Ndërlidhjet

Përpjekje për koordinim para takimit në Paris


Takimi ndërmjet presidentit Hashim Thaçi dhe delegacionit nga Franca dhe Gjermania.

Kosova është duke i bërë përgatitjet që në takimin e Parisit, i cili pritet të mbahet më 1 korrik, me qëndrime të koordinuara, kanë deklaruar zyrtarët e krerëve institucionalë të Kosovës.

Gjatë ditës së hënë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, e kanë pritur delegacionin ndërqeveritar të Francës dhe Gjermanisë, të cilët kanë ardhur në Kosovë për të diskutuar për përgatitjet lidhur me takimin e Parisit, ku presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel, do të jenë nikoqire të delegacioneve të Kosovës dhe të Serbisë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas takimit me delegacionet nga Franca dhe Gjermania, ka theksuar se pret që takimi i Parisit t’i hapë perspektivë të sigurt vazhdimësisë së dialogut dhe mundësisë për arritjen e marrëveshjes përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por edhe perspektivës evropiane të Kosovës.

Thaçi theksoi se taksa doganore prej 100 për qind për mallrat e importuara të Serbisë, të cilën e ka vendosur Qeveria e Kosovës, do të mbetet, por gjithashtu shtoi se marrëveshjet e arritura në Bruksel, në vitin 2013, duhet të respektohen nga të gjitha palët.

“Shpresoj se do të ketë një përkushtim serioz edhe në javët e ardhshme që kanë mbetur, në mënyrë që të jetë një koordinim i plotë, që të ketë reflektim konkret të angazhimeve tona në procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, si dy vende sovrane”, ka theksuar Thaçi.

Ai ka shtuar se, bazuar në frymën e diskutimit që është zhvilluar në takimin me delegacionet nga Franca dhe Gjermania, ekziston një angazhim më serioz, të një koordinimi gjithë evropian, por edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si kusht i domosdoshëm për suksesin e procesit.

Kryeministri Ramush Haradinaj, përmes një shkrimi në rrjetin social Faceboook, ka theksuar se me delegacionin ndërqeveritar të Francës dhe Gjermanisë kanë diskutuar për rrjedhën e Samitit të Berlinit dhe parapërgatitjet për vazhdimin e angazhimit në takimin e radhës në Paris.

“Kosova është gati për marrëveshje gjithëpërfshirëse, për njohje reciproke me Serbinë në kufijtë aktualë, dhe mirëpresim fokusin e Gjermanisë dhe Francës për të rikthyer dialogun në binarët e duhur”, ka thënë Haradinaj.

Për më shumë, Meliza Haradinaj, këshilltarja e kryeministrit të Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se përgatitjet për takimin e Parisit kanë filluar.

“Po punohet intensivisht në përgatitjen dhe koordinimin e temave të mundshme me interes për Kosovën, ndërsa presim ende të qartësohet formati dhe detajet tjera të takimit”, ka thënë Haradinaj.

Ajo ka shtuar që meqenëse tashmë Kosova e ka Delegacionin shtetëror të mandatuar nga Kuvendi i Kosovës për dialogun me Serbinë, “kryeministri në Berlin ka propozuar që në Paris, Delegacioni i Kosovës të përfaqësohet edhe nga bashkëkryesuesit e Ekipit shtetëror, përveç krerëve institucionalë, presidentit, kryeparlamentarit, dhe kryeministrit”.

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka theksuar se qëndrimet e delegacionit të Kosovës janë unike dhe ato paraqesin qëndrimet e qytetarëve të Kosovës, që ndërlidhen me mandatin kushtetues për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial.

“Në Samitin e Parisit do të shkojmë edhe më të përgatitur. Ajo çfarë është pozitive, Gjermania dhe Franca tani më do të jenë edhe më të përfshira në procesin e dialogut (me Serbinë), ku do të jenë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sigurt. Qëndrimet tona në këtë proces janë ato, të cilat i kemi bashkërisht edhe me partnerët tonë perëndimorë. Shteti dhe sovraniteti janë të pacenueshëm, liberalizimi i vizave duhet të ndodhë, si dhe marrëveshja historike me Serbinë është në interesin e të gjithë qytetarëve tanë që të ndodhë”, theksoi Veseli.

Veseli u ka bërë thirrje partive opozitare që të jenë pjesë e komunikimit dhe bashkëpunimit në proceset që e presin Kosovën.

Në anën tjetër, njohësi i zhvillimeve politike, Artan Muhaxhiri, thotë për Radion Evropa e Lirë që në Samitin e Berlinit është shpërfaqur mungesa e koordinimit dhe e unitetit të delegacionit të Kosovës, kryesisht ndërmjet presidentit Thaçi dhe kryeministrit Haradinaj, e cila kryesisht ka pasur të bëjë me çështjen e taksës prej 100 për qind për importin e mallrave të Serbisë, si dhe për idenë e ‘korrigjimit të kufirit’ , si mundësi e arritjes së një marrëveshjeje paqeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Siç thotë Muhaxhiri, tashmë është e qartë se po zhvillohet një protagonizëm dhe se presidenti dhe kryeministri, me deklaratat e tyre do ta rrisin, siç thotë ai, dozën e patriotizmit dhe nacionalizmit.

“Duket paradoksale, por tash do të ketë një koordinim të pavullnetshëm në mes presidentit Thaçi dhe kryeministrit Haradinaj, sepse, jo që e kanë bërë me një qëllim konstruktiv, mirëpo të dy liderët janë duke e parë se me pafuqinë e BE-së është krijuar hapësira për protagonizëm patriotik dhe nacionalist. Prandaj, të dy liderët e kanë rritur dozën e populizmit me synimin që të përfitojnë sa më shumë politikisht”, theksoi Muhaxhiri.

Ai ka shtuar se pjesë delegacionit të Kosovës në Paris duhet të jetë edhe Ekipi shtetëror për dialogun me Serbinë, në të kundërtën do t’i humbte kuptimi i ekzistencës së këtij ekipi.

Takimi në Paris, më 1 korrik, do të jetë në vazhdën e takimit të Berlinit, i cili u mbajt më 29 prill, i iniciuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG