Ndërlidhjet

Talibanët duan t’iu japin të drejta grave… por me kushtet e tyre


Gra afgane duke votuar gjatë zgjedhjeve parlamentare në Kandahar të Afganistanit, vitin e kaluar.

Me intensifikimin e bisedimeve për paqe në Afganistan, talibanët po e nxjerrin veten si një forcë më të moderuar, duke u zotuar se do t’iu japin grave të drejtat e tyre dhe do t’i lejojnë të punojnë dhe të shkollohen.

Talibanët, në një deklaratë të publikuar më 5 shkurt, kanë thënë se janë të gatshëm t’iu garantojnë grave të drejta në bazë të Islamit dhe “në një mënyrë që as të drejtat e tyre të mos shkelen dhe as dinjiteti i tyre njerëzor dhe vlerat afgane të mos kërcënohen”.

Në të njëjtën deklaratë, të lëshuar gjatë bisedimeve midis përfaqësuesve talibanë dhe një delegacioni afgan, të udhëhequr nga ish-presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai, në Moksë, talibanët po ashtu kanë thënë se duan t’i kufizojnë liritë e brishta që kanë fituar gratë që nga pushtimi amerikan – më 2001 – i cili ka rrëzuar sundimin taliban nga pushteti.

Deklarata ka ardhur pasi zyrtarët amerikanë dhe talibanë, gjatë një takimi në Doha në fund të janarit, janë pajtuar në parim për kornizën e një marrëveshjeje për paqe, që do t’i jepte fund luftës mbi 17-vjeçare në Afganistan.

Talibanët kanë sunduar Afganistanin në periudhën 1996-2001 me një interpretim fundamentalist dhe shpesh brutal të ligjit islamik.

Grupi ekstremist ka qenë famëkeq për mënyrën se si i ka trajtuar gratë, duke i ndaluar shumicën e tyre të punojnë ose të shkojnë në shkollë dhe duke i rrahur me kamzhik ato që i thyenin dekretet e tyre të rrepta.

Në deklaratën e fundit, talibanët kanë thënë se "e konsiderojnë gruan si ndërtuese të një shoqërie myslimane” dhe se ata “janë të përkushtuar ndaj të gjitha të drejtave të grave që u janë dhënë atyre nga feja e shenjtë e Islamit".

Sipas talibanëve, Islami u ka dhënë grave të drejta në "biznes dhe pronësi, trashëgimi, arsim, punë, zgjedhje të bashkëshortit, siguri, shëndet dhe të drejtën për një jetë të mirë".

Por, në deklaratë, talibanët i kanë dënuar "të ashtuquajturat aktiviste të të drejtave të grave", të cilat “po i nxisin gratë t'i thyejnë zakonet afgane”.

"Duke u thirrur në të drejtat e grave, janë bërë punë të pamoralshme dhe janë promovuar kultura jo-islame", kanë thënë talibanët.

"Gjashtë vjetët e errët të diktaturës"

Deklarata e militantëve ka provokuar zemërim nga aktivistët afganë të të drejtave.

Samira Hamidi, një aktiviste afgane për të drejtat e grave, tha se deklarata e talibanëve "i riafirmon shqetësimet e grave".

“Sipas tyre, ne jemi të ashtuquajtura aktiviste dhe ne jemi përgjegjëse për shëndetin e dobët, për mungesën e shkollimit dhe për dhunën ndaj grave”, tha Hamidi në një postim në Twitter, duke shtuar se dikush duhet t’i kujtojë militantët për “gjashtë vjetët e errët të diktaturës së tyre”.

“Kemi fituar aq shumë në 18 vjetët e fundit. Pa marrë parasysh problemet, ne nuk duam të kthehemi në periudhën e talibanëve”, tha Fawzia Koofi, anëtare e Parlamentit afgan dhe një nga dy gratë e pranishme në bisedimet e Moskës.

Fawzia Koofi
Fawzia Koofi

"Ata duhet të harmonizohen me përparimin, pasi Afganistani nuk do të kthehet prapa. Kushdo që dëshiron të bëjë politikë në Afganistan, duhet t’i respektojë liritë e njeriut, përfshirë të drejtat e grave", tha Koofi.

Ahmad Shuja Jamal, analist afgan, tha në një postim në Twitter se deklarata e talibanëve tregon se "ata e kundërshtojnë shoqërinë civile, i përbuzin gratë aktiviste dhe duan t’i kufizojnë liritë individuale të grave".

"Më e keqja është se ata nuk e hedhin poshtë brutalitetin e tyre ndaj grave", tha Jamal.

Shumë gra afgane druajnë se të drejtat e tyre të garantuara me Kushtetutë, do të kufizohen në kuadër të një zgjidhjeje paqësore me talibanët. Kushtetuta u garanton grave të drejtat e njëjta me burrat, edhe pse në praktikë gratë vazhdojnë të përballen me diskriminim.

Talibanët, në deklaratën e 5 shkurtit, kanë kërkuar një kushtetutë të re, të bazuar në "parimet islame, interesat kombëtarë, krenarinë historike dhe drejtësinë sociale".

Një imazh më i butë

Përpjekja e talibanëve për një imazh më të butë dhe më tolerant vjen kur bisedimet e paqes po marrin vrull.

Më 30 janar, talibanët kanë thënë se nuk kërkojnë "monopol në pushtet" në një administratë të ardhshme në Afganistan, porse duan mënyra për të bashkëjetuar me institucionet afgane. Kjo, njëherësh, është cilësuar si deklarata më pajtuese e militantëve deri tani.

Në dhjetor, zëdhënësi i talibanëve, Zabiullah Mujahid, ka thënë se "nëse vjen paqja dhe talibanët kthehen, atëherë kthimi ynë nuk do të jetë në të njëjtën mënyrë të ashpër siç ishte më 1996" - viti kur talibanët kanë marrë kontrollin mbi Kabulin.

Mujahid ka thënë se talibanët nuk kanë asgjë kundër shkollimit apo punësimit të grave, porse duan t'i ruajnë kodet kulturore dhe fetare.

Por, shumë gra afgane vazhdojnë të mbeten skeptike.

"Derisa talibanët nuk janë të gatshëm të flasin me gratë, ata do të vazhdojnë të bëjnë ligje për to", tha Wazhma Frogh, një aktiviste për të drejtat e grave.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG