Autoritetet në Kosovë kanë bërë të ditur të hënën se një grua e plagosur një ditë më parë, 73-vjeçare, në fshatin Majac të Podujevës, ka vdekur si pasojë e plagëve të marra nga të shtënat me armë zjarri.
“Pavarësisht përpjekjeve maksimale të stafit mjekësor, pacientja e lindur në vitin 1953 ka ndërruar jetë në orën 03:00 pas mesnate”, është thënë në njoftimin e Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK).
Policia e Kosovës ka bërë të ditur në raportin e saj ditor se më 22 mars e ka gjetur të vdekur një burrë në një makinë në të njëjtin fshat, ndërsa brenda në shtëpi janë gjetur dy gra me plagë të rënda.
Betimi për Drejtësi, media e specializuar në fushën e drejtësisë ka raportuar se një 31-vjeçare është e dyshuar për vrasje dhe vetëvrasje.
Sipas këtij mediumi, burri i vrarë dyshohet të ketë qenë i dashuri i saj.
SHSKUK-ja ka bërë të ditur se gjendja e 31-vjeçares është e rëndë dhe po vazhdon trajtimi i saj.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se personat e vdekur i kanë inicialet I.B dhe M.G dhe që hetimet për rastin po vazhdojnë, meqë motivet janë ende të panjohura për autoritetet.
Në komunikatën për media, Prokuroria ka bërë të ditur se autoritetet kanë sekuestruar një armë zjarri, dhe disa gëzhoja, si dhe disa prova të tjera materiale relevante në vendin e ngjarjes.
Në javën që lamë pas janë regjistruar tre persona tjerë të vdekur, si pasojë e të shtënave me armë zjarri: një në Podujevë, një në Klinë dhe një në Gjakovë.
Mijëra armë zjarri pa leje llogaritet të jenë në duart e qytetarëve të Kosovës. Ekspertët argumentojnë se është i nevojshëm konfiskimi i tyre me qëllim që të ulet numri i incidenteve të armatosura.