Ndërlidhjet

Aksioni në veri: Të lënduar, të arrestuar dhe barrikada


Bllokada në Mitrovicë të Veriut pas aksionit kundër kontrabandës
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:52 0:00

Bllokada në Mitrovicë të Veriut pas aksionit kundër kontrabandës

Aksioni i Policisë dhe Doganës së Kosovës kundër kontrabandimit të mallrave është pjesë e luftës së autoriteteve të Kosovës kundër kontrabandës dhe evazionit fiskal, tha ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla. Ndërkaq, nga Aleanca veri-atlantike (NATO) kanë thënë se ky aksion është "veprim për vendosjen e ligjit".

“Aksioni i sotëm në katër rajone rezultoi i suksesshëm në konfiskimin e mallrave dhe arrestimin e personve të përfshirë në kontrabandim e tyre. Ky aksion është pjesë e luftës kundër krimit të organizuar në tërë territorin e Kosovës dhe në asnjë mënyrë nuk është i drejtuar kundër qytetarëve apo lokacioneve të caktuara”, tha Sveçla në një konferencë për media të mbajtur në Prishtinë më 13 tetor.

Aksioni kundër kontrabandës u zhvillua më 13 tetor në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut. Sveçla tha se në komunat në veri të Kosovës ka pasur dhunë të shfrenuar nga “strukturat kriminale” që sipas tij tani janë të patolerueshme. Por, ai shtoi se ky operacion "nuk është i drejtuar kundër asnjë nacionaliteti".

Dhjetëra të lënduar e tetë të arrestuar

Operacioni i Policisë dhe Doganës së Kosovës - që nisi në orët e hershme të mëngjesit dhe përfundoi në mesditë - u kundërshtua nga serbët lokalë, të cilët protestuan dhe ngritën barrikada. Gjatë protestave, dhjetë zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore, dhjetë banorë të Mitrovicës së Veriut kërkuan ndihmë mjekësore, ndërkaq tetë persona janë arrestuar dhe shoqëruar në stacione policore.

“Përderisa në të gjitha rajonet tjera operacioni policor ka kaluar pa probleme, në Mitrovicë e Veriut grupe kriminale në mënyrë të organizuar janë grumbulluar, kanë krijuar bllokime të rrugëve me mjete të ndryshme transportuese, kanë përdorur bombola gazi, shok bomba, të shtëna me armë zjarri e granata dore, me qëllim të pengimit dhe sulmit ndaj zyrtarëve doganorë dhe policorë, të cilët kanë qenë në kryerje të detyrës zyrtare”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës dhe shtohet se situata në pjesën veriore të Mitrovicës është qetësuar.

Gazetarët e Radios Evropa e Lirë nga veriu raportojnë se janë hequr bllokadat e vendosura gjatë ditës në "Lagjen e Boshnjakëve" në Mitrovicë të Veriut - një nga rrugët që e lidh këtë komunë me Mitrovicën e Jugut.

Po ashtu, bllokadat në magjistralen Prishtinë-Rashkë, përkatësisht në Rudarë të Zveçanit janë hequr. Gjatë ditës, banorët lokalë bllokuan këtë rrugë, duke vendosur kamionë.

Një veturë e dëmtuar në Mitrovicë të Veriut. 13 tetor 2021.
Një veturë e dëmtuar në Mitrovicë të Veriut. 13 tetor 2021.

Policia e Kosovës njoftoi se po ashtu ka identifikuar dhjetë persona që dyshohet se janë të përfshirë në kontrabandë dhe të cilët janë shpallur në kërkim.

“Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, është duke kryer hetime intensive drejt identifikimit edhe të personave të tjerë të dyshuar të përfshirë në kontrabandë me mallra, por edhe në aktet kriminale dhe sulmet me mjete të rrezikshme, armë zjarri të kryera ndaj zyrtarëve policorë dhe atyre doganorë sot gjatë operacionit”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, dhjetë persona të përkatësisë serbe kanë kërkuar ndihmë mjekësore në spitalin e Mitrovicës së Veriut. Tetë persona janë liruar nga spitali, kurse dy janë ndaluar për trajtim, tha për Radion Evropa e Lirë, Zllatan Ellek, drejtor i Qendrës Shëndetësore në këtë komunë.

"Njëri u qëllua në pjesën e pasme në zonën e shpatullës së djathtë, brinja e tij e djathtë ishte thyer, plumbi doli në pjesën e përparme të qafës. Ai iu nënshtrua një operacioni urgjent, që ia ndaloi gjakderdhje dhe aktualisht është në kujdes intensiv, në gjendje të qëndrueshme shëndetësore. Një pacient tjetër u pranua me dëmtime në zonën e gjoksit. Gjendja e tij është e qëndrueshme dhe ai gjendet në departamentin e kirurgjisë”, tha Ellek dhe shtoi se të lënduarit kryesisht pësuan lëndime nga plumbat e gomës, gazi lotsjellës dhe shok bombat.

