Ndërlidhjet

A është zgjidhje tërheqja e parave nga Trusti?


Fotografi ilustruese

Për disa qytetarë të anketuar nga Radio Evropa e Lirë, tërheqja e një shume parash nga Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës do të ishte ndihmesë e madhe për të përballuar trendin e rritjes së çmimeve të konsumit.

“Të mbulojmë së paku diçka - atë që është shtrenjtuar”, thotë Gyltene Sedreni, e cila punon në një dyqan në Prishtinë.

“Për shkak të krizës që na ka kapluar - kështu ad hoc - [tërheqja e parave] është më e domosdoshme se kurrë”, thotë edhe Aida Humolli, shërbyese civile në administratën shtetërore të Kosovës.

Shaban Mustafa, nga Gjilani, i cili thotë se punon në një bankë, pajtohet se tërheqja e mjeteve është zgjidhje në këtë kohë, por shton se Qeveria e Kosovës duhet të gjejë më pas mënyra për t’i rimbursuar ato.

Krijimi i mundësive ligjore, që qytetarët e Kosovë të tërheqin deri në 30 për qind të kursimeve të tyre nga Fondi i Kursimeve Pensionale - apo siç njihet ndryshe Trusti - ka ditë që ka shkaktuar debat në Kosovë, me argumente për dhe kundër.

Propozimin e tillë e ka bërë më 9 mars subjekti më i madh opozitar, Partia Demokratike e Kosovës, përmes një projektligji të dorëzuar në Kuvendin e Kosovës.

Më 16 maj, kjo parti, bashkë me subjektin tjetër opozitar, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që sa më shpejt ta sjellë në Kuvend projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale.

Arsyetimi i tyre ka qenë që t’iu ndihmohet qytetarëve të përballojnë rritjen e çmimeve të konsumit.

Abelard Tahiri, nga PDK-ja, tha të hënën se Komisioni për financa dhe transfere i Kuvendit të Kosovës pritet ta trajtojë projektligjin të martën, ndërsa javën e ardhshme, shtoi ai, mund të pritet shqyrtimi i tij në Kuvend.

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, por edhe Qeveria e Kosovës kanë thënë se nuk e përkrahin tërheqjen e mjeteve nga Trusti, me arsyetimin se kjo nuk i ndihmon kategoritë në nevojë, pasi që edhe vetë përqindja e fondit pensional të tyre është e ulët.

Ramosaj: Të ruhet dinjiteti i qytetarëve

Profesori i ekonomisë, Berim Ramosaj, thotë se propozimi për tërheqjen e përqindjes së caktuar të mjeteve të kursyera nga kontributdhënësit, nuk gjen mbështetje në argumente, as në aspektin politik e social dhe as në të drejtën qytetare.

Argumenti që është kundër kësaj nisme, sipas tij, është fakti se Trusti nuk është fond i kursimeve të qytetarëve, por është fond mirëbesimi.

Ai, shton Ramosaj, do të shërbejë për ruajtjen e dinjitetit të qytetarëve kontributpagues, pas moshës 65-vjeçare dhe daljes së tyre në pension.

“Kjo do të thotë sikur dikush të ndërhyjë te ti, që të stimulojë t’i shpenzosh paratë tua... Në qoftë se ka deputetë të tillë, të cilët dëshirojnë ta nxjerrin qytetarin e Kosovës si kontributdhënës nga investitori potencial - me ato mjete sado të nivelit të ulët - në konsumues të drejtpërdrejtë, [ata] nuk kanë të drejtë ta bëjnë një gjë të tillë, në kuptimin e ruajtjes së dinjitetit qytetar. Ndërsa, sa i përket të drejtës së tyre, si nismë në Parlament, ata gjithë ditën e kanë atë të drejtë”, thotë Ramosaj.

Limani: Tërheqja e mjeteve nga Trusti, shpatë me dy tehe

Por, mendim tjetër ka profesori i ekonomisë në pension, Musa Limani. Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thotë se mjetet e Trustit janë mjete personale dhe individuale të punëtorëve dhe jo fond i përbashkët.

Marrë parasysh, sipas tij, nivelin e lartë të çmimeve dhe nivelin e ulët të pagave përballë këtyre çmimeve, Kuvendi “duhet të miratojë projektligjin për tërheqjen e mjeteve nga Trusti”.

Profesor Limani thotë se tërheqja e këtyre mjeteve nuk e zgjidh krizën ekonomike në vend, por mund ta zbusë situatën e vështirë ekonomike të disa qytetarëve.

