Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara e kanë hartuar një “kornizë prosperiteti” për Ukrainën, e cila parasheh ofrimin e garancive financiare për Kievin, bashkë me garancitë e sigurisë, për ta stabilizuar këtë vend pasi të përfundojë lufta e nisur nga Rusia.
Dokumenti prej 18-faqesh, të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë, përcakton se ndonëse plani është që të mblidhen 800 miliardë dollarë për Ukrainën deri më 2040, synimi i menjëhershëm është që të sigurohen 500 miliardë dollarë në dekadën e ardhshme për të nisur procesin e rindërtimit.
Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe institucionet financiare ndërkombëtare – përfshirë Fondin Ndërkombëtar Monetar dhe Bankën Botërore – do të merrnin pjesë në fazën fillestare duke ndarë 317 miliardë dollarë për rindërtim, 57 miliardë dollarë për banim kolektiv dhe rreth 126 miliardë dollarë për ndërtim të ndërtesave publike dhe private.
Kompensimi për viktimat do të bëhej përmes një mekanizmi të ndarë që shënjestron asetet e ngrira të Rusisë në Perëndim.
Duke folur javën e kaluar, teksa diskutohej për kornizën në një takim joformal mes anëtarëve të Këshillit Evropian, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka thënë se “duket që mund ta përshpejtojmë procesin e prosperitetit të Ukrainës sapo të arrijmë një armëpushim paqësor”.
“Po flasim për një dokument që përfaqëson vizionin kolektiv të ukrainasve, amerikanëve dhe Evropës, për të ardhmen e Ukrainës pas luftës”, ka thënë ajo.
Kushtet dhe afatet për Ukrainën
Pjesa më e madhe e planit varet se kur do të përfundojë lufta. Por, ka edhe kushte tjera.
Përparimi i shpejtë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian përcaktohet si diçka thelbësore. Mes tjerash përmendet se shkalla e bruto prodhimit të brendshëm (GDP) të ekonomive të vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore që i janë bashkuar klubit më 2004 dhe 2007 pothuajse është trefishuar prej atëherë dhe që e njëjta gjë mund të ndodhë edhe me Kievin.
Edhe pse Ukraina shpreson që të anëtarësohet në BE para fundit të dekadës, Hungaria e ka bllokuar nisjen e bisedimeve për anëtarësim që gati dy vjet, për shkak të atyre që Budapesti i konsideron praktika diskriminuese ndaj minoritetit hungarishtfolës në atë vend – mosmarrëveshje që e ka shtyrë liderin Viktor Orban të deklarojë së fundmi që “për 100 vjet” asnjë përbërje parlamentare në Hungari nuk do të japë dritën e gjelbër për anëtarësimin e Ukrainës në bllokun evropian.
Mirëpo, ky nuk është kushti i vetëm që përmendet në dokument.
Sipas plani, “rikthimi i qasjes së Ukrainës në tregjet e borxhit sovran është një tjetër hap kritik”, përmes së cilit “bankat do të mund të fokusoheshin në financimin e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, dhe kështu do të stimulonin krijimin e vendeve të punës dhe rritjen e gjithë ekonomisë në përgjithësi”.
Aty përmendet edhe nevoja që Ukraina “të rigjejë vendin e saj në komunitetin e investitorëve globalë” që përfshin infrastrukturë të zgjeruar digjitale dhe forcim të pavarësisë dhe gjyqësorit, si dhe të drejtat pronësore".
Por, si do të sigurohen këta 800 miliardë dollarë?
Deri më tani ekzistojnë disa zotime konkrete për ndarje fondesh. Komisioni Evropian ka propozuar ndarjen e 116 miliardë dollarëve për Ukrainën në buxhetin e ardhshëm shumëvjeçar të BE-së, i cili vlen për periudhën 2028-2034.
Mirëpo, për të finalizuar gjithçka, të gjitha vendet e BE-së duhet të jenë në të njëjtën linjë në 18 muajt e ardhshëm, prandaj nuk është e qartë nëse shifra do të mbetet e njëjtë, marrë parasysh se disa kryeqytete evropiane dëshirojnë t'i zvogëlojnë shpenzimet buxhetore në përgjithësi.
“Nuk ka ende të dhëna për kontributin e planifikuar të Uashingtonit. Në letër vetëm përmendet se ‘Shtetet e Bashkuara do të përpiqen të mbledhin kapital shtesë' (grante publike dhe private dhe borxh) për të investuar në mënyrë transparente dhe efikase në Ukrainë”.
Autorët vlerësojnë, gjithashtu, se kthimi i 2.1 milionë migrantëve në dy vjetët e para pas përfundimit të luftës mund ta rrisë produktivitetin për 5 për qind si dhe potencialin për rritje ekonomike.
Pjesa tjetër e fondeve pritet të sigurohet nga “kreditë koncesionale nga institucione financiare ndërkombëtare, grante dhe filantropi” si dhe Ukraina “mund ta shqyrtojë shitjen e të drejtave minerale si mundësi tjetër për ta përfshirë kapitalin privat në Ukrainë”.
Investimi në ardhmen e Ukrainës
Megjithatë, korniza aktuale nuk ofron shifra specifike. Në shtojcë përmendet se ndonëse sektori ukrainas i mineraleve ofron mundësi të mëdha investimi, megjithatë ky sektor i ka sfidat e veta, përfshirë nevojën për kohë më të gjatë për projekte me litium, nevojën për të qenë në përputhje me standardet globale dhe nevojën për përditësim të të dhënave teknologjike dhe gjeologjike për t’i mbështetur iniciativat e reja”.
Përveç sektorit të mineraleve, Brukseli dhe Uashingtoni i kanë sytë edhe te fushat tjera për investime.
Njëra prej tyre ka të bëjë me mbi 3.000 kompani shtetërore që mund të privatizohen.
Aty përmendet edhe rindërtimi i 25 mijë kilometrave rrugë.
Sa i përket sektorit të energjisë, ka hapësirë për ndërtim të gjashtë reaktorëve të rinj bërthamorë në Hmelnitski dhe Rivne.
Në dokument përmendet se “Shtetet e Bashkuara, dhe potencialisht kompanitë amerikane, synojnë të bashkëpunojnë me Ukrainën përmes bashkë-investimit për të rritur, modernizuar dhe operuar me infrastrukturën e gazit në Ukrainë, e cila përfshin gazsjellës dhe magazina për ruajtje”.