Gjiganti rus i energjisë, Gazprom, është në bisedime me kompaninë hungareze, MOL, për një shitje të mundshme të aksioneve të tij shumicë në NIS, rafinerinë e vetme të naftës në Serbi, tha të martën presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
Shtetet e Bashkuara shpallën sanksione të gjera që synonin sektorin e naftës të Rusisë në janar, për shkak të luftës së Moskës në Ukrainë, por për NIS-in zbatimi i tyre u shty disa herë përpara se të hynte përfundimisht në fuqi më 8 tetor.
“Ne kemi informacione se përfaqësuesit e Gazpromit po bisedojnë, mes të tjerash, me kompaninë hungareze MOL, dhe ne nuk kemi asgjë kundër kësaj. Hungarezët janë miqtë tanë”, u tha Vuçiq gazetarëve të martën.
“Ne duhet ta përfundojmë këtë sa më shpejt të jetë e mundur, deri më 15 janar”, shtoi ai.
Bankat kanë ndalur përpunimin e pagesave të NIS-it për shkak të sanksioneve. Ndërkohë, tubacioni kroat, JANAF, ka ndaluar furnizimin e rafinerisë me naftë bruto.
Gazprom zotëron 11.3 për qind të aksioneve në NIS, ndërsa dega e tij e sanksionuar, Gazprom Neft, ka 44.9 për qind. Qeveria e Serbisë zotëron 29.9 për qind, ndërsa pjesa e mbetur u përket aksionarëve të vegjël dhe punonjësve.
Vuçiq tha gjithashtu se marrëveshja e furnizimit me gaz të Serbisë me Rusinë do të zgjatet edhe për tre muaj të tjerë.
Ky shtet ballkanik mbetet një nga blerësit e paktë të mbetur në Evropë të gazit natyror rus.
Qeveria serbe, e cila synon anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, është përballur me presion nga vendet perëndimore për t’u harmonizuar me sanksionet e BE-së ndaj Rusisë, por ende nuk ka ndërmarrë veprime në këtë drejtim.