Ndërlidhjet

Tridhjetë vjet nga paralajmërimi i luftërave në Ballkan


Sllobodan Millosheviq
Sllobodan Millosheviq

Para 30 vjetësh (28 qershor, 1989), presidenti i atëhershëm i Serbisë, Sllobodan Millosheviq, ka porositur nga Gazimestani se betejat e armatosura nuk përjashtohen.

Këtë deklaratë, të bërë në një fjalim që shënonte gjashtë shekuj nga Beteja e Kosovës, shumë e kanë interpretuar si fillim të luftës për zgjerim territorial dhe riorganizim të kufijve të Jugosllavisë së atëhershme.

Dhe, me këtë qasje, Millosheviqi, nga një luftëtar për Jugosllavinë është bërë udhëheqës nacionalist serb.

“Gjashtë shekuj më vonë, sot, sërish jemi në beteja dhe para betejave. Ato nuk janë të armatosura, megjithëse as të tillat nuk përjashtohen. Por, pa marrë parasysh se si janë, betejat nuk mund të fitohen pa vendosmëri dhe trimëri, pa ato veti të mira që prej kohësh kanë qenë të pranishme në Kosovë. Beteja jonë kryesore sot është realizimi i prosperitetit ekonomik, politik dhe kulturor", ka thënë atëbotë Millosheviq.

“Në këtë vend në zemër të Serbisë, në Fushë Kosovë, para gjashtë shekujsh, para plot 600 vjetësh më parë, ka ndodhur një nga betejat më të mëdha të asaj kohe… Para gjashtë shekujsh, Serbia e ka mbrojtur veten këtu. Por, e ka mbrojtur edhe Evropën”, ka thënë Millosheviq.

Pas tubimit në Gazimestan është përshpejtuar kriza në Jugosllavi, e cila është shkatërruar me luftëra të përgjakshme.

Këtë fjalim të Millosheviqit, Prokuroria e Hagës e ka përdorur si dëshmi për qëllimet e tij të luftës. Prokurori Geoffrey Nice ka thënë se "lufta e armatosur nuk është përjashtuar, madje as në atë moment", domethënë në vitin 1989.

Millosheviq ka deklaruar në Hagë, në fillim të viteve 2000, se fjalimi i tij është keqinterpretuar.

“Nuk do të citoj gjithë fjalimin, por një pjesë, për të parë se sa keq është nxjerrë nga konteksti, sepse unë them se beteja kryesore përpara është për rimëkëmbjen ekonomike. As sot nuk do të ndryshoja asnjë fjalë”, ka thënë Millosheviq, i cili është ekstraduar në Hagë në vitin 2001 nga Qeveria e atëhershme e Serbisë, në krye të së cilës ka qenë Zoran Gjingjiq.

Rugova: Gazimestani është manifestim shovinist

Festimi i 600-vjetorit të Betejës së Kosovës është bërë menjëherë pas vendimit të Millosheviqit për t’ia hequr autonominë Kosovës.

Në atë kohë, udhëheqësi i shqiptarëve të Kosovës, Ibrahim Rugova, ka deklaruar:

“Gazimestani është një manifestim shovinist. Nuk kanë luftuar vetëm serbët kundër turqve. Në betejë kanë marrë pjesë edhe shqiptarët, kroatët, boshnjakët. Ajo është një ngjarje me rëndësi për të gjithë popujt e Jugosllavisë. Përshtypja ime është se ka forca në Jugosllavi që duan veprime terroriste në Kosovë. Mund t’i paralajmëroj serbët se gjithmonë kur një popull i vogël – edhe serbët janë popull i vogël – ka bërë përpjekje për dominim në Ballkan, kjo ka përfunduar me tragjedinë e tij personale”.

Millosheviq ka vdekur në vitin 2006 në njësinë e paraburgimit të Tribunalit të Hagës.

Përgatiti: Valona Tela

XS
SM
MD
LG