Ndërlidhjet

Osmani për Asociacionin: Mbështes çdo iniciativë që s’ka kompetenca ekzekutive


Osmani: Shoh vullnet politik në BE për mosbllokimin e procesit të vizave
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:27:33 0:00

Osmani për REL: Mësimdhënësit të paguhen nëse kompensohet mësimi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, thotë se në takim me udhëheqësit e Francës dhe Gjermanisë i është kërkuar të intensifikohet procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë në Pragë, Osmani thotë se Serbia do që “ta zvarrisë përgjithmonë këtë proces”.

Në lidhje me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për krijimin e të cilët dy vendet kanë një marrëveshje, Osmani thotë se mbështet “çdo iniciativë që nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.

“Komunave tashmë u lejohet që të bashkohen në asociacione multietnike, pa kompetenca ekzekutive, pra si OJQ”, thotë ajo.

Sa i përket moszbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për tokën e Manastirit të Deçanit, Osmani thotë se ai vendim bazohet "në vendime diskriminuese të kohës së Millosheviqit" dhe shton se Kosova duhet të jetë "e kujdesshme për precedentin që krijohet nga një vendim i tillë".

Osmani, po ashtu, flet për grevën në sektorin e arsimit dhe thotë se mësimdhënësit që nuk kanë mbajtur orë gjatë shtatorit, duhet të paguhen nëse i kompensojnë ato.

Vjosa Osmani
Vjosa Osmani

Radio Evropa e Lirë: Zonja presidente, ndodheni në Pragë, ku keni marrë pjesë në Samitin inaugurues të Bashkësisë Politike Evropiane, pjesë e së cilës është ftuar të bëhet edhe Kosova. Çfarë përfiton Kosova nga ky komunitet?

Vjosa Osmani: Kjo është një platformë e re e të gjitha shteteve të kontinentit evropian që ka për qëllim të nxisë edhe më shumë dialogun politik ndërmjet shteteve, të cilat marrin pjesë si të barabarta. Në njëfarë mënyre, të gjitha së bashku, pa marrë parasysh a janë shtete të mëdha apo të vogla, a janë anëtare të Bashkimit Evropian apo jo, e kanë një lloj pronësie mbi këtë iniciativë. Pra, është një përpjekje e përbashkët. Dhe, sipas vetë presidentit Macron, i cili është ideator i kësaj iniciative, kjo platformë është një diskutim, apo një dialog mes të barabartëve. Ky është shpjegimi më i mirë i asaj që synohet.

Është një iniciativë e re, ku diskutohen sfida të përbashkëta, gjenden zgjidhje përpara, por edhe arrihet dakordim për veprimet, me të cilat ne do t’i zgjidhim ato sfida me të cilat ballafaqohemi si kontinent. Dje [6 tetor] ishte vetëm takimi i parë. Rrjedhimisht, diskutimet kanë qenë të fokusuara në pasojat e luftës së Rusisë në Ukrainë, pastaj [te] çështja e ekonomisë dhe energjisë, paqja dhe siguria në kontinentin evropian.

Secili shtet ka pasur mundësinë që të japë kontributin e vet, t’i paraqesë kërkesat e veta. Përveç platformës së përbashkët, ku të gjithë kemi diskutuar me njëri-tjetrin, ka qenë edhe një mundësi e shkëlqyeshme, sidomos për ne si Kosovë, që të takojmë shumicën dërrmuese të liderëve edhe në baza bilaterale, dhe të shtyjmë përpara çështje që janë në interes nacional të Kosovës, siç është çështja e liberalizimit të vizave, anëtarësimi në organizata ndërkombëtare - sidomos tani në Këshillin e Evropës që është prioriteti i parë i Kosovës... sa u përket sfidave ose të ardhmes multilaterale, por edhe tema të tjera që janë të interesit dypalësh.

Pra, ishte një mundësi e shkëlqyeshme, ku Kosova është e barabartë edhe me 43 shtete të tjera pjesëmarrëse në këtë forum. Besoj që do të jetë një platformë e mirë, ku do të dëgjohet zëri ynë, ku do të mund t’i paraqesim shqetësimet tona, por edhe kontributin tonë të rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajon, e rrjedhimisht në gjithë kontinentin evropian.

Optimizëm i kujdesshëm për vizat

Radio Evropa e Lirë: E përmendët liberalizimin e vizave. Në BE duket se tani ka një disponim pozitiv për ta çuar përpara këtë proces. A keni marrë garanci se nuk do të bllokohet?

Vjosa Osmani: Ashtu siç ju kam njoftuar edhe me datën 23 qershor, kur isha prezente në Samitin e Bashkimit Evropian, mendoj se kthesa ka qenë pikërisht në atë takim. Aty kam pasur mundësinë të diskutoj me shumicën dërrmuese të liderëve të Bashkimit Evropian, përfshirë ata që deri në ato momente ishin hezitues. Nuk ka pasur asnjë lider të vetëm që ka shprehur ndonjë shqetësim, apo qëndrim kundër liberalizimit të vizave për Kosovën.

Kjo, në masë të madhe, është edhe [për faktin] se është krijuar një momentum i ri në Evropë - ku BE-ja dëshiron t’i kryejë detyrat e veta, sa u përket shteteve që aspirojnë të jenë pjesë e BE-së dhe e sheh këtë edhe si interes strategjik të vetë saj - por, mbi të gjitha, për shkak të reformave që janë ndërmarrë në këtë një vit e gjysmë në fushën e sundimit të ligjit. Pra, të gjitha këto përmenden si argumente kryesore përse BE-ja dëshiron që të japë një sinjal pozitiv, një dritë të gjelbër në raport me Kosovën në veçanti, por edhe me rajonin në përgjithësi.

Edhe në takimet e djeshme që kisha - diku me mbi 25 liderë, shumë prej të cilëve janë edhe në BE dhe kanë rol determinues për çështjen e vizave - nga të gjithë kam marrë përkrahjen e plotë për çështjen e liberalizimit të vizave. Natyrisht, ka pasur shtete që e kanë pritur konfirmimin e ri nga ana e Komisionit Evropian. Ky komision e ka rikonfirmuar çështjen e përmbushjes së kritereve dje.

Përveçse ka konfirmuar që kriteret janë përmbushur që nga viti 2018, ka treguar se çfarë reformash të rëndësishme janë ndërmarrë nga institucionet e Kosovës këtë një vit e gjysmë si një, do të thosha, shtysë pozitive për shtetet anëtare. Të gjithë me të cilët kam biseduar, që kanë pasur hezitime më herët, e kanë përmendur pikërisht çështjen e reformave këtë një vit e gjysmë si faktin që i ka bindur ata që tani ta përkrahin Kosovën.

Radio Evropa e Lirë: E di se janë disa hapa për t’u kryer [deri te hyrja në fuqi e liberalizimit të vizave]. Ju, jeni optimiste se do të finalizohet gjatë Presidencës çeke [të BE-së]?

Vjosa Osmani: Jam optimiste e kujdesshme, sepse e dimë që nganjëherë burokratët brenda shteteve anëtare mund të gjejnë rrugë për të bllokuar procese, mirëpo unë e shoh vullnetin politik tani te liderët e BE-së që të mos bllokohet një gjë e tillë. Prandaj, optimizmi është aty, por duhet ta kuptojmë që procedurat pastaj mund të marrin pak kohë.

Është me rëndësi që takimi më 13 tetor të shkojë mirë dhe pastaj hapat tjerë, që nënkuptojnë edhe miratimin politik të vendimit të 13 tetorit - të grupit punues për vizat - të ndodhin sa më parë.

Presidenca çeke është jashtëzakonisht përkrahëse. Kjo është shumë me rëndësi, që përveç institucioneve të BE-së, shteti që ka presidencën, të jetë një shtet që e shtyn përpara, me shumë zell, një temë të caktuar, që të bëhet pjesë e agjendës së vendimmarrjes. Këtë po e bën Presidenca çeke. Dua të falënderoj kryeministrin [çek Petr] Fiala dhe ministrin e Jashtëm, Jan Lipavsky, por edhe ministrat e tjerë që janë të angazhuar, zyrtarët e tjerë që janë të angazhuar. Kanë një përkrahje të jashtëzakonshme në raport me çështjen e liberalizimit të vizave.

Kërkesa që dialogu të intensifikohet

Radio Evropa e Lirë: E përmendët që keni zhvilluar disa takime me përfaqësues të shteteve të ndryshme evropiane, përfshirë takimin trepalësh me presidentin e Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarin gjerman, Olaf Scholz. Tashmë e keni bërë të ditur se temë e diskutimeve ka qenë edhe dialogu me Serbinë. A ka diçka konkrete që ju është kërkuar nga Scholz dhe Macron?

Vjosa Osmani: Natyrshëm që kjo është një prej temave që ne e diskutojmë me aleatët tanë, sepse përkrahja e Bashkimit Evropian në këtë proces ka qenë fundamentale, në mënyrë që të kemi sukses përgjatë rrugës sonë. Kërkesë themelore e presidentit Macron dhe e kancelarit Scholz është që ky proces të intensifikohet.

Ne nuk jemi kundër intensifikimit të dialogut, për shkak se mendojmë se është jo vetëm në interes të Kosovës, por edhe gjithë rajonit dhe paqes e stabilitetit afatgjatë që dialogu me Serbinë të përmbyllet. Natyrisht, Serbia është e interesuar që ta zvarrisë këtë përgjithmonë dhe të mos ketë zgjidhje afatgjate që i kontribuon paqes dhe stabilitetit në rajon, sepse është shtet që ka qëllim destabilitetin. Ashtu edhe mbijeton, duke destabilizuar të tjerët, që është fat i keq për gjithë rajonin tonë.

Pra, angazhimi tejet i rëndësishëm dhe i drejtpërdrejtë i presidentit Macron dhe kancelarit Scholz në nivele të tilla të larta është shumë i rëndësishëm dhe pozitiv për Republikën e Kosovës. Ne kemi shprehur gatishmërinë tonë të plotë që të angazhohemi me ta jo vetëm në baza mujore, por edhe në baza ditore në qoftë se është nevoja. Kemi shprehur, po ashtu, përkushtimin e plotë që Kosova të vazhdojë qasjen konstruktive dhe të ofrojë përpara zgjidhje që vetëm kontribuojnë për paqe e stabilitet.

Radio Evropa e Lirë: Keni thënë disa herë se dialogu duhet të përmbyllet me njohjen reciproke. Duket se Serbia, tash për tash, nuk pajtohet me një gjë të tillë. Çfarë do të ndodhte me atë rast?

Vjosa Osmani: Serbia nuk pajtohet, por kjo nuk do të thotë që ne duhet të heqim dorë nga synimi ynë që dialogu të përmbyllet me njohje reciproke. Natyrisht që përgjatë kësaj rruge do të ketë shumë çështje të tjera, të cilat mund të zgjidhen ndërkohë.

Një prej tyre ka qenë çështja e energjisë, siç e dini, marrëveshje kjo që u nënshkrua (apo udhërrëfyes në qoftë se mund ta quajmë), para disa muajsh, por për fat të keq, Serbia nuk po e zbaton, përkundër obligimeve të qarta që dalin nga ky udhërrëfyes.

Pastaj, një çështje tjetër që mund të sqarohet ndërkohë, është çështja e të zhdukurve me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, të cilën ne po e shtyjmë përpara, [marrëveshja për të cilën] do të duhej urgjentisht të nënshkruhej, sepse krijon pastaj obligime për Serbinë që t’i hapë arkivat dhe të tregojë se ku janë mbi 1.600 të zhdukur me dhunë, që akoma nuk i kemi gjetur dhe familjet e tyre jetojnë në ankth qe 23 vjet.

Breza të zhdukur
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:14:55 0:00

Ka edhe çështje të tjera që ne i kemi propozuar, siç është një pakt për mosagresion apo që do ta parandalonte Serbinë ta sulmojë Kosovën.

Pra, ka çështje të cilat mund të përmbyllen edhe më herët, sepse janë në interes të Kosovës, janë në interes të paqes dhe stabilitetit.

“Komunat mund të bashkohen në OJQ”

Radio Evropa e Lirë: Partnerët ndërkombëtarë po ashtu i kërkojnë Kosovës formimin e Asociaconit të komunave me shumicë serbe. A do ta formoni?

Vjosa Osmani: Partnerët ndërkombëtarë, natyrisht, që si parim të përgjithshëm e kanë që çfarëdo që është nënshkruar në Bruksel të zbatohet dhe ju e dini që në vitin 2013 është nënshkruar një marrëveshje, por në vitin 2015 ka pasur një marrëveshje dedikuar në mënyrë të veçantë Asociacionit të komunave serbe. Kjo marrëveshje është rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës dhe aty është e qartë që diku 23 nene të Kushtetutës sonë janë shkelur me atë që është dakorduar në Bruksel.

Prandaj, si udhëheqës të Republikës së Kosovës, ne i obligohemi Kushtetutës sonë.

Radio Evropa e Lirë: A po ndërmerrni hapa për të vepruar në bazë të kërkesave të Kushtetueses?

Vjosa Osmani: Gjykata Kushtetuese ka treguar qartë që nuk mund të ketë Asociacion të komunave që krijon një entitet njëetnik, nuk mund të ketë Asociacion të komunave me kompetenca ekzekutive dhe nuk mund të ketë Asociacion, i cili krijon një shtresë të re apo të ndërmjetme të qeverisjes ndërmjet komunave dhe nivelit qendror, sepse të gjitha këto do të ishin në kundërshtim me Kushtetutën e vendit.

Prandaj, pak a shumë, e ka trasuar rrugën përpara. Gjykata lejon që të formohen asociacione pa kompetenca ekzekutive, që nuk janë njëetnike. Pra, janë bashkim komunash, që bashkohen për çështje të caktuara ose agjenda të caktuara dhe lobojnë për to tek institucionet qendrore.

Radio Evropa e Lirë: A po punoni ju që këtë marrëveshje t’ua përshtatni kërkesave të Gjykatës Kushtetuese?

Vjosa Osmani: Ajo çfarë kërkon Gjykata Kushtetuese tashmë ekziston në Ligjin e Kosovës për vetëqeverisje lokale, pra nuk është që Kosova nuk ka ndërmarrë asnjë hap.

Radio Evropa e Lirë: Pse nuk formohet Asociacioni, atëherë?

Vjosa Osmani: Sepse vetë komunat nuk po e ndërmarrin një iniciativë të tillë.

Radio Evropa e Lirë: Ju e mbështesni formimin e Asociacionit?

Vjosa Osmani: Unë mbështes çdo iniciativë që nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe komunave tashmë u lejohet që të bashkohen në asociacione multietnike, pa kompetenca ekzekutive, pra si OJQ.

Atë të drejtë e kanë me Ligjin për vetëqeverisje lokale, i cili ekziston qysh nga themelimi i Republikës së Kosovës, pra është një prej ligjeve që buron nga Pakoja e Ahtisaarit. Atë të drejtë e kanë, atë që ua jep Gjykata Kushtetuese, atë tashmë e kanë. Pra, nuk kërkohen hapa shtesë nga Republika e Kosovës, sepse ata hapa tashmë janë ndërmarrë dhe janë përligjur. Janë pjesë e ligjeve aktuale në Republikën e Kosovës.

Në qoftë se dikush dëshiron që t’i bashkojë komunat rreth agjendave të caktuara për të shtyrë përpara interesa, për të lobuar për ato interesa, ashtu siç është edhe Asociacioni i Komunave të Kosovës, pra i regjistruar si një OJQ, ato gjëra nuk iu ndalohen.

Por, në qoftë se dikush kërkon kompetenca ekzekutive, kërkon që të shkojë përtej Kushtetutës dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese, natyrisht që gjëra të tilla nuk lejohen dhe ne nuk mund të shkojmë përtej Kushtetutës sonë.

Radio Evropa e Lirë: Në bazë të kësaj që thoni, nuk ka asnjë pengesë për formimin e Asociacionit?

Vjosa Osmani: Ligji për vetëqeverisje lokale parasheh që komunat mund të bashkohen në OJQ për të shtyrë përpara, për të lobuar për interesa të caktuara, por pa kompetenca ekzekutive. Pra, ligji ekziston dhe atë ligj nuk e kemi miratuar ne. Ai ligj ka ekzistuar për shumë vite me radhë dhe i parasheh pikërisht ato që i ka potencuar edhe vetë Gjykata Kushtetuese.

Radio Evropa e Lirë: Meqë jemi te Gjykata Kushtetuese, si e komentoni faktin që Kosova nuk është duke e zbatuar vendimin për tokën e Manastirit të Deçanit?

Vjosa Osmani: Aty kemi të bëjmë me një vendim që bazohet në vendimet diskriminuese të kohës së Millosheviqit dhe këtu është e gjithë përgjigjja. Madje, edhe në vitin 1999 kur Kosova administrohej nga Kombet e Bashkuara, rregullorja e parë e UNMIK-ut në Kosovë lidhur me ligjet e aplikueshme në Kosovë, pati paraparë që vendimet dhe ligjet e kohës së Millosheviqit nga marsi i vitit 1989 deri në qershor 1999, janë të pazbatueshme në Kosovë, për shkak të natyrës së tyre diskriminuese.

Mos harroni që Millosheviqi ka dhënë e ka marrë toka në vitet ‘90 pa asnjë kriter, pa asnjë vendim, pra komplet mbi baza diskriminuese. Dhe, madje, këtë e ka bërë edhe gjatë viteve 1998-‘99, kur kemi qenë në luftë, kur kryente gjenocid kundër popullit të Kosovës. Pra, ky është problemi themelor sa i përket këtij vendimi.

Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, ekziston një vendim i instancës më të lartë gjyqësore. Atëherë, si pritet të shkojë, si pritet të zgjidhet kjo çështje?

Vjosa Osmani: Unë mendoj që ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm për precedentin që krijohet nga një vendim i tillë, sepse pastaj institucionet e Kosovës nuk mund të thonë: ne po e zbatojmë një vendim, i cili buron nga koha e Millosheviqit, por jo edhe qindra e mijëra të tjerë.

Pra, do të krijonte probleme marramendëse në Republikën e Kosovës. Askush në Republikën e Kosovës nuk është kundër kishave ortodokse. Ne e shohim multietnicitetin dhe shumëllojshmërinë e religjioneve në Kosovë si vlerë, si pasuri. Askush nuk e sulmon Kishën Ortodokse Serbe. Përkundrazi, Kosova ka ligje për zonat e veçanta, ku kishat dhe pronat e tyre i konsideron si zona të mbrojtura - ligje që nuk ekzistojnë në asnjë vend të Evropës. Pra, ne kemi shkuar përtej standardeve evropiane dhe ndërkombëtare sa i përket mbrojtjes që ofrojmë për kishat dhe Kishën Ortodokse në Republikën e Kosovës. Pra, është vlerë.

Burimi i mbrojtjes së atyre kishave, në qoftë se shkojmë mbrapa në histori, është pikërisht te populli shqiptar. Shqiptarët i kanë mbrojtur këto kisha, përfshirë Manastirin e Deçanit, në të kaluarën. Pra, ato nuk janë në rrezik, ato mbrohen nga institucionet e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me KFOR-in. Nuk i sulmon askush, askush nuk ndërton në pronat e tyre.

Pra, nuk ka asnjë arsye askush për t’u brengosur për sigurinë e kishave, qofshin ato ortodokse apo katolike, apo për sigurinë e xhamive apo çfarëdo monumenti tjetër kulturor apo fetar në Republikën e Kosovës. Në fakt, Kosova është shembull për mbrojtjen e trashëgimisë së saj kulturore dhe fetare.

Radio Evropa e Lirë: SHBA-ja mbështet Ballkanin e Hapur, Bashkimi Evropian e mbështet. Pse Kosova nuk është pjesë e tij?

Vjosa Osmani: Unë nuk do të thosha me aq siguri që SHBA-ja apo Bashkimi Evropian e mbështesin Ballkanin e Hapur. Ne e kemi pasur një takim me sekretarin [amerikan] të Shtetit [Antony Blinken] dhe kjo çështje as nuk është ngritur, as nuk është kërkuar nga ana jonë. Në anën tjetër, në deklarata të disa zyrtarëve të Departamentit të Shtetit është thënë që parakusht për mbështetjen e plotë të kësaj iniciative nga ana e Shteteve të Bashkuara është që ajo t’i përfshijë të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Dhe, ju e dini, është një iniciativë me tri shtete, jo me gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor. Rrjedhimisht, parakushti themelor i SHBA-së, pra gjithëpërfshirja, akoma nuk është përmbushur. Të njëjtën gjë e kemi dëgjuar edhe nga zyrtarët e Bashkimit Evropian. Pra, nuk ka zyrtar të lartë të BE-së që neve na ka kërkuar që të hyjmë në Ballkanin e Hapur.