Përleshja mes protestuesve dhe Policisë në Mitrovicë të Veriut
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:28 0:00

Kurti: Kontrabandën do ta parandalojmë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë në një postim në Facebook se këto veprime policore janë paraprirë nga hetimet intensive dhe janë me urdhër e të bashkërenduara me prokuroritë dhe gjykatat kompetente.

"Janë sekuestruar mallra e dëshmi të tjera që paraqesin edhe prova materiale”, tha Kurti.

Ai shtoi se “kontrabandën do ta luftojmë e do ta parandalojmë”.

SHBA bën thirrje për qetësi pas aksionit të Policisë së Kosovës

Departamenti amerikan i Shtetit ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Shtetet e Bashkuara bëjnë thirrje për qetësi, pas zhvillimeve të 13 tetorit në Kosovë.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë me Bashkimin Evropian dhe NATO-n për t’iu ndihmuar të gjitha palëve që të arrijnë përparim në normalizimin e marrëdhënieve dhe ulje të tensioneve”, është thënë në përgjigje.

NATO: Aksioni, veprim për vendosjen e ligjit

Aleanca veri-atlantike, NATO tha se e sheh operacionin e Policisë së Kosovës të 13 tetorit si, “veprim për vendosjen e ligjit” dhe tha se misioni i KFOR-it në Kosovë është në komunikim me autoritetet relevante.

Një zyrtar i NATO-s tha se “Policia e Kosovës është duke kryer një operacion të zbatimit të ligjit përgjatë Kosovës” dhe se “misioni i KFOR-it, i udhëhequr nga NATO-ja është në komunikim të pandërprerë me të gjitha institucionet relevante në Kosovë dhe me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare”.

Në përgjigjen e zyrtarit të NATO-s dhënë Radios Evropa e Lirë, përsëritet se misioni i aleancës veri-atlantike në Kosovë “mbetet tërërisht i fokusuar në zbatimin e përditshëm të mandatit të OKB-së, sipas Rezolutës 1244 nga viti 1999 dhe vazhdon të sigurojë ambient të qetë, të sigurt dhe lëvizje të lirë për të githa komunitetet që jetojnë në Kosovë”.

Borrell: Veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara janë të papranueshme

Ndërkaq, më herët gjatë ditës, shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell kërkoi që “incidentet e dhunshme në veri të Kosovës të ndalen menjëherë”.

Sipas tij, veprimet “e njëanshme dhe të pakoordinuara” që vënë në rrezik stabilitetin janë “të papranueshme”.

“Të gjitha çështjet e hapura duhet të adresohen përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Ne jemi në kontakt me Prishtinën dhe Beogradin”, shkroi Borrell në Twitter.

Osmani i kundërpërgjigjet Borrellit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani iu kundërpërgjigj Borrellit, duke kërkuar që ky aksion të mos quhet "aksion në veri" dhe i bëri thirrje Bashkimit Evropian, që t'u qëndrojë besnike vlerave të saj.

“Lufta ndaj krimit të organizuar nuk e ka siglën e përkatësisë etnike, por siglën e përkatësisë në grupe kriminale. Kushdo që tenton ta paraqesë ndryshe, është ndihmëtar ndaj grupeve kriminale, të cilat BE-ja (Bashkimi Evropian) ka dy dekada që po kërkon t’i luftojmë. Tani që kjo luftë ndaj krimit është e vërtetë, e pakompromis, dhe e panegociueshme, presim që BE të qëndrojë besnike ndaj vlerave të sundimit të ligjit të cilat vetë i përfaqëson”, tha Osmani përmes një reagimi në rrjetin social Facebook.

Si shkoi aksioni policor në veri?

Gazetarët e Radios Evropa e Lirë raportuan se në Mitrovicë të Veriut, në orët e hershme të mëngjesit u dëgjuan sirenat e kamionëve të zjarrfikësve dhe autoabulancave. Qytetarët thanë se në orët e mëngjesit nisën të dëgjoheshin edhe sirena e emergjencave në këtë komunë. Policia e Kosovës u panë edhe para farmacive në veri.

Qytetarët në Mitrovicë të Veriut protestojnë kundër aksionit policor
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:43 0:00

Gaz lotsjellës është hedhur në drejtim të qytetarëve, për t'i shpërndarë ata pasi ishin mbledhur dhe nisur në drejtim të policisë. Është parë se qytetarët kanë hedhur gjësende të forta në drejtim të zyrtarëve policorë. Ndërkohë, në afërsi të "Lagjes së Boshnjakëve" gjatë ditës u vendosën kamionët në njërën nga rrugët kryesore që lidhin pjesën jugore me atë verirore të qytetit.

Në Mitrovicë të Veriut turmat u shpërndanë, ndërkaq aksioni i Policisë vazhdoi edhe në Zveçan. Në Zveçan, Policia po ashtu hodhi gaz lotsjellës pasi qytetarët hodhën në drejtim të forcave të rendit gjësende të forta.

Ndërkaq në Rudarë të Zveçanit, ekipit të Radios Evropa e Lirë i është pamundësuar puna të mërkurën nga një numër protestuesish.

Me të hyrë në Rudarë, vetura me të cilën po udhëtonte ekipi i Radios Evropa e Lirë, është ndaluar dhe është rrethuar nga rreth 50 persona, të cilët kanë kërkuar që të mos xhirohen. Në tentim për ta marrë kamerën, e kanë dëmtuar atë dhe makinën taxi, me të cilën ishte duke udhëtuar ekipi.

Kamera e dëmtuar e Ekipit të Radios Evropa e Lirë. 13 tetor 2021.
Kamera e dëmtuar e Ekipit të Radios Evropa e Lirë. 13 tetor 2021.


Ekipi i REL-it po udhëtonte në magjistralen Prishtinë-Rashkë, për të raportuar për barrikadat e vendosura në Rudarë të Zveçanit.

Serbët lokalë kishin vendosur aty kamionë, për të kundërshtuar një aksion të organizuar nga Policia dhe Dogana e Kosovës kundër kontrabandës së mallrave. Më pas kjo bllokadë u tërhoq.

Policia e Kosovës tha gjatë këtij aksioni u sekuestruan mallra dhe dëshmi të ndryshme “të kontrabanduara në vlerë prej qindra mijëra euro, të cilat shërbejnë si prova materiale, të cilat kanë qenë të vendosura në lokacione të ndryshme, lokale afariste, magazina/depo etj”.

Policia më herët gjatë ditës ka shpërndarë disa fotografi të mallrave të sekuestruara, ku vërehen që janë mallra ushqimore.

Policia e Kosovës ka shpërndarë disa fotografi ku shihet malli që është sekuestruar gjatë operacionit policor, që po vazhdon.
Policia e Kosovës ka shpërndarë disa fotografi ku shihet malli që është sekuestruar gjatë operacionit policor, që po vazhdon.

Vuçiq mbledh në Rashkë përfaqësuesit e serbëve të Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka vizituar të mërkurën qytetin e Rashkës, ku është takuar me përfaqësues politikë serbë nga Kosova.

Takimi është mbajtur në kazermën lokale, ndërsa të pranishmit kanë përfshirë zyrtarë të partisë kryesore të serbëve në Kosovë, Lista Serbe, por edhe përfaqësues të ushtrisë së Serbisë, si dhe qytetarë serbë nga Kosova.

Këta të fundit, siç raporton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë, kanë folur për shqetësimet e tyre, kanë kërkuar mbrojtje nga Serbia, ndërsa shqiptarët i kanë quajtur me emra fyes.

“Kam frikë se kemi dikë që është krejtësisht joracional në Prishtinë. Kemi edhe disa keqdashës në bashkësinë ndërkombëtare, të cilët sinqerisht duan konflikte edhe këtu, dhe duan të na fusin në konflikt. Sigurisht, unë do të doja të ruanim paqen, por nuk kemi zgjidhje”, tha Vuçiq.

“Unë nuk mund t’ju ftoj të hyni në konflikt me askënd. Çfarëdo që të ndodhë, Serbia dhe Beogradi do të jenë me ju. Këtë nuk po e them për formalitet. Ata që më njohin e dinë shumë mirë se çfarë do të thotë kjo”, shtoi Vuçiq.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe zyrtarët e tjerë të lartë serbë gjatë takimit në Rashkë të Serbisë më 13 tetor 2021.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe zyrtarët e tjerë të lartë serbë gjatë takimit në Rashkë të Serbisë më 13 tetor 2021.

Kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq ka thënë se nëse diçka e tillë ndodh edhe një herë, do të ketë një rezistencë të përgjithshme të popullit serb.

“Nëse diçka e tillë ndodh herën tjetër, ne do të bëjmë rezistencë të përgjithshme. Çfarë do të thotë kjo dhe sido që e kuptoni ju, president. Ne do të mbrohemi me gjithçka që kemi në dispozicion”, ka thënë Rakiq në takim.

Më herët gjatë ditës, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq ka ftuar bashkësinë ndërkombëtare që të reagojë për aksionin kundër kontrabandës që Policia dhe Dogana e Kosovës zhvilluan.

“I bëj thirrje bashkësisë ndërkombëtare, NATO-s dhe KFOR -it, që të reagojnë urgjentisht dhe të ndalin (v.j. kryeministrin e Kosovës) Albin Kurtin. Situata është më se dramatike dhe ky është momenti i fundit në të cilin është i nevojshëm një reagim i qartë për të ndaluar politikën e çmendur të ndjekur nga Prishtina. Kjo lloj sjelljeje ka tejkaluar çdo masë dhe na çon në prag të kaosit”, tha Bërnabiq përmes një komunikate për media.

Policia e Kosovës largohet nga Zveçani
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:47 0:00

AGK: Disa gazetarë u sulmuan në veri të Kosovës

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës shprehu shqetësimin për ambientin e pasigurt të punës së gazetarëve, që gjatë 13 tetorit raportuan nga komunat në veri të Kosovës.

AGK-ja tha se janë raportuar se janë sulmuar disa gazetarë në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq.

“AGK-ja fton Policinë e Kosovës që të ofrojë siguri për gazetarët që të kryejnë punën e tyre në formë të papenguar”, thuhet në reagimin e AGK-së.

XS
SM
MD
LG