Ndërlidhjet

A ka rrezik për mungesë të ujit të pijshëm në Kosovë?


Ilustrim.
Ilustrim.

Temperaturat e larta që kanë prekur shumë vende të Evropës, kanë rikthyer një nga shqetësimet e shpeshta në Kosovë rreth rrezikut nga mungesa e sasisë së mjaftueshme të ujit të pijshëm për popullatën e këtushme.

Vala e nxehtësisë, po parashihet të përfshijë edhe Kosovën. Në raste të tilla kur stina e verës karakterizohet me temperatura të larta e reshje të pakta shiu, kryesisht mund të sjellë si pasojë rënien e nivelit të ujit në liqenet akumuluese në vend, duke shkaktuar reduktime në furnizimin me ujë të pijshëm në disa zona.

Në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, e cila, krahas hartimit dhe zbatimit të politikave dhe legjislacionit, është përgjegjëse për menaxhimin e resurseve ujore në Kosovë, nuk kanë dhënë asnjë detaj lidhur me gjendjen dhe rezervat e ujit në vend.

Megjithatë, një pasqyrë për gjendjen e kanë dhënë në Shoqatën e Ujësjellësve të Kosovës (SHUKOS), e cila është organizatë joqeveritare e kompanive të ujësjellësve.

Kryetari i Bordit të SHUKOS-it, Muhamed Suliqi, tha për Radion Evropa e Lirë, se përveç komunës së Gjilanit, e cila ka probleme me rezervat e ujit, në zonat tjera të Kosovës gjendja është stabile dhe nuk ka rrezik për ndonjë krizë të afërt të mungesës së ujit të pijshëm.

“Sa i përket gjendjes së burimeve ujore, për momentin vetëm në Gjilan ka ndikuar thatësia, ndërsa Prishtina e ka bërë zgjidhjen e problemit të furnizimit me ujë të pijes prej Ibër-Lepencit. Ndërsa kompanitë tjera Radoniqi, Hidroregjioni jugor, Hidrodrini, Bifurkacioni nuk i kanë këto probleme të theksuara të ujit, sikurse Gjilani”, vlerësoi Suliqi.

Derisa tregoi se edhe në liqenin e Badovcit vërehet rënie e nivelit të ujit, sipas Suliqit, “Prishtina e ka rrezikun më të vogël, pas ndërtimit të fabrikës në Shkabaj”.

Rënien e nivelit të ujit në Badovc e kanë konfirmuar edhe në Ujësjellësin Rajonal “Prishtina”.

Kryeshefi ekzekutiv i kësaj ndërmarrjeje, Ilir Abdullahu, tha për Radion Evropa e Lirë, se pos Badovcit, rënie të lehtë ka edhe në Batllavë. Sipas tij, “gjendja në Batllavë është shumë më e mirë, ndërsa në liqenin e Badovcit, i cili përveç vitit të kaluar kur kishte nivel maksimal, rënia e tanishme është e përafërt me nivelet e krahasuara ndër vite”.

Megjithatë, Abdullahu vlerëson se “aktualisht situata është stabile, me furnizim të pandërprerë me ujë”. Por, ai u bën thirrje qytetarëve për kursim dhe moskeqpërdorim të ujit të pijshëm.

“Fatmirësisht ndërtimi i fabrikës së ujit në Shkabaj ka ndihmuar në furnizimin me ujë 24 orë, mirëpo njëkohësisht edhe të mund të menaxhojmë rëniet e niveleve në Batllavë dhe Badovc, që ato të mos jenë të shpejta. Kjo është diçka e mirë, por ne nuk mund të parashikojmë sa mund të shkojë kjo valë e thatësisë, dhe kur e dimë edhe Batllava edhe Badovci janë liqene që varen nga reshjet e shiut dhe borës”, tha Abdullahu.

Ndërkohë, për shkak të rënies së konsiderueshme të nivelit të ujit në Pendën e Përlepnicës, ka disa javë që Gjilani është në një situatë më të vështirë të furnizimit me ujë të pijshëm. Pas keqësimit të situatës kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka shpallur gjendje emergjente në këtë komunë.

“Qytetarët nuk kanë nevojë të shqetësohen, por duhet të ketë kursim. Uji të përdoret vetëm për nevoja të domosdoshme dhe jo më për ujitje të kopshteve, rrugëve, trotuareve dhe nga autolarjet”, kishte deklaruar Haziri, teksa po fliste për krizën me mungesën e ujit të pijshëm.

Kurse, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në një postim në Facebook, tha se me autoritetet përgjegjëse në Qeverinë e Kosovës po i diskutojnë modalitetet e tejkalimit të situatës emergjente dhe gjetjen e një zgjidhje të qëndrueshme.

Ndërkohë, Muhamed Suliqi, i cili është edhe Kryeshef Ekzekutiv i Ujësjellësit “Hidromorava” në Gjilan, tha për Radion Evropa e Lirë, se për shkak të mungesës së reshjeve atmosferike niveli i ujit në Pendën e Përlepnicës ka rënë në 16 metra, duke iu afruar pikës kritike në vetëm tri (3) metra.

“Niveli maksimal është 30 metra, ndërsa kemi rënë në 16 metra, kemi rënë nën gjendjen e rëndomtë, ku jemi afër pikës kritike që të hyjmë në gjendje të jashtëzakonshme. Në pikën kritike hyjmë në 13 metra të nivelit të ujit dhe deri në shtatë metra mund të marrim ujë, nën shtatë metra jo sepse nuk është uji i papijshëm”, tha Suliqi.

Penda e Përlepnicës është burimi kryesor i ujit të pijes në Gjilan, krahas tri burimeve më të vogla: Gurit të Hoxhës, Banjës dhe puseve në Velekincë.

Nga Përpelnica, sipas Suliqit, furnizohen me ujë të pijes rreth 60 për qind e qytetarëve të komunës së Gjilanit, e cila sipas regjistrimit të fundit të popullsisë (2011) ka më shumë se 90 mijë banorë.

Ai është i brengosur nga përsëritja e thatësisë ndër vite, e po ashtu për atë se situata mund të përkeqësohet gjatë muajve të verës “për shkak të rritjes së konsumit për 30-32 për qind nga ardhja e bashkatdhetarëve në pushime”.

Ndryshe, sipas ekspertit të meteorologjisë, Sylë Tahirsylaj, edhe pse kjo verë do të jetë më e nxehtë sesa ajo e vitit paraprak, “qytetarët e Kosovës nuk duhet të shqetësohen, pasi do të ketë reshje të shiut në nivel mesatar”.

“Sipas përllogaritjeve të kushteve atmosferike, përkatësisht të motit për këtë vit, rezulton që vit do të jetë pak më i nxehtë se viti i kaluar, për zero prejse tetë gradë (0.8), do të ketë reshje, do të ketë plotësim të liqeve me ujërat akumuluese, meqenëse muajin që po e lëmë pas ka pas një sasi të reshjeve, kanë rënë diku mbi 100 litër për metër katror. Por, stina e verës i pakëson nivelet e ujëmbledhësve, për arsye se ka keqpërdorim të ujit për ujitje e fushës, luleve, kopshteve, oborreve etj., por nuk ka nevojë që të shqetësohen qytetarët, për cilindo territor të vendit tonë, sepse do të ketë reshje dhe këto reshje janë në vlerat shumëvjeçare mesatare”, theksoi Tahirsylaj.

Aktualisht, qytetarët e Kosovës furnizohen nga disa burime natyrore dhe artificiale të ujërave.

Liqeni i Ujmanit (Gazivoda) në Zubin Potok, Batallava në Podujevë, Badovci në Prishtinë, Radoniqi në Gjakovë dhe Përlepnica në Gjilan, krahas lumenjve Drini i Bardhë në Rrafshin e Dukagjinit, Ibrit në Mitrovicë, Moravës së Binçës në Anamoravë, dhe Lepencit në jug, janë disa prej burimeve kryesore të ujit të pijshëm në Kosovë.

XS
SM
MD
LG