Çfarë parasheh anëtarësimi?
Disa media ndërkombëtare, duke u thirrur në burime, kanë raportuar se Trump dëshiron që shtetet të paguajnë 1 miliard dollarë për të qenë anëtarë të përhershëm. Sipas CNN-it, ata që nuk e paguajnë këtë shumë do të kenë një mandat trevjeçar.
Këshilltari për media i presidentes Osmani, Bekim Kupina i tha Radios Evropa e Lirë më 21 janar se një pagesë e tillë nuk është kërkuar.
“Pra nuk është kërkuar pagesa prej 1 miliard dollarësh. E shihni edhe vet në ftesë”, tha ai.
Përveç Kosovës, edhe Shqipëria ka pranuar ftesën e Trumpit.
Ftesa të tilla kanë pranuar edhe udhëheqës të Izraelit, Turqisë, Emirateve të Bashkuara Arabe, Egjiptit, Bahrejnit, Kanadasë, Argjentinës, Paraguajit, Azerbajxhanit dhe shteteve të tjera.
Trump ka ftuar po ashtu edhe Kinën dhe Rusinë. Por, jo të gjithë që kanë pranuar ftesën nga Trumpi janë zotuar për të qenë pjesë e Bordit. Ftesa për pjesëmarrje është refuzuar nga Franca dhe Suedia.
Nis ceremonia e nënshkrimit
Presidenti Trump është duke i ftuar liderët një nga një që të nënshkruajnë pjesëmarrjen në bord.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ishte në mesin e tyre.
Osmani në skenë me Trumpin dhe liderë të tjerë botërorë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është në skenë së bashku me shumë liderë të tjerë botërorë në ceremoninë e nënshkrimit të Bordit të Paqes.
Kosova pranoi të jetë anëtare themeluese e Bordit të Paqes për Gazën.
Osmani tha të mërkurën se "me krenari të madhe e kam pranuar këtë ftesë personale të presidentit Trump".
Ajo shtoi se Kosova, sado e vogël, "mund të japë kontribut të madh në realizimin e këtyre synimeve. Jam duke punuar afër me Shtëpinë e Bardhë që kontributi ynë të jetë konkret dhe domethënës”.
Më shumë rreth kësaj mund të lexoni në raportimet tona të mëhershme:
Rusia, Bjellorusia, Sllovenia, Tajlanda dhe krahu ekzekutiv i Bashkimit Evropian janë, gjithashtu, në mesin e të ftuarve të fundit.
Franca dhe Suedia janë ndër vendet që refuzuan ftesën.
Çfarë është Bordi i Paqes për Gazën në të cilin u ftua Kosova?
Ky mekanizëm është pjesë e planit 20-pikësh të presidentit Trump për t’i dhënë fund konfliktit mes Izraelit dhe Hamasit - grupit të shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera.