Vendimi i presidentit amerikan, Donald Trump për të vrarë liderin ushtarak iranian, Qasem Soleimani më 3 janar, i ka zënë në befasi evropianët.
Prandaj ata tani janë duke tentuar të bëjnë diçka, çfarëdo veprimi të mundshëm, për të treguar unitet.
Më 6 janar, NATO-ja ka mbajtur një takim urgjent në nivel ambasadorësh në Bruksel, të udhëhequr nga Sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg. Duke folur për gazetarë më vonë, ai ka theksuar se NATO-ja është e përgatitur për të vazhduar misionin trajnues në Irak “kur të krijohen rrethanat”.
Ky mision është pezulluar pas vrasjes së Soleimanit, që nënkupton se ushtarët janë duke qëndruar nëpër kazermat e tyre. Mirëpo ata shumë shpejt mund të nisen drejt shtëpive të tyre për arsye të sigurisë, bazuar në burimet e autorit, sidomos pasi Parlamenti irakian ka miratuar një rezolutë jo të detyrueshme për largim të trupave të huaja nga ky shtet.
Stoltenberg është detyruar të mohojë ndonjë mospajtim në mes të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve. Duke refuzuar që të përgjigjet nëse ka pasur ndonjë kritikë brenda aleancës për vendimin e marrë nga SHBA-ja, ai ka insistuar se “të gjithë aleatët për vite të tëra kanë shprehur shqetësim për aktivitetet destabilizuese të Iranit në rajonin e Lindjes së Mesme”, duke shtuar se të gjithë janë të brengosur për testimet raketore të Iranit dhe mbështetjen e tij për një mori të grupeve terroriste.
Ai ka shtuar edhe se është arritur pajtueshmëri që “një konflikt i ri nuk është interes i askujt, andaj Irani duhet të përmbahet nga dhuna dhe provokimi në të ardhmen”.
Teksa NATO-ja në pjesën më të madhe të saj është e formësuar sipas dëshirës së Uashingtonit, organizata tjetër e madhe politike në Bruksel, Bashkimi Evropian, duket se është duke hasur në vështirësi për të krijuar një qëndrim unik.
Shumica e diplomatëve me të cilët autori ka biseduar kanë qenë të shokuar me përshkallëzimin e fundit të situatës. Një zyrtar nga një shtet i vendit perëndimor ka thënë se “shumica prej nesh besojnë se hapi i administratës së Trumpit është i pamatur nëse jo edhe i çmendur, mirëpo ne nuk mund ta themi këtë gjë hapur”. Kjo pasi motoja tipike për Brukselin është: ulja e tensioneve dhe dialogu.
Kjo është ajo për të cilën mund të pajtohen tani për tani 28 vendet anëtare, pasi ato dëshirojnë të mbajnë gjallë marrëveshjen bërthamore me Iranin me çdo kusht.
Shumica e vendeve anëtare të BE-së dëshirojnë të krijojnë një hapësirë eventuale transatlantike dhe ndarje të mundshme mes vendeve të bllokut evropian, sidomos atyre në shtetet lindore që dëshirojnë të rreshtohen më afër Uashingtonit dhe atyre që duan të mbajnë distancë. Shtetet baltike dhe Polonia kanë treguar se “qëndrojnë” afër Shteteve të Bashkuara dhe të drejtës së tyre për të mbrojtur veten, si dhe insistojnë se në pjesën perëndimore të Evropës zyrtarët mund të tingëllojnë më diplomatik, ndonëse e mendojnë të njëjtën gjë.
Ambasadorët evropianë do ta diskutojnë këtë çështje më 7 janar derisa një këshill për punë të jashtme i BE-së, që ishte planifikuar të diskutonte në fund të janarit, do të shtyhet për një datë të pacaktuar. Nuk përjashtohet mundësia që ministri i Jashtëm iranian, Mohammad Javad Zarif të shkojë në Bruksel apo që shefi i BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell ta ftojë atë ndaras. Zëdhënësi i Borrellit, Peter Stano, u ka thënë mediave në Bruksel se “varet nga ana iraniane që të pranojë ftesën. Besoj se është interes i të dyja palëve që të vazhdojnë bashkëpunimin”.
Ndonëse shumica e ministrave të Jashtëm të BE-së miratojnë prezencën e Zarifit në Bruksel, një diplomat i ka thënë autorit se dy deklaratat e nisura nga Borrell deri më tani “kanë qenë në emrin e tij dhe jo të Bashkimit Evropian”. Kjo gjë sipas tij tregon dallime potenciale në mesin e kryeqyteteve evropiane.
Çfarë lë edhe më shumë përshtypje është se ky njoftim është bërë i ditur në mesditën e 6 janarit, ndonëse presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen ishte planifikuar të lëshonte një deklaratë për situatën e krijuar më vonë gjatë ditës, por ajo nuk është publikuar kurrë.
Të dy zyrtarët është thënë se janë duke punuar në një deklaratë të përbashkët, që ende nuk është publikuar, ndërkohë që njerëzit me të cilët ka biseduar autori kanë thënë se Brukseli do të vazhdojë të publikojë deklaratë pas deklarate derisa lojtarët kryesorë marrin vendime.