Ndërlidhjet

Xhaferi hedh poshtë kërkesën e VMRO-së për mbajtjen e referendumit


Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi. Fotografi nga arkivi.
Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi. Fotografi nga arkivi.

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, të martën, më 13 shtator, hodhi poshtë nismën e partisë opozitare maqedonase VMRO-DPMNE-së për organizimin e një referendumi për anulimin e Marrëveshjes me Bullgarinë.

VMRO DPMNE-ja, që drejtohet nga Hristijan Mickovski, më 9 shtator kishte dorëzuar nismën për referendum me arsyetimin se “Marrëveshja me Bullgarinë është antikombëtare dhe antishtetërore, pasi rrezikon identitetin dhe gjuhën maqedonase”.

Përmes një komunikate, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, tha se “iniciativa për referendum nuk është në përputhje me Kushtetutën”, në të cilën, sipas kreut të Kuvendit, thuhet se “marrëveshjet ndërkombëtare që janë ratifikuar janë pjesë e rendit të brendshëm juridik dhe nuk mund të ndryshohen me ligj”.

Marrëveshja me Bullgarinë ishte propozuar nga Franca dhe parasheh që gjatë procesit të bisedimeve me Bashkimin Evropian, Maqedonia e Veriut të zgjidhë çështjet e hapura lidhur me aspektet historike, ndërsa ato për gjuhën dhe identitetin është thënë se nuk do të jenë pjesë e bisedimeve.

Sipas marrëveshjes, Maqedonia e Veriut para nisjes formale të bisedimeve për anëtarësim në bllok, duhet të ndryshojë Kushtetutën për të përfshirë pakicën bullgare në preambulën e saj.

Ndryshimi i Kushtetutës maqedonase bëhet me dy të tretat e votave, të cilat shumica parlamentare nuk i ka, pasi VMRO DPMNE-ja ka thënë se deputetët e saj do të votojnë kundër.

Maqedonia e Veriut më 16 korrik ratifikoi Marrëveshjen me Bullgarinë, ndërsa më 19 korrik nisën bisedimet për anëtarësim me Bashkimin Evropian.

Maqedonia e Veriut statusin e shtetit kandidat e ka fituar në vitin 2005, por bisedimet me BE-në nuk ka mundur t’i nisë fillimisht për shkak të kontestit me Greqinë për çështjen e emrit dhe së fundmi me Bullgarinë, e cila në vitin 2020 vendosi veton duke e kushtëzuar heqjen e saj me zgjidhjen e kontestit për gjuhën, identitetin dhe çështjet historike.

Newsletter

Gjithçka që duhet të dini për temën më të diskutuar të javës jua sjellim të enjteve në tre minuta. Regjistrohuni për t'u informuar të parët!

XS
SM
MD
LG