Ndërlidhjet

Maqedoni: Viti i ri shkollor me probleme të vjetra


Ilustrim

Viti i ri shkollor ka filluar me probleme të vjetra në më shumë shkolla të Maqedonisë, të trashëguara nga vitet e kaluara, si mungesa e kushteve për mësim, mungesë të teksteve shkollore, ndërsa shumë prej teksteve tjera edhe këtë viti janë me gabime të shumta përmbajtjesore, gjuhësore, e madje edhe nxitëse dhe me paragjykime etnike.

Ministrja e Arsimit, Renata Deskoska, ka pranuar se nxënësit do të përballen me probleme sa i përket cilësisë së arsimit dhe kushteve nëpër shkolla, por ka theksuar se dikasteri që ajo drejton po punon për evitimin para se gjithash të gabimeve në tekstet shkollore. Disa prej tyre edhe janë tërhequr nga procesi mësimor deri në hartimin e teksteve të reja.

Këtë do ta bëjnë grupe ekspertësh, për të gjitha lëndët, jo vetëm për historinë, shoqërinë por për të gjitha lëndët. Pra, revidimi i teksteve shkollore do të jetë pjesë e një procesi të gjerë që do të përfshijë ekspertët e fushës. Ky është një proces që do të zgjasë, por që do të kryhet në të mirën e nxënësve dhe të gjithë shoqërisë, meqë opinioni shpesh është përballur me shembuj të ndryshëm në tekstet shkollore, me konstatime të gabuara, fjalor të urrejtjes, qëndrime diskriminuese e kështu me radhë”, ka deklaruar ministrja e Arsimit, Renata Deskoska.

Ajo gjithashtu ka bërë të ditur edhe nisma tjera për ndryshimin e planeve mësimore, shkurtimin e orëve për nxënësit për shkak të ngarkesës së madhe, por edhe krijimin e kushteve më cilësore në arsim.

Se arsimi në Maqedoni po përballet me probleme të shumta, flasin edhe nga Plenumi i Mësimdhënësve, një organizatë që ka qenë ndër më të zëshmet me kërkesën për reforma dhe përmirësimin e kushteve në shkolla dhe ngritjen e cilësisë në arsim.

Enver Ajdini nga kjo shoqatë, që pretendon të shndërrohet edhe në organizatë sindikale, thotë se problemet në arsim nuk kanë fund që nga cilësia, mungesa e objekteve shkollore, tekstet mësimore përplot me gabime, numri i madh i nxënësve, mungesa e transportit, rrogat e ulëta të arsimtarëve, e probleme tjera.

Një nga problemet më të rëndësishme, sidomos në shkollat me mësim në gjuhën shqipe është numri jashtëzakonisht i madh i nxënësve në një klasë. Pra, ne vlerësojmë se numri patjetër të zvogëlohet dhe të mos jetë më i madh se 20 apo 24, e jo si tani që ndodhë një klasë të ketë mbi 35 e më shumë nxënës. Sidomos problem i theksuar është edhe ai me tekstet shkollore, që nuk janë profesionale, por me gabime të shumta si në aspektin teknik, gjuhësor, por edhe më gjuhë të urrejtjes në përmbajtjen e teksteve mësimore. Kemi edhe shumë probleme tjera, përfshirë edhe mungesën e transportit të nxënësve në shkollat rurale”, thotë Ajdini.

Ai thotë se reformat e nisura nga Qeveria e kaluar janë bërë pa konsultime paraprake, që kanë çuar në dështimin e tyre ende pa nisur të realizohen. Këtu Ajdini veçon programet e Kembrixhit që kanë dështuar për shkak të mos studimit të mirë nëse këto programe mund të zbatohen në Maqedoni, ku shkollat ende përballem me problemet më elementare.

Qeveria e mëparshme vendosi disa reformat ë cilat nuk u pritën sikur tek mësimdhënësit, ashtu edhe tek nxënësit, duke filluar që nga projekti i Kembrixhit. Si projekt nuk është i keq, por kushtet në vendin tonë nuk janë për një projekt të tillë. Ne nuk mund të kopjojmë projekte nga vendet e zhvilluara botërore, pasi atje veprohet ndryshe kur vendoset për një reformë. Së pari krijohen kushtet e pastaj nis zbatimi i saj, por te ne ndodhë e kundërta, nisin reformat pa pasur as kushtet minimale për realizimin e saj”, thotë Ajdini.

Mësimin në arsimin fillor në Maqedoni e ndjekin rreth 185 mijë nxënës apo rreth 1.7 për qind më pak se në vitin e kaluar. Për herë të parë në bankat shkollore do të ulen rreth 20 mijë nxënës. Në shkollat e mesme mësimin e ndjekin rreth 90 mijë nxënës ndërsa rreth 17 mijë për herë të para janë regjistruar në vit të parë.

XS
SM
MD
LG