Përkundrazi, në takimet tona të mbyllura shprehet një dozë e madhe e skepticizmit nga ana e zyrtarëve të Bashkimit Evropian në raport me këtë iniciativë.

Ne kemi shprehur shqetësimet tona që kanë të bëjnë me mungesën e gjithëpërfshirjes që nga lindja e iniciativës, që është parakusht, dhe mungesën e trajtimit të barabartë të të gjithëve. Kosova nuk hyn në nisma, në të cilat nuk trajtohet si e barabartë. Dhe, unë besoj që në ato nisma në të cilat Serbia ka rol kyç, ne as nuk mund të presim që të trajtohemi si të tillë.

Shqetësimet tjera kanë të bëjnë me çështje të integrimit evropian që mund të keqpërdoren si një dhomë pritjeje afatgjate. Pastaj, kemi shqetësime nga aspekti i ekonomisë dhe i sigurisë dhe të gjitha këto ua kemi bërë të ditura të gjithë partnerëve tanë dhe ata e respektojnë këtë qëndrim.

Radio Evropa e Lirë: I dërguari [amerikan] për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, megjithatë, e ka thënë se kjo është një nismë ekonomike dhe jo politike dhe do të ishte mirë të bashkoheshin...

Vjosa Osmani: Asgjë në Ballkanin Perëndimor nuk mund t’i ikë atij lensit politik. Gjithçka, në fakt, është politike, sidomos kur Serbia ka rol kyç në të. ​

Për raportet me Ramën: Ai i quan krimet në Kosovë thjesht “spastrim etnik”

Radio Evropa e Lirë: Dua të ndalem pak te marrëdhëniet tuaja me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Ku është krijuar çarja?

Vjosa Osmani: Nuk ka çarje që ka të bëjë me raporte ndërpersonale, sepse ato janë tërësisht të parëndësishme dhe do të jenë gjithnjë të parëndësishme. Republika e Kosovës dhe Republika e Shqipërisë kanë dhe do të kenë gjithnjë raporte vëllazërore dhe kjo nënkupton që ne e përkrahim kudo që mundemi dhe Shqipëria na përkrah neve si Republikë e Kosovës kudo që mundet.

Radio Evropa e Lirë: Do të thotë, gjithçka është në rregull me kryeministrin Rama? Keni pasur rastin ta takoni dje? ​

Vjosa Osmani: Jo, sepse natyrisht që fokusi im ka qenë që të marr përkrahjen e shteteve, të cilën [përkrahje] nuk e kemi akoma dhe jo përkrahjen e shteteve të cilën e kemi. Dhe, natyrisht që përkrahjen e Shqipërisë, sa i përket anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, ne e kemi të qartë.

Nuk kam nevojë unë ta bind Shqipërinë që të votojë pro Kosovës, ta zëmë në Këshillin e Evropës, por kam nevojë që t’i bind shumë shtete të tjera që janë anëtare të Këshillit të Evropës që të na përkrahin në këtë proces të anëtarësimit dhe fokusi i takimeve bilaterale ka qenë aty.

Sa u përket çështjeve, të cilat na ndajnë, ne jemi pajtuar për të mos u pajtuar sa i përket çështjes së Ballkanit të Hapur dhe pastaj ka çështje të tjera të cilat unë, thjesht, nuk kam nevojë t’ju tregoj juve se çfarë qëndrimi ka Shqipëria, sepse ai qëndrim është publik.

