Ndërlidhjet

Trump e Rohani ‘thumbojnë’ njëri-tjetrin në OKB


Presidenti i SHBA-së, Donald Trump gjatë fjalimit të tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Presidenti amerikan, Donald Trump dhe homologu i tij iranian, Hasan Rohani kanë ‘thumbuar’ njëri-tjetrin në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të martën, pasi Trump është zotuar për shtim të sanksioneve kundër Teheranit, derisa Rohani ka pretenduar se presidenti amerikan vuan nga “dobësia e intelektit”.

Trump ka shfrytëzuar adresimin e tij vjetor në OKB, për të sulmuar atë që ka cilësuar “diktaturë të korruptuar” të Iranit, ka përshëndetur liderin e Koresë Veriore, Kim Jong Un si dhe ka dhënë mesazhe se do të qëndrojë mbrapa interesave amerikane në vend të globalizimit.

Mirëpo në fjalimin e tij, temë qendrore ka qenë Irani, vend të cilin Shtetet e Bashkuara e akuzojnë për ambicie bërthamore dhe krijim të jostabilitetit në Lindje të Mesme, përmes përkrahjes së grupeve militante në Siri, Liban dhe Jemen.

“Liderët e Iranit nxisin kaos, vdekje dhe shkatërrim”, ka thënë Trump gjatë fjalimit.

“Ata nuk respektojnë fqinjët e tyre, kufijtë apo të drejtat sovrane të kombeve”.

Rohani, në anën tjetër, pasi u është drejtuar liderëve botërorë, ka kritikuar ashpër vendimin e Trumpit për t’u tërhequr nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015, që Teherani ka nënshkruar me fuqitë botërore.

Ai ka thënë se vendimi i presidentit Trump për t’u larguar nga institucionet globale përbën defekt në karakter.

“Luftimi i multilateralizmit nuk është shenjë e fuqisë. Më shumë është shenjë e dobësisë së intelektit, është pamundësi e të kuptuarit të botës së lidhur dhe komplekse”, ka thënë ai.

Presidenti iranian, Hassan Rohani
Presidenti iranian, Hassan Rohani

Fjalimi i Trumpit është përballur me heshtje të liderëve botërorë, të cilët ende nuk janë mësuar me qasjet që kanë tensionuar marrëdhëniet mes SHBA-së dhe aleatëve të saj tradicionalë.

Në fjalimin e tij, Trump ka treguar edhe një herë idenë e politikë së tij “Amerika e Para”. Ai ka befasuar botën me t’u tërhequr nga pakti bërthamor, Marrëveshja për Klimën, si dhe pas kërcënimeve për të ndëshkuar kombet anëtare të NATO-s, të cilat nuk paguajnë mjaftueshëm për mbrojtje.

“Ne nuk do ta dorëzojmë kurrë sovranitetin e Amerikës ndaj burokracisë globale. Amerika është e udhëhequr nga amerikanët. Ne kundërshtojnë ideologjinë e globalizimit dhe mbështesim doktrinën e patriotizmit”, ka thënë presidenti amerikan.

Përveç Iranit, Trump ka kritikuar edhe Kinën për praktikat tregtare, mirëpo nuk ka përmendur ndërhyrjen e Rusisë në luftën në Siri, apo supozimet për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së më 2016.

Trump në OKB, sikur ka tentuar të krijojë përçarje në mes të udhëheqësisë së Iranit me popullatës së këtij shteti, disa ditë pasi një sulmi në një paradë ushtarake në Iran, duke lënë të vdekur 25 persona.

Pak para se të mbante fjalimin, Trump ka thënë se ai nuk do të takohej me iranianët, derisa ata të “ndryshojnë ritmin”. Ndonëse ka lënë të hapur mundësin; për marrëdhënie më të mira në të ardhmen, ai e ka bërë të qartë se nuk do të largohet presioni ekonomik ndaj këtij vendi.

Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, John Bolton ka paralajmëruar udhëheqësit e Iranit, se do të përballen me telashe të mëdha, nëse dëmtojnë Shtetet Bashkuara, qytetarët apo aleatët e tyre.

Bolton ka thënë se “regjimi vrasës” i “drejtuesve në Teheran”, do të përballet me pasoja të rënda, në rast se vazhdojnë të “gënjejnë dhe mashtrojnë”.

“Më lejoni që mesazhi im të jetë i qartë: Ne jemi duke ju vëzhguar dhe do të vijmë pas juve”, është shprehur Bolton.

Ai ka thënë se Shtetet e Bashkuara do të ndihmojnë në krijimin e një aleance në mes të shtetit të Gjirit Arab, Jordanisë dhe Egjiptit, hap të cilin SHBA-ja e konsideron masë mbrojtëse kundër Iranit.

Qasja alternative e Macronit

Duke ofruar një pikëpamje alternative teksa ka nisur fjalimin e tij, presidenti francez, Emmanuel Macron, u ka thënë delegatëve se proteksionizmi dhe izolimi do të drejtojnë vetëm nga rritja e tensioneve.

Duke u shprehur hapur në mbrojtje të multilaterializmit dhe hapave të përbashkët, ai ka thënë se nacionalizmi do të dërgojë drejt dështimit, dhe nëse shtetet ndalojnë së mbështetur parimet bazike, luftërat globale do të rikthehen.

“Unë nuk pranoj erozionin e multilaterizmit dhe nuk pranoj që historia jonë të shthuret”, ka thënë Macron me zë të ngritur.

‘Fëmijët tanë janë duke shikuar”.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron

Duke cituar shembullin e Iranit, Macron ka thënë se një unilateralizëm i tillë do të shtynte përpara konfliktet direkte.

Trump: Kam bërë më shumë se çdo president amerikan

Ndërkohë, Trump, me krenari ka folur për rekordin e tij sa i përket rritjes ekonomike në SHBA, duke thënë se ai ka bërë më shumë se secili presidenti i mëparshëm amerikan.

Këto deklarata të Trumpit janë përcjellur me të qeshura në publik.

“Nuk e prita, këtë reagim, mirëpo është në rregull”, ka thënë më pas ai.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG