në sulmet kundër Iranit.
“Partnerët tanë në Gjirin Persik na kanë kërkuar të bëjmë më shumë për t’i mbrojtur”, tha Starmer.
“Ne nuk po u bashkohemi këtyre sulmeve, por do të vazhdojmë me veprimet tona mbrojtëse në rajon. Gjithashtu, do të dërgojmë ekspertë nga Ukraina, së bashku me ekspertët tanë, për t’i ndihmuar partnerët tanë në Gjirin Persik që t'i neutralizojnë dronët iranianë që i sulmojnë”, shtoi ai.
Gjysmëhëna e Kuqe: Më shumë se 550 persona të vrarë në Iran
Organizata iraniane Gjysmëhëna e Kuqe njoftoi të hënën se 555 persona janë vrarë në sulmet e përbashkëta të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit.
Sipas raportit të saj, 131 qytete janë përfshirë nga sulmet që nga dita e parë e tyre më 28 shkurt.
Gjysmëhëna e Kuqe shtoi se operacionet e shpëtimit, ndihmës, transportit dhe shërbimeve mjekësore janë duke vazhduar.