Është publik qëndrimi i kryeministrit Rama sa i përket Serbisë dhe mund ta gjeni në fjalimet e tij. Është publik qëndrimi i tij ku i quan krimet në Kosovë thjesht spastrim etnik, kurse ato në Bosnje gjenocid, kur, në fakt, ju e dini shumë mirë se edhe gjykatat ndërkombëtare, përfshirë ICTY-në, kanë vendosur që në Kosovë janë kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Dhe, ne jemi të bindur që do të dëshmohet shumë shpejt edhe gjenocidi i kryer në Kosovë, sepse qëllimi i Serbisë nuk ka qenë thjesht t’i dëbojë kosovarët, qytetarët shqiptarë nga Kosova. Qëllimi ka qenë shfarosja e popullit të Kosovës.

Mjafton të shihni se si janë kryer disa nga masakrat më makabre, përfshirë [ato]në Gjakovë, në Poklek të Drenasit... në Prekaz, në Mejë të Gjakovës, në Reçak e shumë vende të tjera, për ta kuptuar se qëllimi ka qenë shfarosja dhe jo vetëm dëbimi.

Pra, të reduktohet kjo thjesht në dëbim, është dëm i madh ndaj gjithë sakrificës së popullit shqiptar.

Natyrisht, këto nuk janë çështje që unë kam nevojë t’i them, por meqenëse po pyesni, po e sqaroj se në qoftë se dikush - pavarësisht kush është, në Kosovë, në Shqipëri, madje edhe në SHBA dhe Evropë - thotë që në Kosovë është kryer vetëm spastrim etnik, natyrisht se përgjigja jonë është që edhe vetë NATO-ja kur ka ndërhyrë në Kosovë, ka dhënë deklaratë zyrtare që po ndërhyn për ta ndalur gjenocidin që po ndodhte në Kosovë.

Kancelari [Olaf] Scholz, në konferencë për media me [presidentin rus, Vladimir] Putinin e tha që në Kosovë ka qenë duke ndodhur gjenocid, prandaj kemi ndërhyrë. Pra, në fytyrë ia tha Putinit që në Kosovë ka qenë duke ndodhur gjenocid. Presidenti [amerikan Joe] Biden e ka thënë këtë punë në Senat në atë kohë kur ishte senator përgjatë luftërave në Bosnje dhe në Kosovë, prandaj e tëra që ne kërkojmë, është që të thuhet e vërteta dhe vetëm e vërteta.

Nuk kemi nevojë të shpikim, sepse e vërteta është mjaftueshëm e tmerrshme rreth asaj se çfarë i ka ndodhur popullit shqiptar në Kosovë nga regjimi gjenocidal i Millosheviqit. Është me rëndësi për ne - sidomos tani që Serbia udhëhiqet nga ministri i propagandës së Millosheviqit - që ta themi të vërtetën për popullin shqiptar në Kosovë dhe për sakrificat, si dhe për krimet e tmerrshme që janë kryer kundër nesh, në mënyrë që të kemi mundësi që të trasojmë rrugën drejt drejtësisë, sepse viktimat në Kosovë meritojnë drejtësi.

Mijëra gra të dhunuara meritojnë drejtësi, familjet e të zhdukurve meritojnë drejtësi. Fëmijët e vrarë, të masakruar e të djegur madje për së gjalli - kemi numrin më të madh nga të gjithat luftërat në ish-Jugosllavi - ata meritojnë drejtësi dhe për të kërkuar drejtësi, për të qenë të suksesshëm në drejtësi, ne duhet ta themi të vërtetën dhe vetëm të vërtetën.

E vërteta e Kosovës është që kundër popullit që unë përfaqësoj, është kryer gjenocid.

Spastrimi etnik ka qenë vetëm një element, andaj të reduktohet në të, është diçka që kërkon që secili prej nesh në Republikën e Kosovës ta ngrejë zërin.

Osmani: Mësimdhënësit të paguhen nëse kompensohet mësimi

Radio Evropa e Lirë: Zonja presidente, një çështje tjetër ku dua të ndalem është edhe greva, greva e sektorit publik në Kosovë, edhe pse për nga rëndësia që ka në publik me siguri që do të duhej ta përmendja edhe më herët. A duhet të paguhen mësimdhënësit? ​

Vjosa Osmani: Natyrisht se është një kohë shumë-shumë e vështirë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, edhe për shkak të inflacionit, edhe për shkak të krizës energjetike, të gjitha këto probleme globale, me të cilat po ballafaqohet secili vend në Evropë.

