Ndërlidhjet

Tiananmeni përcaktoi rrugën e Kinës kah represioni


Një burrë qëndron përpara tankeve në Sheshin Tiananmen. 5 qershor, 1989.
Një burrë qëndron përpara tankeve në Sheshin Tiananmen. 5 qershor, 1989.

Kina forcoi sigurinë rreth Sheshit Tiananmen të Pekinit, në 30-vjetorin e shtypjes brutale të protestave pro demokracisë, ku besohet se mbetën të vrarë qindra e ndoshta mijëra vetë.

Shtypja nga autoritetet nuk flitet hapur në Kinë dhe nuk shënohet formalisht nga qeveria.

Gazetarëve të huaj iu ndalua qasja në shesh dhe ata u paralajmëruan nga policia që të mos bëjnë fotografi.

Më shumë se një milion protestues pro demokracisë pushtuan Sheshin Tiananmen në prill të vitit 1989 dhe filluan demonstratën më të madhe politike në historinë komuniste të Kinës. Ajo zgjati gjashtë javë.

*Video nga arkivi: Protestat në sheshin Tiananmen më 1989

Protestat në sheshin Tiananmen më 1989
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:21 0:00

Në natën e 3 qershorit, qeveria dërgoi tanke dhe ushtarë që vranë dhe plagosën shumë njerëz të paarmatosur në dhe rreth Sheshit Tiananmen.

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, lëshoi një deklaratë për të shprehur respekt për, siç tha, “heronjtë e popullit kinez, që u ngritën guximshëm tridhjetë vjet më parë, për të kërkuar të drejtat e tyre”.

Pompeo i kërkoi Kinës "të japë llogari të plotë publike për të vrarët dhe të zhdukurit”.

Ai e akuzoi Kinën për, siç tha, “abuzim me të drejtat e njeriut kudo që është në interes të saj” dhe mori shembull përndjekjen ndaj pakicës ujgure në rajonin Ksinjiang.

Pompeo tha se shpresat e SHBA-së që Kina të bëhet "një shoqëri më e hapur dhe tolerante" përmes integrimit më të madh global, “janë thyer”.

Ambasada e Kinës në Uashington e kritikoi deklaratën e Pompeos, duke thënë se "ai po ndërhyn në punët e brendshme të Kinës".

Bashkimi Evropian po ashtu bëri thirrje për transparencë më të madhe rreth ngjarjeve në Tiananmen.

"Pranimi i këtyre ngjarjeve, i atyre që janë vrarë, burgosur ose zhdukur në protestat në Sheshin Tiananmen, është i rëndësishëm për gjeneratat e ardhshme dhe për kujtesën kolektive", tha përmes një deklarate shefja e politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini.

Protestat pro demokracisë në Sheshin Tiananmen. 2 qershor, 1989.
Protestat pro demokracisë në Sheshin Tiananmen. 2 qershor, 1989.

Kina nuk i kujton kurrë zyrtarisht protestat në Sheshin Tiananmen.

Në një moment të rrallë, përpara përvjetorit, ministri i Mbrojtjes, Wei Fenghe, i përmendi protestat gjatë një forumi rajonal në Singapor.

"Ky incident ishte një trazirë politike dhe qeveria qendrore i mori masat për të ndalur turbulencën", tha Wei.

Ai shtoi se për shkak të veprimit të qeverisë në atë kohë, "Kina ka gëzuar stabilitetin dhe zhvillimin".

Phil Robertson, zëvendësdrejtor i programit për Azinë në organizatën për të drejtat e njeriut Human Rights Watch, tha se Qeveria e Kinës ka frikë nga historia e Tiananmenit.

“Sikur lëvizja demokratike të kishte sukses në Kinë, Kina do të ishte një vend ndryshe jo vetëm brendapërbrenda, por edhe politika e jashtme e Kinës do të ishte krejt ndryshe”, tha Robertson.

Sipas shkrimeve në mediat perëndimore, ngufatja e protestave në Sheshin Tiananmen të Pekinit, 30 vjet më parë, e vuri Kinën në rrugën e represionit të vazhdueshëm.

“Ëndrra demokratike e Kinës u asgjësua në natën e 3 qershorit, 1989”, shkruan gazeta Washington Post.

Ushtria e Kinës qëndron në Sheshin Tiananmen, vetëm disa ditë pas shtypjes së protestave pro demokracisë. Kinë, 6 qershor, 1989.
Ushtria e Kinës qëndron në Sheshin Tiananmen, vetëm disa ditë pas shtypjes së protestave pro demokracisë. Kinë, 6 qershor, 1989.

​Sipas saj, nga ngjarjet e Tiananmenit, bota ka parë dhunë në rritje të shtetit dhe shtypje të egër dhe të përgjakshme, por, ajo që ka ndodhur 30 vjet më parë në Pekin, shkruan Washington Post, mbetet një nga pikat kthyese të historisë botërore: momenti kur fati politik i vendit më të populluar ka marrë një drejtim mizor dhe brutal.

“Edhe pas 30 vjetësh nga masakra në Tiananmen, Partia Komuniste e Kinës është e obsesionuar me fshirjen e historisë”, vlerëson në komentin editorial gazeta New York Times.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG