Ndërlidhjet

Ministria e Mbrojtjes së Ukrainës, cak i sulmeve kibernetike


Fotografi ilustruese.
Fotografi ilustruese.

Ueb-faqet e forcave të armatosura ukrainase dhe disa ministrive e bankave, ishin cak i sulmeve kibernetike më 15 shkurt, tha Qeveria ukrainase.

Ueb-faqja e Ministrisë së Mbrojtjes “ndoshta ka qenë cak i sulmeve DDoS (ndërprerje dhe pengesë në shërbime) kur u regjistrua një numër i madh i kërkesave në sekondë”, tha ministria në një postim në Twitter, duke shtuar se janë duke u përpjekur që ta rregullojnë problemin dhe ta rikthejnë qasjen.

Llogaritë e ministrisë në Facebook dhe Twitter do të përdoren si kanale zyrtare të komunikimit derisa ueb-faqja të rikthehet në operim. Dy ueb-faqe tjera, ArmyInform dhe Army FM do të përdoren po ashtu për komunikim, tha Ministria ukrainase e Mbrojtjes.

Ministria e Mbrojtjes ishte një prej të paktën dhjetë ueb-faqeve që ndaluan së funksionuari për shkak të sulmeve DDoS, raportoi Associated Press. Kjo agjenci lajmesh raportoi se Ministria e Jashtme dhe ajo e Kulturës janë në mesin e atyre që ishin cak i sulmit.

Qendra për komunikim dhe siguri të informacionit e Ministrisë së Kulturës nuk tha se në kë dyshojnë se qëndron pas sulmit, por në deklaratën e lëshuar u la të kuptohet se kjo ministri dyshon se Rusia qëndron prapa sulmit kibernetik.

“Nuk mund ta përjashtojmë mundësinë që agresori ka përdorur taktika të ndyra sepse planet agresive nuk po funksionojnë në shkallë të gjerë”, tha ministria përmes një deklarate.

Raportet midis shteteve perëndimore dhe Rusisë janë të tensionuara për shkak të grumbullimit të mbi 130,000 trupave ruse pranë kufirit me Ukrainën, që ka rritur frikën se Moska është duke u përgatitur që ta pushojë Ukrainën. Moska mohon se ka plane të tilla.

Cak i sulmeve kibernetike të 15 shkrutit ishin edhe dy banka: Privatbank dhe Oschadbank.

Pasi sulmet kibernetike të janarit goditën institucionet ukrainase, Bashkimi Evropian kishte deklaruar se do të ndihmonte Ukrainën që të përballej me sulme kibernetike ndaj ueb-faqeve qeveritare.

Atëbotë, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell kishte thënë se ende nuk dihet se kush qëndron pas sulmeve, por “ne mund të hamendësojmë” se kush i ka kryer ato.

Ndërkaq, më herët gjatë këtij muaji, zyrtarja e Shtëpisë së Bardhë për kibernetikë, Anne Neuberger tha se Rusia mund të përdorë sulmet kibernetike si pjesë e përpjekjeve të saj për të destabilizuar dhe për ta pushtuar Ukrainën.

Dy kompani amerikane të teknologjisë Microsoft and Rrjeti Palo Alto, më 4 shkurt kanë thënë se një grup i hakerëve që Ukraina thotë se kontrollohet nga inteligjenca ruse, ka shënjestruar një sërë organizatash në Ukrainë.

XS
SM
MD
LG