Ndërlidhjet

Taksë e panevojshme apo shumë e shtrenjtë?


Pamje nga droni të një autostrade në Kosovë
Pamje nga droni të një autostrade në Kosovë

Vendimi i Qeverisë së Shqipërisë për vendosjen e taksës për qarkullim në autostradën “Rruga e Kombit”, nga përfaqësues të biznesit në Kosovë po konsiderohet si barrierë shtesë në marrëdhëniet tregtare Kosovë-Shqipëri.

Po ashtu, edhe shumë qytetarë të Kosovës e shohin këtë taksë si të panevojshme dhe mbi të gjitha, të shtrenjtë.

Sipas këtij vendimi i cili pritet të hyjë në fuqi në prill të këtij viti, të gjitha automjetet do të jenë të detyruara që vetëm për një kalim të paguajnë taksën, e cila varion nga 2.5 euro për motorët, 5 euro për veturat e deri në 22.5 euro për kamionët e tonazhit të rëndë.

Autostrada që lidh Shqipërinë me Kosovën ishte lëshuar në qarkullim në vitin 2009. Ndërkaq, Kosova përfundoi ndërtimin e autostradës në vitin 2013.

Këto dy autostrada hapën rrugën zgjerimit të veprimtarive për bizneset nga Kosova dhe ato nga Shqipëria.

Kompania “Pestova”, e cila bën prodhimin dhe përpunimin e patates, është njëra nga ndërmarrjet kosovare të cilës autostrada i krijoi mundësi të mirë për të zgjeruar biznesin edhe në Shqipëri, por që vendosja e taksës konsiderohet të jetë e shtrenjtë dhe barrierë për biznesin.

Bedri Kosumi, pronari i kësaj kompanie, thotë për Radion Evropa e Lirë se kjo taksë duhet të jetë minimumi 50 për qind më lirë, sesa që është menduar të jetë nga Qeveria e Shqipërisë.

“Është e shtrenjtë kur kihet parasysh se në atë rrugë kryesisht ne kosovarët kalojmë dhe jo dikush tjetër. Kjo është e njëanshme dhe duhet të punohet në këtë drejtim. Edhe në disa vende të botës paguhet taksa për autostradë, por tjetër standard kemi ne. Nga kjo taksë asgjë nuk ka pozitive nuk ka. Transporti po ashtu do të kushtojë më shtrenjtë”, thotë Kosumi.

Sipas të dhënave të Policisë kufitare të Kosovës dërguar Radios Evropa e Lirë, vetëm në vitin 2017 në kufirin me Shqipëri janë regjistruar 2.258.642 hyrje dhe dalje të automjeteve, kamionëve dhe autobusëve.

Në anën tjetër, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu thotë për Radion Evropa e Lirë se një vendim i tillë është në interes të një grupi të caktuar sesa në interes të përmbushjes së premtimeve të takimeve ndërqeveritare të dy shteteve për një unifikim të legjislacionit dhe krijimin e lehtësirave.

“Si Odë Ekonomik jemi të vetëdijshëm që rrugët e ndërtuar kanë nevojë për mirëmbajtje, mirëpo një taksë e tillë dhe një shumë çfarë është paraparë të fillon të zbatohet është shumë e shtrenjtë për kosovarët. Po ashtu, duhet të kuptohet që kjo autostradë nuk është dhënë me koncesion, por është paguar me taksa të qytetarëve të Shqipërisë dhe në këtë drejtim duhet të gjenden forma tjera për ta mirëmbajtur. Kjo autostradë nuk është e kompletuar, ka mungesë të urave, të sinjalizimit e të tjera”, thotë Gërxhaliu.

Kjo taksë shton Gërxhaliu, dëshmon ‘edhe një herë të vërtetën se Kosova dhe Shqipëria shumë më tepër bëjnë marketing politik sesa zgjidhje të problemeve’.

“Derisa në një anë promovohet kinse ta kemi një president të përbashkët, të kemi dogana të përbashkëta, në anën tjetër vihen barriera të tilla besoj që nuk i bën ndër dy shteteve të një populli të ndarë. Është koha kur duhet të avancohet dialogu mes institucioneve dhe të mos jetë biznesi dhe qytetari që të paguajë këtë kosto. Kosovarët meritojnë një tretman më dinjitoz në Shqipëri për vetë faktin që brenda një viti ne i shpenzojmë deri në 400 milionë euro në Shqipëri për turizëm. Të ngarkohemi më një barrierë të tillë nuk është e ndershme”, thotë Gërxhaliu.

Qytetarët e Kosovës janë vizitorët më të shpeshtë të Shqipërisë. Vendosjen e taksës ata e konsiderojnë të shtrenjtë.

Adelina një qytetare thotë se pushimet çdo herë i ka kaluar në Shqipëri dhe vendosjen e taksës për autostradë e sheh të paarsyeshme.

“Vendosja e taksës për rrugën e kombit është absurde. Ne vetëm në Shqipëri shkojmë për pushime kështu që edhe pagesë nuk ka kuptim. Dhjetë euro është shumë do të duhej të ishte jo më shume se dy apo tri euro. Unë nëse kam shkruar në Shqipëri tri apo katër herë në vit, tash besoj që do të shkoj me rrallë”, thotë ajo.

Ngjashëm shprehet edhe Ahmeti.

“Nuk do të duhej të bëhej me pagesë, unë si qytetar jam kundër kësaj pagese”, thotë ai.

Për këtë vendim kanë reaguar edhe përfaqësues politik të Kosovës dhe Shqipërisë. Ata kanë shfrytëzuar rrejte sociale për të shprehur pakënaqësitë tyre rreth vendimit që rruga e Kombit të bëhet me pagesë.

Deputetja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila përmes një postimi në facebook e ka quajtur absurd vendosjen e taksës.

Vendimi i Qeverisë së Shqipërisë për të vendosur taksë për të gjithë ata që do të qarkullojnë në këtë rrugë, nuk u ka pëlqyer edhe disa nga përfaqësues politik në Shqipëri.

Ish-kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha këtë vendim e cilësoi si të dëmshëm.

XS
SM
MD
LG