“Kjo është ‘shpatë me dy tehe’. Nuk e di se si ta quaj, por, sido që të jetë, unë jam për atë që të tërhiqen [mjetet nga Trusti]. Se sa do të jetë ajo përqindje, mund të merren vesh me Trustin, me Qeverinë dhe, normalisht, me sindikatën dhe punëtorët. Kur punëtorët t’i kërkojnë mjetet e tyre, unë mendoj se është e pajustifikueshme, në aspektin juridik dhe ekonomik, që të ndalohet tërheqja e këtyre mjeteve”, thotë Limani.

Ngritje e inflacionit

Në vitin 2020, pas krizës ekonomike që ka shkaktuar pandemia e koronavirusit, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për rimëkëmbjen ekonomike, që u ka mundësuar qytetarëve tërheqjen e 10 për qind të shumës së siguruar nga kursimet pensionale, gjatë kohës sa kanë punuar.

Procesi i tërheqjes së kësaj përqindjeje nga Trusti ka nisur nga fundi i dhjetorit të vitit 2020 dhe ka zgjatur deri në fillim të prillit të vitit 2021.

Sipas të dhënave të Fondit për Kursime Pensionale, asokohe janë tërhequr mbi 198 milionë euro nga 427,371 kontribues.

Depozitat në bankat e Kosovës, gjatë vitit 2021, kanë shënuar rritje prej 11 për qind. Një raport i Institutit GAP, me seli në Prishtinë, ka vlerësuar se në 40 për qind të kësaj rritjeje ka ndikuar tërheqja e kursimeve nga Trusti, të cilat janë deponuar në llogari private, por nuk janë shpenzuar menjëherë.

Të dhënat nga Agjencia e Statistikave të Kosovës thonë se norma vjetore e inflacionit, e matur në muajin mars të vitit 2022, në krahasim me marsin e vitit 2021, ka qenë 10 për qind.

Ndërkaq, norma e inflacionit e matur në muajin prill të vitit 2022, në krahasim me prillin e vitit 2021, ka qenë 11.2 për qind.

Më rëndë apo më lehtë se sa gjatë pandemisë?

Për situatën aktuale ekonomike të qytetarëve, ekspertët e ekonomisë japin vlerësime të ndryshme.

Ramosaj thotë se tërheqja eventuale e një përqindjeje minimale nga Trusti do të ishte e arsyeshme në situata emergjente, kur njerëzit nuk punojnë fare dhe nuk mund të lëvizin jashtë shtëpive të tyre, siç ka qenë rasti gjatë pandemisë së koronavirusit.

“Në situatën e tanishme pas-pandemike, faktikisht, mundësitë për të punuar, për t’u zhvilluar dhe mundësitë për t’u punësuar janë shumë më të mëdha. Dhe t’iu ofrohet njerëzve që mjetet e tyre, të cilat ata po i kursejnë - jo në kuptimin e kursimit të thjeshtë, por po i ndajnë si mjete të veçanta... Faktikisht, ato mjete janë garancia më e mirë për ta, bile për 10 vjet pas pensionit që të kenë një jetë minimalisht të dinjitetshme”, thotë Ramosaj.

Limani thotë se situata ekonomike e qytetarëve aktualisht është më e rëndë sesa gjatë pandemisë, e cila ka shpërthyer në mars të vitit 2020 dhe për gati dy vjet ka imponuar periudha të kohëpaskohshme izolimi.

Sipas Limanit, ngritja e çmimeve të artikujve jetësorë aktualisht është enorme.

“Një numër i konsiderueshëm i popullatës nuk është në gjendje ta përballojë këtë situatë, për arsye se buxheti familjar i tyre është i ulët. Edhe ata, të cilët punojnë, përballen me këtë problem, për arsye se pagat te ne janë të ulëta në krahasim me nivelin e çmimeve”, thotë Limani.

Paga mesatare bruto në Kosovë llogaritet të jetë rreth 460 euro, ndërsa rritje të çmimit kanë pësuar shumica e produkteve bazë, nisur nga buka deri te rryma.

Sipas propozimit të Partisë Demokratike të Kosovës, kontributpaguesit që kanë më pak se 10 mijë euro kursime pensionale, duhet ta kenë të drejtën e tërheqjes së 30 për qind të mjeteve.

Ata që kanë deri në 20 mijë euro - 25 për qind, nga 20 mijë deri 30 në mijë - 20 për qind. Për kontributpaguesit që kanë kursime pensionale në shumën prej 30 mijë eurosh - 15 për qind, dhe ata mbi 40 mijë euro - 10 për qind.

Facebook Forum

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG