Ndërlidhjet

Prishtina preferon përfshirjen direkte të SHBA-së në dialog


Takimi i sotëm i krerëve të shtetit dhe Ekipit negoicator, ku u bisedua për dialogun me Serbinë.
Takimi i sotëm i krerëve të shtetit dhe Ekipit negoicator, ku u bisedua për dialogun me Serbinë.

Lidershipi i Kosovës pret që në fazën e ardhshme të bisedimeve me Serbinë, do të këtë një përfshirje edhe më direkte të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në këtë proces.

Pas Samitit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Berlin, të mbajtur më 29 prill, ku ishte ritheksuar nevoja e vazhdimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për çka rolin e tyre mbështetës e ofruan edhe Gjermania e Franca, në Prishtinë është mbajtur takimi i radhës së akterëve të përfshirë në këtë proces.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli pas takimit me presidentin Hashim Thaçi, kryeministrin Ramush Haradinaj dhe Ekipin negociator, theksoi se dialogu më Serbinë është një proces i rëndësishëm, ndaj sipas tij, spektri politik duhet të jetë i unifikuar. Ngjashëm me takimet paraprake, edhe kësaj radhe aty munguan dy partitë më të mëdha opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje.

Veseli tha se Prishtina zyrtare mbështet vetëm ato bisedime që nuk prekin në sovranitetin e shtetit të Kosovës.

“Besojmë që në të ardhmen të ketë një involvim më direkt të SHBA-së. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe kështu do të jetë tërë jetën. Asnjëherë nuk do të flitet për sovranitetin e shtetit tonë. Ne po flasim për obligimet që duhet t’i marrë Kosova si shtet i pavarur dhe sovran ndaj qytetarëve të vetë, ndaj fqinjëve dhe ndaj Bashkimit Evropian. Qëllimi ynë fillestar dhe përfundimtar është Kosova në Organizatën e Kombeve të Bashkuara ”, theksoi Veseli.

I pyetur nga gazetarët për çështjen e taksës 100 për qind e vendosur tani e sa muaj nga Qeveria e Kosovës për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, Veseli tha se nuk do të merren vendime që do t’i vendosnin në pozita të papërshtatshme udhëheqësit e shtetit.

Kjo taksë, ishte marrë si pretekst nga Serbia për të braktisur dialogun dhe kushtëzuar rikthimin e saj në bisedime me shfuqizimin e vendimit.

“Taksa ka qenë vendimi më dinjitoz ndaj Serbisë. Taksa është dashur të konsumohet vetëm në raport me Serbinë. Kur e kam propozuar taksën 100 për qind, ka qenë përgjigje ndaj Serbisë, jo ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë apo Francës. Do të shkojmë gradualisht, por kurrë nuk do t’i nënshtrohemi Serbisë dhe (presidentit të Serbisë, Aleksandar) Vuçiqit”, theksoi Veseli, duke mos prezantuar një qëndrim të drejtpërdrejtë se do të pezullohet ajo jo vendimi.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi të cilët kanë qenë pjesë e këtij takimi nuk janë deklaruar pas takimit.

Por, të dy liderët janë deklaruar se presin zhvillime serioze ne Samitin e Parisit i cili pritet të mbahet më 1 dhe 2 korrik.

Haradinaj ka theksuar se Kosova duhet të koordinohet me Shtete e Bashkuara të Amerikës sa i përket procesit të dialogut me Serbinë.

“Sa i përket marrëdhënieve Kosovë – Serbi dhe finales, mendoj se qëndrimet janë formësuar. Nuk shkohet më për ndërrim të territoreve apo për lëvizje të kufijve, por shkohet për njohje reciproke. Për modalitet si ndihmohet dialogu tani më është qartësuar se nuk ka nevojë të diskutohet për taksën, pasi që dialogu po vazhdon dhe qëndrimet nuk kanë nevojë të diskutohen. Takimi i Parisit është takimi më serioz pasi që është bilateral dhe duhet të përgatitemi edhe ne edhe Serbia që të ndihmojmë veten”, ka thënë Haradinaj.

Ndërkaq, presidenti Thaçi në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë një ditë më parë është shprehur optimist se në takimin në Paris mund të ketë një qartësi dhe një dinamikë të re të angazhimeve për gjetjen e një mundësie për përmbylljen e dialogut mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë.​

Thaçi ka folur për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese, që sipas tij, mbyll të gjitha çështjet e hapura me mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, dhe që rezulton me njohje reciproke.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011. Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues i këtij procesi, ka kërkuar nga të dyja palët që të arrijnë një marrëveshje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve, e cila do t’u hapte rrugë të dyja shteteve në perspektivën evropiane.

Por, që kur Kosova ka vendosur taksën 100 për qind për produktet me origjinë nga Serbia, kjo e fundit është tërhequr nga bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se nuk do të ketë bisedime pa heqjen e taksës. Derisa, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se taksa do të mbetet në fuqi derisa Serbia ta njohë Kosovën.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë thënë se taksa është në kundërshtim me interesat amerikane.

Thirrje për heqjen e saj kanë bërë edhe zyrtarët e Bashkimit Evropian.

XS
SM
MD
LG