Prandaj, jeta nuk është e lehtë tani për qytetarët e Republikës së Kosovës. Unë i kam takuar sindikatat në kohën kur e filluan grevën, e kam takuar Këshillin e Prindërve, Këshillin e Nxënësve. Kam biseduar vazhdimisht me ministritë përkatëse rreth një zgjidhjeje, sipas së cilës, të gjithë do të mund të ndaheshin të kënaqur, edhe pse natyrisht situata është shumë e rëndë që t’i kemi të gjithë të kënaqur.

Tani duhet ta kemi parasysh që, në njërën anë, Qeveria është duke u përballur me një situatë tepër të rëndë sa i përket krizës energjetike dhe duhet të sigurohemi që kemi buxhet të mjaftueshëm për të blerë energjinë, që këtë dimër ta kalojmë në mënyrën sa më të lehtë të mundshme.

E dyta, në anën tjetër, duhet të sigurohemi që mësimdhënësit, por edhe të gjithë punëtorët, të gjithë qytetarët në Kosovë e kalojnë pak më lehtë këtë inflacion.

Prandaj, është propozuar Pakoja e inflacionit që iu ndihmon të gjithë zyrtarëve publikë, jo vetëm me 50 euro në pagë, por edhe me subvencionim të energjisë, edhe pastaj me ndihma për pensionistët në secilën familje, për studentët në secilën familje. Pra, pak a shumë, në qoftë se shikohet se çfarë u kanë ofruar institucionet e Kosovës sindikatave të arsimit dhe sindikatave të tjera, është gati se po mbërrijmë tek ai 100 eurosh për familje, edhe pse ndoshta jo për secilin mësues, por për secilën familje po. Kjo është ndihma që është ofruar.

Unë mendoj se greva është dashur të ndërpritet menjëherë kur është ofruar kjo pako që ka qenë në fillim të shtatorit, sepse as nuk do të dëmtoheshin nxënësit, as nuk do të dëmtoheshin mësimdhënësit dhe shoqëria jonë, në përgjithësi.

Tani që greva ka rezultuar me humbje të madhe për fëmijët, e kemi një ligj, Ligjin për grevat, i cili ka një diskrepancë - nenin 13 në njërën anë që nuk lejon që të dëmtohen në aspektin material mësimdhënësit, dhe e kemi nenin 18, në anën tjetër, që e obligon Qeverinë që të mos i paguajë në rast të grevave. ​

Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, këtu ka dallim. Mësimdhënësit nuk janë paguar [deri në orët e pasdites të së premtes]. Pjesa tjetër e sektorit publik, që po ashtu ka qenë në grevë, është paguar. A duhet të paguhen mësimdhënësit? Nuk kanë marrë paga në shtator...

Vjosa Osmani: Unë mendoj që në momentin që kompensohen, në qoftë se ka një premtim për kompensim, absolutisht duhet të paguhen. Pra, duhet të arrihet një dakordim për kompensim të orëve ndërmjet Ministrisë së Arsimit në këtë rast dhe mësimdhënësve drejtpërdrejt.

Dhe, në momentin që ka dakordim për kompensim të orëve - por ai kompensim duhet të bëhet në mënyrë që nuk i dëmton fëmijët, nuk i dëmton familjet, nuk i dëmton prindërit -... në momentin që ka dakordim për kompensim, duhet në avans që të paguhen pagat e shtatorit. Kompensimi, nuk do të thosha i orëve, por i planit mësimor, sepse duhet të sigurohet secili mësues që plani mësimor vjetor të përputhet me orët që ata i mësojnë nxënësit, sepse nuk mund të mbetet plani mësimor vjetor në gjysmë.

Pra, duhet të dakordohen për këtë plan dhe pastaj në avans të jepen pagat e shtatorit - gjithnjë duke gjetur një interpretim ligjor. Kjo, sepse, siç e përmenda, për momentin ekziston një diskrepancë ligjore për aq sa është analizuar nga ekipi im ligjor për këta muaj, në fakt, jo vetëm tash së fundi, por besoj se një zgjidhje duhet të gjendet urgjentisht, në mënyrë që të mos dëmtohen mijëra familje në këtë situatë të rëndë.

XS
SM
MD
LG