Ndërlidhjet

Zaev paralajmëron ndryshime në Qeveri


Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev

Njohësit e çështjeve politike vlerësojnë se reformimi i Qeverisë së Maqedonisë më shumë bëhet për të plotësuar kërkesat e partnerëve të koalicionit qeverisës, sesa për të plotësuar kërkesat e qytetarëve.

Analistët thonë se paralajmërimi për reformimin e Qeverisë po ndodhë që një kohë të gjatë dhe shtyerja e marrjes së ndonjë vendimi për këtë çështje, po bën që Qeveria të mos punojë me kapacitete të plota.

Ndryshe, kryeminsitri i Maqedonisë Zoran Zaev ka theksuar se reformimi i Qeverisë së Maqedonisë është si rrjedhojë e zgjerimit të koalicionit qevrisës, ku siç ka thënë, pritet të përfshihen dhe disa parti parti më të vogla opozitare, por pa precizuar se cilat do të jenë ato, derisa mos finalizohen bisedimet.

Zaev, zgjerimin e koalicionit qevrisës e ka arsyetuar me shtyerjen përpara të proceseve reformuese, në rrugëtimin drejt integrimeve euroatlantike.

Përderisa bisedimet po zhvillohen larg syve të opinionit për më shumë se dy muaj, asgjë konkrete nuk dihet se cilat dikastere do të pësojnë ndryshime mes parnerëve të koalicionit qeverisës dhe cilët ministra do të largohen.

Njohësi i çështjeve politike, Ali Pajaziti thotë se kjo pasiguri bën që të bllokohet një pjesë e proceseve reformuese për të cilat angazhohet Qeveria e Zaevit.

“Prononcimet zyrtare të kreut të Qeverisë Zoran Zaev, tanimë një kohë të gjatë se do ketë reformim dhe shtyrja disa herë e kësaj, përkatësisht shfaqja permanente e këtij pretendimi në media, krijon një klimë të jostabilitetit tek aktorët e kësaj qeverie, gjegjësisht tek një pjesë e ministrave të cilët rrinë si në thera, të cilët presin çdo moment t’i largojnë dhe nuk mund të japin maksimumin në punën e tyre, sepse natyrisht se një person që e dinë se nuk është i qëndrueshëm në pozitën që ka, do të jetë nën psikozën e etheve të largimit dhe në bashkëpunim këta ministra me vartësit e tyre, nuk mund të pritet performanca maksimale”, thotë Ali Pajaziti, ligjërues në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë.

Ndërkohë, kryeministri Zaev ka qenë i prerë se në bisedimet për zgjerimin e koalicionit të tij qeverisës po bisedohet për kuadro me profesionistë, të cilët dinë të menaxhojnë dikastere ministrore, në këtë periudhë të rëndësishme që Maqedonia po kalon, sa i përket procesit të integrimeve.

“Kjo do të thotë kuadro adekuat dhe njerëz adekuat”, është shprehur Zaev.

Por, Mirjana Najçevska nga Fakulteti Juridik në Shkup për Radion Evropa e Lirë thotë se përmes reformimit të Qeverisë, parnerët e koalicionit qeverisës synojnë të përforcojnë pozitat në ekzekutiv dhe aspak nuk mund të thuhet se dëgjohet zëri i kritikave të qytetarëve për keqmenaxhim të dikastereve ministrore, apo zëvendësimi i tyre me kuadro të dëshmuar.

“Emërimi i sërishëm i personave të njëjtë, por në dikastere të ndryshme, është shumë i mundshëm, madje do të thosha shumë i pritshëm, sepse emërimi në krye të dikastereve ministrore nuk ka të bëjë me përgatitjen e tyre profesionale në lëmi të caktuara, por gjithçka ka të bëjë me marrëveshjen politike mes parnerëve të koalicionit qeverisës, dhe asaj sa personat e caktuar janë besnikë ndaj partisë”, thotë Najçevska.

Sipas paralajmërimeve të kreut të Qeverisë, deri në gjysmën e këtij muaji pritet që të konkretizohet ndarja e resorëve ministrorë mes pushtetarëve dhe partive opozitare që pritet të bëhen pjesë e koalicionit qeverisës.

Ndryshe, Qeveria e kryeministrit Zaev, e cila vetën e quan reformatore, ka marrë besimin e shumicës paralamentare në qershor të vitit të kaluar.

XS
SM
MD
LG