Ndërlidhjet

SHBA pret arritjen e marrëveshjes Kosovë – Serbi gjatë vitit 2019


Flamuri i SHBA-së, fotografi nga arkivi.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin që Kosova dhe Serbia të arrijnë marrëveshjen gjithëpërfshirëse brenda vitit 2019, e cila do të përfundojë me njohje reciproke, ka thënë një zyrtar i Qeverisë amerikane.

Dialogu i ardhshëm, sipas këtij zyrtari me të cilin ka biseduar Radio Evropa e Lirë, nuk duhet të ketë vija të kuqe, që nënkupton se palët do të vendosin vet nëse aty do të hapin edhe çështjen e korrigjimit, ndryshimit të kufirit apo shkëmbimeve territoriale.

Por, jo çdo marrëveshje do të ketë mbështetjen e SHBA-së, tha ky zyrtar, duke rikujtuar se sidomos shkëmbimi i territoreve si opsion, bart edhe pasoja politike, ekonomike, por edhe ato të sigurisë. Ai tha po ashtu se SHBA-ja nuk është iniciatore e asnjë ideje për ndryshim të kufijve. Ndërkaq e përjashtoi mundësinë që Prishtinës zyrtare t’i dorëzohet një letër garancie me shkrim nga Uashingtoni dhe Brukseli, siç kishte kërkuar kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, me te cilën do të garantohej se në dialogun e ardhshëm nuk do të diskutohet për ndryshim apo korrigjim të kufirit.

Por, që dialogu të vazhdojë, palët duhet t’i eliminojnë fillimisht pengesat, ka thënë ky zyrtar, duke iu referuar edhe nevojës që Qeveria e Kosovës të suspendojë taksën doganore 100 për qind që u ka vënë importeve nga Serbia dhe Bonjë e Hercegovina.

Pas takimeve që përfaqësuesit e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Erath dhe Brad Berkley zhvilluan javën e kaluar me zyrtarët në pushtet dhe në opozitë në Prishtinë, ky zyrtar tha se në Kosovë janë krijuar dy lloj opinionesh; - i pari, se gjërat dhe raportet në mes Kosovës dhe SHBA-së kurrë s’kanë qenë më keq dhe opinioni tjetër se asgjë nuk mund të prish këto raporte. Por, sipas tij, të dy këto opinione nuk qëndrojnë, pasi që për të ruajtur partneritetin, Kosova duhet të respektojë edhe kërkesat e shteteve partnere, në këtë rast të SHBA-së.

Ai tha se përfaqësuesit e Këshillit për Siguri Kombëtare nuk e kanë kërcënuar lidershipin në Kosovë me tërheqje të trupave amerikane, por tha se ia kanë bërë me dije që politika amerikane një ditë mund të ndryshojë, siç ka ndodhur edhe në Siri e Irak, dhe Kosova, e cila mbylli dekadën e parë si shtet, një ditë mund të vijë në situatë që të ecë vet përpara, duke mos pritur gjithmonë që për të, të kujdesen vendet që i konsideron mike, me në krye SHBA-në.

I njëjti zyrtar, tha se SHBA-ja e mbështet vazhdimin e dialogut nën ombrellën e Bashkimit Evropian, duke e cilësuar si komplikim të gjithë procesit nëse aty kërkohet që të përfshihet edhe Rusia. Kurse përsëriti se presidenti amerikan, Donald Trump është i gatshëm që t’i presë në Shtëpinë e Bardhë presidentët nga Kosova dhe Serbia nëse ata janë të gatshëm të nënshkruajnë marrëveshjen.

Duke konfirmuar pritjet e administratës së presidentit Trump për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse brenda këtij viti, i njëjti zyrtar tha se ndërkohë spektri politik në Kosovë duhet të ulet dhe t’i diskutojë të gjitha çështjet, duke mos u pajtuar as me opozitën e cila po qëndron anash. Sipas tij, opozita të paktën mund të marrë pjesë në diskutime, nëse nuk dëshiron të jetë pjesë e negociatave.

Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit i lehtësuar nga Bashkimi Evropian ka si qëllim normalizimin e raporteve ndërmjet dy vendeve, si kusht për përparimin e tyre në procesin e integrimit në BE.

Në këtë fazë, dialogu është menduar të kalojë në finalen e tij, por vendosja e taksës doganore nga Qeveria e Kosovës ndaj Serbisë dhe Bosnjës, po vlerësohet si pengesë për vazhdimin e këtij procesi.

Aktualisht, kryeministri dhe Qeveria e Kosovës nuk kanë treguar shenja se do të zmbrapsen nga vendimi për taksën.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG