Ndërlidhjet

Refuzohet kërkesa për lirimin e Tomor Morinës, avokati beson në epilog pozitiv


Ilustrim

Këshilli i Gjykatës Penale për krim të organizuar në Shkup, ka refuzuar kërkesën e palës mbrojtëse për lirimin nga paraburgimi të Tomor Morinës, ish pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i arrestuar të mërkurën nga policia maqedonase, në bazë të një fletë-arresti të lëshuar nga INTERPOL-i, me kërkesë të Serbisë.

Kjo u bë e ditur për Radion Evropa e Lirë nga avokati Naser Raufi, sipas të cilit, gjykata ka refuzuar vendimin me arsyetimin se “bëhet fjalë për shtetas të huaj, i cili në rast të lirimit mund të arratiset”.

Megjithatë, Raufi shpreson në epilog pozitiv në procedimin e mëtejmë lidhur me këtë rast. “Tani presim nga Beogradi të paraqes përmes Interpolit provat që pretendon se posedon lidhur me kërkesën për ekstradim. Mendoj se punët qëndrojnë mirë dhe do të kemi sukses. Po punohet shpejt në këtë rast dhe pasi Beogradi të dërgojë dokumenatacionin, unë do t’i shoh së bashku me Tomorin, por unë nuk besoj se do të dërgojnë diçka mbi pretendimet e tyre. Në fund vendos ministri i Drejtësisë, pra qeveria. Mendoj se mirë janë punët”, ka deklaruar avokati Naser Raufi.

Ai të hënën ka vizituar Tomor Morinën në burgun e Shutkës në Shkup dhe thotë se gjendja e tij është shumë e mirë ndërsa edhe trajtimi nga autoritetet e burgut është në nivel të lartë.

Arrestimi i ish-pjesëtarit të UÇK-së kishte shkaktuar reagime të shumta si në Kosovë ashtu edhe në Maqedoninë e Veriut. Kryeministri Zoran Zaev ka thënë se në këtë rast do të respektohet ligji.

“Sundimi i ligjit dhe respektimi i rregulloreve dhe ligjeve ndërkombëtare është normë evropiane, të cilën unë dhe të gjithë ju e përfaqësojmë”, kishte deklaruar Zaev.

Partitë politike shqiptare gjithashtu kanë reaguar duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të Morinës.

Në një seancë të Kuvendit, deputeti i BDI-së, Ejup Halimi e ka quajtur të papranueshëm vendimin e autoriteteve, që sipas tij “po procedojnë urdhrat e Serbisë të miratuar që nga koha e Sllobodan Millosheviqit”.

Në një komunikatë të Aleancës për Shqiptarët që drejtohet nga Zijadin Sela, thuhet se rasti me Tomor Morinën paraqet “ofendim” dhe “provokim” që nuk i shpërben paqes dhe raporteve ndër fqinjësore.

Lidhur me arrestimin e ish-pjesëtarit të UÇK-së, Tomor Morina, të enjten, ka reaguar edhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, duke thënë se Kosova nuk do të lejojë ekstradimin e Morinës.

Kryediplomati kosovar, tha se institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të punojnë për lirimin e tij, si dhe i bëri thirrje Shkupit të hedhë poshtë “urdhrat politike për arreste të lëshuara nga Beogradi”.

XS
SM
MD
LG