Ndërlidhjet

Pse e mori pushtetin ushtria në Mianmar?


Ushtarët qëndrojnë në një pikë kontrolli të Mianmarit në rrugën që çon në kompleksin e Kongresit. Myanmar, 1 shkurt 2021.
Ushtarët qëndrojnë në një pikë kontrolli të Mianmarit në rrugën që çon në kompleksin e Kongresit. Myanmar, 1 shkurt 2021.

Liderja e Mianmarit, Aung San Suu Kyi dhe zyrtarë tjerë të lartë të partisë në pushtet, janë arrestuar të hënën, më 1 shkurt, ka thënë zëdhënësi Lidhjes Kombëtare për Demokraci.

Ndalimi i tyre ndodhi pasi ushtria e fuqishme e Mianmarit, javën e kaluar, kërcënoi se do të “marrë masa” në lidhje me pretendimet për mashtrime në zgjedhje nga ana e Lidhjes Kombëtare të Demokracisë (NLD), të cilën e udhëheq Aung San Suu Kyi.

Suu Kyi është një ish e burgosur politike dhe figura kyçe e luftës së gjatë të Mianmarit kundër diktaturës.

Partia e saj fitoi 83 për qind të vendeve në zgjedhjet e 8 nëntorit, që vlerësoheshin si një lloj referendumi për qeverinë e saj.

Kush e udhëheq Mianmarin?

Fituesja e Çmimit Nobel për Paqe, Suu Kyi, 75 vjeçe, e mori pushtetin pas një fitoreje bindëse në zgjedhjet e vitit 2015. Ardhja e saj në pushtet pasoi vite të tëra të qëndrimit të saj në arrest shtëpiak, për shkak të luftës së saj për demokraci.

Këto përpjekje të saja e shndërruan atë në ikonë ndërkombëtare.

Pozicioni i saj në arenën ndërkombëtare u dëmtua pasi qëndra mijëra myslimanë ikën për shkak të operacioneve të ushtrisë. Por, megjithatë ajo mbeti shumë e popullarizuar brenda vendit.

Ushtria, si arkitekte e Kushtetutës së Mianmarit të vitit 2008 dhe demokracisë së re, e sheh veten si një kujdestare të unitetit kombëtar dhe Kushtetutës. Ajo i ka siguruar vetes një rol të përhershëm në sistemin politik të vendit, shkruan Reuters.

E njohur si Tatmadaw, ushtria posedon një përfaqësim prej 25 për qind të vendeve në parlament dhe kontrollon ministritë e Mbrojtjes, të Brendshme dhe të Kufijve, duke pasur kështu një rol të rëndësishëm në politikë.

Pse ushtria po i sfidon rezultatet e zgjedhjeve?

Ushtria pretendoi se kishte mospërputhje dhe kopjim në listat e votimit në shumë zona. Ushtria ishte e pakënaqur edhe me përgjigjen e komisionit zgjedhor ndaj ankesave të saj. Por, ushtria nuk prezantoi asnjë fakt nëse parregullsitë ishin të mjaftueshme për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve.

Ankesa e ushtrisë ishte e ngjashme me atë të Partisë për Unitet, Solidaritetit dhe Zhvillim (USDP). Kjo parti është e krijuar nga ushtria dhe ka udhëhequr me qeverinë para se ajo të lëshonte zyrtarisht pushtetin më 2011. USDP fitoi vetëm 33 nga 476 vende në Parlamentin e Mianmarit.

Si kanë reaguar partitë tjera për rezultatin zgjedhor?

Suu Kyi nuk ka bërë asnjë koment për fitoren e partisë së saj në zgjedhje dhe as për ankesat nga ana e ushtrisë. Por, partia e saj i ka quajtur të pabaza pretendimet, duke thënë se çfarëdo gabimi zgjedhor nuk do ta ndryshonte rezultatin.

Në zgjedhje garuan 90 parti. Të paktën 17 prej tyre janë ankuar për parregullsi, kryesisht të vogla. Vëzhguesit e zgjedhjeve kanë thënë se votimi nuk u shoqërua me parregullsi të mëdha. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha të enjten se nuk kishte shkelje të një shkalle të gjerë që mund të kompromentonte procesin zgjedhor.

Çfarë thotë ushtria?

Zëdhënësi i forcave të armatosura, Gjeneral brigadieri, Zaw Min Tun, përmes një konference për media të mbajtur javën e kaluar, foli për pretendimet e ushtrisë, por nuk dha përgjigje të qarta për qëllimet e saj.

Ai tha se ushtria do të "ndërmarrë veprime" dhe të përdorë të gjitha opsionet në dispozicion duke përfshirë edhe Gjykatën e Lartë.

Kur u pyet nëse ushtria do të bashkëpunojë me qeverinë dhe legjislaturën e re, ai u tha gazetarëve "prisni dhe shikoni". Ndërsa kur u pyet nëse e përjashton mundësinë e një grusht shteti ai u përgjigj: "nuk mund ta them këtë".

Të shtunën, ushtria e Mianmarit deklaroi se do të mbrojë dhe respektojë Kushtetutën dhe do të veprojë sipas ligjit.

Çfarë thotë Kushtetuta?

Në bazë të Kushtetutës së Mianmarit, komandanti i përgjithshëm i ushtrisë mund të marrë pushtetin vetëm në rrethana ekstreme. Këto raste përfshijnë "shpërbërjen e unionit, solidaritetin kombëtar dhe humbjen e pushtetit sovran". Ushtria këtë mund ta bëjë vetëm gjatë një gjendjeje të jashtëzakonshme, e cila mund të deklarohet vetëm nga presidenti civil.

Komandanti i përgjithshëm, Gjenerali Min Aung Hlaing, shkaktoi polemika javën e kaluar kur i tha personelit ushtarak se Kushtetuta është "nëna e të gjitha ligjeve" dhe nëse nuk respektohet, ajo duhet të revokohet. Ai përmendi raste të mëparshme kur kjo kishte ndodhur në Mianmar.

Reagimet ndërkombëtare

Qeveritë dhe organizatat ndërkombëtare dënuan grusht shtetin, duke thënë se ky akt zvarrit reformat e kufizuara demokratike të Mianmarit.

Shtetet e Bashkuara, Australia dhe vendet evropiane thanë se ishin të alarmuara nga grushti i shtetit dhe ndalimi i udhëheqësve të qeverisë.

"Kredibiliteti i Mianmarit në skenën botërore ka marrë një goditje masive. Ky është një sulm në përpjekjet për të paraqitur Mianmarinë si një demokraci", tha Linda Lakhdhir, një këshilltare ligjore në organizatën Human Rights Watch.

Një senator amerikan ngriti mundësinë që Shtetet e Bashkuara të mund të vendosnin përsëri sanksione ekonomike, të cilat SHBA-ja i hoqi në kohën kur Mianmari po kalonte në sundimin civil.

"Udhëheqësit ushtarakë të Mianmarit duhet të lirojnë menjëherë udhëheqësit demokratikë të Mianmarit dhe të largohen nga qeveria", tha senatori demokrat Bob Menendez, transmeton AP.

Ish-diplomati amerikan, Bill Richardson, tha se administrata e presidentit amerikan, Joe Biden dhe qeveritë e tjera duhet të veprojnë me shpejtësi për të vendosur sanksione. Ai gjithashtu vuri në dyshim aftësinë e Suu Kyi për të udhëhequr, duke pasur parasysh mbrojtjen që ajo u ka bërë veprimeve të ushtrisë kundër myslimanëve etnikë Rohingya.

Ngjarjet kryesore në Mianmar:

  • 4 janar 1948: Mianmari, i njohur atëherë si Burma, fiton pavarësinë nga sundimi britanik.
  • 1962: Udhëheqësi ushtarak Ne Win organizon një grusht shteti. Pastaj për shumë vite sundon vendin.
  • 1988: Aung San Suu Kyi, vajza e një heroi të pavarësisë, kthehet në vendin e saj derisa po zhvilloheshin protestat pro-demokracisë kundër juntës. Forcat e sigurisë hapën zjarr ndaj demonstruesve, duke vrarë qindra persona.
  • Korrik 1989: Suu Kyi, një kritike gjithnjë e më e hapur i juntës, vendoset në arrest shtëpiak.
  • 27 maj 1990: Lidhja Kombëtare për Demokraci, e themeluar nga Suu Kyi, fiton në zgjedhje, por ushtria nuk pranon ta dorëzojë pushtetin.
  • Tetor 1991: Suu Kyi nderohet me Çmimin Nobel për Paqe për luftën e saj paqësore kundër regjimit.
  • 7 nëntor 2010: Një parti pro-juntës fiton zgjedhjet e para të Mianmarit në 20 vjet.
  • 13 nëntor 2010: Suu Kyi lirohet nga paraburgimi.
  • 2012: Suu Kyi fiton ulëse në parlament, duke mbajtur për herë të parë një post publik.
  • 8 nëntor 2015: NLD shënon një fitore gjithëpërfshirëse në zgjedhjet e përgjithshme që ishin të parat të mbajtura në mënyrë të hapur që nga viti 1990. Ushtria mbajti pushtet të konsiderueshëm sipas një kushtetute që i ndaloi Suu Kyi presidencën, por u krijua pozicioni i këshilltarit të shtetit, në mënyrë që ajo të drejtojë qeverinë.
  • 25 gusht 2017: Kryengritësit sulmojnë pikat ushtarake në shtetin perëndimor të Rakhines, duke vrarë dhjetëra persona. Ushtria përgjigjet me një goditje masive ndaj popullatës myslimane Rohingya, qindra mijëra prej të cilëve fillojnë të ikin në Bangladesh.
  • 11 Dhjetor 2019: Suu Kyi mbrojti ushtrinë në një gjykim në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë, duke mohuar që ajo kishte kryer gjenocid.
  • 8 nëntor 2020: Mianmar zhvillon zgjedhje, NLD fiton shumicën dërrmuese në parlament.
  • 29 janar 2021: Komisioni Zgjedhor i Mianmarit hedh poshtë pretendimet e ushtrisë për mashtrim në zgjedhje.
  • 1 shkurt 2021: Ushtria e Mianmarit merr kontrollin e vendit për një vit. Si arsyetim ka përmendur dështimin e qeverisë për të vepruar kundër pretendimeve të saj për mashtrim të votuesve dhe refuzimin për të shtyrë zgjedhjet e nëntorit, për shkak të krizës së koronavirusit.
Përgatiti: Kestrin Kumnova

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG