Ndërlidhjet

Arrestohet i dyshuari për vrasjen e trefishtë në Podgoricë

Vetura të Policisë në Podgoricë. Fotografi ilustruese nga arkivi.
Vetura të Policisë në Podgoricë. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Policia malazeze ka arrestuar Vehid Muriqin, 25 vjeç, nga Rozhaja, i cili dyshohet se ka vrarë tre persona në Podgoricë, tha Policia më 22 prill.

Sipas njoftimit, zyrtarët policorë e kanë lokalizuar të dyshuarin në qendrën e qytetit të Rozhajës, pas një aksioni të gjerë taktik.

Dyshohet se Muriqi, në lagjen Aeroporti i Vjetër në Podgoricë, ka privuar nga jeta tre persona – dy burra nga Rozhaja dhe një shtetas të Serbisë nga Novi Pazari.

Policia malazeze tha se i dyshuari, do të dërgohet në Prokurorinë e Lartë në Podgoricë, ku ndaj tij do të dorëzohet edhe kallëzimi penal.

Më herët, Policia kishte njoftuar se ngjarja, sipas informacioneve të para, nuk lidhet me veprimtarinë e strukturave kriminale. Autoritetet kanë thënë po ashtu se vrasjes së trefishtë dyshohet t’i ketë paraprirë një mosmarrëveshje mes të dyshuarit dhe viktimave.

Policia e Malit të Zi ka njoftuar se me shumë gjasa vrasja e trefishtë është kryer natën e 20 prillit dhe sipas provave fillestare dyshohet se krimi u krye me armë të ftohtë.

XS
SM
MD
LG