Ndërlidhjet

Uria e lidhur me koronavirusin "po çon në vdekjen e 10,000 fëmijëve në muaj"


Një doktor në Jemen, trajton një fëmijë të kequshqyer. Foto nga arkivi.
Një doktor në Jemen, trajton një fëmijë të kequshqyer. Foto nga arkivi.

Periudha e korrje-shirjeve po afrohet për fëmijët e Burkina Fasos. Mirëpo në këtë kohë, pritja e gjatë është duke sjellur urinë më të madhe që është përjetuar ndonjëherë.

Kjo uri ka prekur edhe Haboue Solange Boue, foshnje, e cila muajin e kaluar ka humbur 2.5 kilogramë nga 5.5 sa ka pasur në total.

Teksa tregjet janë mbyllur për shkak të pandemisë me koronavirus, familja e saj ka shitur më pak pemë dhe perime. Nëna e saj është tejet e kequshqyer për t’u kujdesur për të.

“Foshnja ime”, dëgjohet duke thënë Danssanin Lanizou, teksa qan dhe shpalos mbulesën për të treguar trupin e fëmijës.

Foshnja qan pa zë.

Në gjithë botën, koronavirusi dhe kufizimet që lidhen me të janë duke shtyrë komunitetet e varfra në prag të gjithçkaje, duke u pamundësuar shitjet bujqve dhe duke izoluar fshatrat nga ndihmat ushqimore dhe ato mjekësore.

Shumë shtete përfshihen nga koronavirusi dhe uria
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:06:21 0:00

Kthimi i tragjedive individuale në katastrofa të përgjithshme

Uria e lidhur me virusin është duke ndikuar në 10,000 vdekje shtesë të fëmijëve brenda një muaji përgjatë vitit të parë të pandemisë, është thënë në një thirrje urgjente për veprim të Kombeve të Bashkuara, e cila është ndarë me agjencinë e lajmeve, The Associated Press, para se të publikohet në revistën shkencore, Lancet.

Përveç kësaj, çdo muaj 550,000 fëmijë tjerë janë duke u përballur me atë që sipas OKB-së konsiderohet kequshqyerje dhe e cila rezulton me gjymtyrë të dobëta dhe bark të fryrë.

Përgjatë një viti, kjo shifër do të rritet për 6.7 milionë, në krahasim me 47 milionë fëmijë sa janë përballur me këto kushte.

Këto komplikime mund të dëmtojnë përgjithmonë shëndetin fizik dhe atë mendor të fëmijëve, duke kthyer tragjeditë individuale në katastrofa të përgjithshme.

“Ndikimi i krizës së koronaviusit në sigurinë e ushqimit do të reflektojë për shumë vjet”, ka thënë, Francesco Branca, nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

“Do të përballemi me ndikim shoqëror”.

Në Burkina Faso, shembull, një në pesë fëmijë përballet me kequshqyerje kronike.

Çmimet e ushqimit janë rritur dukshëm andaj 12 nga 20 milionë banorë të këtij shteti nuk mund të sigurojnë ushqimin e nevojshëm.

Burri i Lanizout, Yakouaran Boue, më parë ka shitur qepë për të blerë fara të ushqimeve tjera, mirëpo tani tregjet janë mbyllur.

Edhe tani, një çantë 50-kilogramëshe me qepë shitet për më pak se 1 dollar, që i bie më pak fara për vitin e ardhshëm.

“Jam i shqetësuar se këtë vit nuk do të kemi mjaftueshëm ushqim për ta ushqyer atë”, ka thënë ai, duke shikuar vajzën në kraharorin e gruas së tij.

“Frikësohem se do të vdesë”.

“Koronavirusi mund të shkaktojë uri globale ‘të përmasave biblike’”

Nga Amerika Latine deri në Azinë Jugore, më shumë familje se kurrë më parë, janë duke shikuar përpara të ardhmen pa ushqim të mjaftueshëm. Analiza e publikuar të hënën, ka gjetur që rreth 128,000 fëmijë të vegjël do të vdesin në 12 muajt e parë të virusit.

Në muajin prill, udhëheqësi i Programit Botëror për Ushqim, David Beasley, ka paralajmëruar se ekonomia e dëmtuar nga koronavirusi mund të shkaktojë uri globale “të përmasave biblike” këtë vit.

Ekzistojnë disa faza të asaj që njihet si pasiguri ushqimore; uria shpallet zyrtarisht kur bashkë me masat tjera, 30 për qind e popullsisë vuan nga komplikimet fizike.

Kjo agjenci ka vlerësuar në muajin shkurt se një në tre fëmijë në Venezuelë është përballur me uri, meqë inflacioni pati ulur shumë paga dhe ka detyruar miliona persona që të ikin.

Më vonë ka arritur virusi.

“Prindërit e fëmijëve janë pa punë”, ka thënë Annelise Mirabal, e cila punon me një fondacion që u ndihmon fëmijëve të kequshqyer në Marakaibo në Venezuelë, njëherësh qytetin e prekur më së keqi nga pandemia.

“Si do t’i ushqejnë ata fëmijët e tyre?”

Këto ditë, shumë pacientë të rinj janë fëmijë të migrantëve, të cilët janë duke bërë rrugë të gjatë nga Peruja, Ekuadori apo Kolumbia drejt Venezuelës, ku familjet e tyre ose nuk kanë punë ose nuk kanë mundësi të blejnë ushqim gjatë pandemisë.

“Çdo ditë ne pranojmë ndonjë fëmijë të kequshqyer”, ka thënë mjeku Francisco Nieto, i cili punon në një spital në shtetin kufitar, Taçira. Ai ka thënë se ata duken si fëmijë “që nuk i kemi parë për kohë të gjatë në Venezuelë”, duke aluduar në urinë e disa pjesëve të Afrikës.

Nieto ka thënë se grupet e ndihmave kanë bërë pak punë, pasi aktivitetet e tyre kanë qenë të kufizuara për shkak të përhapjes së sëmundjes COVID-19, që shkakton koronavirusi.

Në Taçira ishte krijuar një shtëpi për fëmijët e kequshqyer pasi ata janë liruar nga spitali, mirëpo e njëjta tani është funksionit.

Fëmijët tani dërgohen nëpër familjet e tyre, shumica e të cilëve nuk arrijnë të ushqehen si duhet.

“Është shumë zemëruese”, ka thënë Nieto.

“Fëmijët humbin”.

Efektet afatgjata të kequshqyerjes

Rritja e numrit të fëmijëve të vdekur mund të ndikojë në përparim global për herë të parë në disa dekada. Vdekjet e fëmijëve nën moshën pesëvjeçare kanë pësuar ulje nga viti 1980, përkatësisht në 5.3 milionë në gjithë botën më 2018, është thënë në Agjencinë për Fëmijë të Kombeve të Bashkuara, UNICEF.

Rreth 45 për qind e këtyre vdekjeve janë lidhur me probleme në ushqyerje.

Liderët e katër agjencive ndërkombëtare – Organizatës Botërore të Shëndetësisë, UNICEF-it, Programit Botëror të Ushqimit dhe Organizatës për Ushqim dhe Agrikulturë – kanë bërë thirrje për të ndarje të të paktën 2.4 miliardë dollarëve për të adresuar urinë.

Vendet e varfra, të goditura nga virusi dhe uria
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:04:47 0:00

Përveç parave, kufizimet në lëvizje duhet të largohen, në mënyrë që familjet të pranojnë trajtim, ka thënë Victor Aguayo, udhëheqës i programit për ushqim të UNICEF-it.

“Duke mbyllur shkollat, duke penguar shërbimet për shëndet primar, dhe duke i bërë jofunksionale programet për ushqim, ne po ashtu jemi duke shkaktuar dëm”, ka thënë Aguayo.

Situata në Afganistan, Jemen, Afrikën sub-Sahariane

Në Afganistan, kufizimet në lëvizje u kanë pamundësuar shumë familjeve që të dërgojnë fëmijët e tyre të kequshqyer nëpër spitale.

Në spitalin Indira Gandhi në Kabul, kanë qenë vetëm tre apo katër fëmijë të kequshqyer, ka thënë specialisti, Nematullah Amiri.

“Transporti në mes të Kabulit dhe provincave nuk është lejuar rregullisht dhe njerëzit kanë qenë të frikësuar nga koronavirusi”, ka sqaruar Amiri.

Afganistani aktualisht është në zonën e kuqe sa i përket urisë, pasi kequshqyerja te fëmijët është rritur nga 690,000 në janar, në 780,000 — rritje prej 13 për qind sipas UNICEF-it.

Çmimet e ushqimeve janë rritur për më shumë se 15 për qind, ndërkohë që një studim i fundit nga Universiteti Johns Hopkins ka dhënë shenja se 13,000 afganë më të rinj se 5 vjeç do të mund të vdesin.

Në Jemen, kufizimet në lëvizje po ashtu kanë bllokuar shpërndarjen e ndihmave, pa harruar edhe zvogëlimin e pagës dhe rritjen e çmimeve.

Shteti më i varfër i botës arabe është duke përballur edhe më rënie të remitencave dhe humbje të fondeve nga agjencitë humanitare.

Në raportin e UNICEF-it është parashikuar që numri i fëmijëve të kequshqyer mund të arrijë në 2.4 milionë në fund të vitit, çka përbën rritje prej 20 për qind.

Megjithatë, disa nga zonat që përjetojnë më së keqi urinë gjenden në Afrikën sub-Sahariane.

Në Sudan, 9.6 milionë njerëz janë duke jetuar nga një shujtë te tjetra, në pasiguri të madh ushqimore – çka përbën rritje prej 65 për qind nga periudha e njëjtë e një viti më parë.

Përgatiti: Krenare Cubolli
XS
SM
MD
LG